"Mali i mbetjeve", qytetarët e Fierit kërkojnë zgjidhje urgjente!

Në qytetin e Fierit, në një distancë shumë të afërt me qëndrën e tij, jo më shumë se 200 m në vijë ajrore, ndodhet një gropë e madhe septike prej 3.5 ha mbushur me mbetje të ardhura nga gjithë Qarku Fier. Ky problem ka shumë vite që shoqëron banorët e zonës, të cilët i kanë shtëpitë jo më larg se 50–70 m nga “mali i plehrave”. Në takimin me qytetarët organizuar nga Shoqata “Together for Life” në kuadër të projektit “Informim-komunikimi mbi politikat mjedisore për zhvillim të qëndrueshëm”, qytetarët ndihen shumë të revoltuar për problematikën që i ndjek prej vitesh.
Thoma Gjini, ekspert biokimie, shprehet i indinjuar: ”Unë jam takuar me disa kryetarë bashkish, kam vajtur te Ministria e Mjedisit, kemi drejtuar disa peticione Bashkisë Fier. Arsyeja është vetëm ekonomike. Ajo nuk i mbulon kostot për automjetet të shkojnë në zonat jashtë qendrave të banimit. Kanë vendosur dy pika shkarkimi; një në Zhupan shumë pranë Fierit dhe tjetra në Verrí, shumë pranë gjithashtu zonave të banuara dhe qëndrës së Fierit. Ky problem është aq i zgjatur në kohë sa këtu ka dalë edhe shprehja “Ju gjetën mbetjet ju apo i gjetët ju ato?!” Ne jemi autoktonë këtu dhe vetëm 5–6 familje kanë ardhur këto 2 vitet e fundit. Këtu janë të gjithë me karbon në gjak dhe me probleme në lëkurë”.
Një tjetër qytetar i irrituar thotë: “Të gjithë ata që vijnë në Fier, që në kilometrin e parë, përfshirë dhjetëra makina deputetësh, ministrash, qeveritarë e biznesmenë, mbyllin xhamat e makinave të tyre dhe nuk duan t’ja dinë për tmerrin që përjetojmë ne këtu”.
R.H po aq i shqetësuar sqaron: “Edhe pse ka toka plot të pashfrytëzuara, Agjensia e Gjelbërim-Pastrimit ka vendosur ti hedhë plehrat këtu. Justifikimi i tyre mbetet kostoja e transportit. 30–40 automjete me nga 10 km për ata janë shpenzime të shumta dhe kanë menduar t’i bien më shkurt dhe ta bëjnë për një distancë më të shkurtër për 500 m. Kemi bërë ankesa dhe peticione, kemi bërë kërkësa në bashki dhe te Ministria e Mjedist, problemin e njohin të gjithë qytetarët, nuk ka më vend për sensibilizim”.
Banorja e asaj zone, J.D sqaron: “Problemi ynë ka kaluar çdo kufi sensibilizimi. Ato mbetje kur marrin flakë i gjithë tymi që del vjen nëpër shtëpitë tonë, u hedhin dhé për të mbuluar mbetjet nga zonat e tjera që të mos duken shumë dhe u vënë flakën por është akoma më e rrezikshme sepse vatrat e zjarrit mund të përhapen duke djegur edhe shtëpitë aty pranë dhe akoma më e rëndë, aty nuk kalon dot as një zjarrfikëse”.
Ekzistenca e këtyre mbetjeve ka prishur gjithë ekosistemin përreth. Të gjitha produktet bujqësore janë të kontaminuara, për një fermer që të ketë prodhime bujqësore të freskëta dhe biologjike duhet të jetë 100 km. larg rrugëve të transportit dhe këtyre mjediseve të ndotura. Hapësira ku hidhen sot mbetjet ka qënë e gjitha e pyllëzuar me bimë të ndryshme dhe mbushur me qiparisa. Duke qënë pranë Lumit Gjanica edhe ai është ndotur e për rrjedhojë ka sjellë zhdukjen e disa specieve. “Dikur ne aty peshkonim, por sot nuk ka as leshterikë anash as mushqe, as alga si një habitat ku të rriten gjallesat”- tha njëri prej banorëve të prekur.
Në fund të takimit, të gjithë qytetarët janë shprehur njëzëri: “Ne kërkojmë që të hiqen në mënyrë urgjente ose të paktën të ndalojnë së hedhuri të tjera për momentin. Do marrim disa masa më të ashpra nëse problemi ynë nuk gjen zgjidhje, do hedhim në gjyq Ndërmarrjen e Gjelbërim-Pastrimit të paguajnë gjobën mjedisore ata dhe jo ne me taksat tona si dhe do dalim të bllokojmë rrugët e qytetit deri në autostradë. Situata është alarmante!”
Botuar nga Organizata “Together for Life” me 27 June 2017.