Mbledhja e KKT, miratohet ndërtimi i tre hidrocentraleve, ndryshime për 6 HEC-e të tjerë.
Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar në mbledhjen e ditës së sotme ndërtimin e tre hidrocentraleve të reja, ndërsa ka dhënë vendime edhe për shtyrje afatesh e ndryshime për 6 HEC-e të tjera.
Në Bashkinë e Maliqit, kanë marrë dritën jeshile HEC-i i Osojës dhe ai i Goricës, të cilët do të realizohet përkatësisht nga kompania “Favina” sh.p.k. dhe “The Blue Star” sh.p.k.
Ndërsa në Bashkinë e Malësisë së Madhe ka marrë miratimin e komisionit ndërtimi i hidrocentralit të Murasit, zhvilluar nga shoqëria “Mateo&CO”.
Ndërkohë, dy hidrocentrale po hasin vështirësi në zbatimin e projektit brenda afatit të përcaktuar, ndaj KKT ka miratuar kërkesën për shtyrjen e afatit të lejes së ndërtimit. Bëhet fjalë për hidrocentralin e Kabash-Porocan dhe atë të Stavecit.
Po ashtu, KKT vendosi për miratimin e ndryshimeve në projekt gjatë ndërtimit për HEC-et “German 1”, “German 2”, “German 3” dhe “German 4”, të vendosur në përroin e Zallit të Germanit në qarkun e Dibrës. Këto katër hidrocentrale kanë si subjekt zhvillues shoqërinë “SA’GA-MAT”.