Lum shkeljesh në konçesionin e inceneratorit të Fierit

Lum shkeljesh në konçesionin e inceneratorit të Fierit

Ne dt 17 Qershor pritet pavlefshmeria e deklarates mjedisore dhe lejes se ndertimit

Tiranë më 10/06/2019

Spjegime përfundimtare në çështjen administrative me palë:

Banoret e fshatit Verri:……

Shoqata “Alenaca Kundër Importit të Plehrave të Rrezikshme” (AKIP),

Të paditur: Këshilli Kombëtar i Territorit, pranë Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, me adresë Rr. “Norbert Jolk”, Tiranë.

Shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier”shpk, shoqëri tregtare me NUIS L62205045F, me administrator Z.Loran Dusha, me adresë Njësia Administrative nr.2, Rr. “Papa Gjon Pali II”, Pallati “F&G”, Kt.4, Ap.17.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, sheshi “Skënderbej” Tiranë.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit, me adresë Rr. “Sami Frashëri”, Nr.4, Tiranë.

Person i tretë: Bashkia Fier, L. “Kastrioti”, Rr. “Ramiz Aranitasi”, Fier.

Objekti: Konstatimin i Pavlefshmërisë së Deklaratës Mjedisore, Nr.Identifikimi 294, Nr.3764 Prot., Nr.Vendimi 18, dt.08.05.2017.

Konstatim i Pavlefshmërisë së Lejes së Ndërtimit Nr.15, dt.16.10.2017, të Këshillit Kombëtar të Territorit, “Për miratimin e lejes së ndërtimit për objektin: “Ndërtimi dhe administrimi i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”, me venddodhje në Bashkinë Fier, për arsye se është miratuar në kundërshtim me ligjin.

Shpenzimet Gjyqësore në ngarkim të palëve të paditura.

Baza Ligjore: Ligji Nr.8672, dt.26.10.2000, “Për ratifikimin e Konventës së Aarhusit për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’u gjykuar për çështjet e mjedisit”; Kodi i Procedurave Administrative; Ligji Nr.10431, dt.09.06.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit” Ligji Nr.10440, datë 07.07.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”; Ligji 146/2014 “Për konsultimin publik”; Ligji Nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”; Ligji 81/2017, “Për zonat e mbrojtura”; Ligji 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”; Ligji Nr.10463, datë 22.09.2011; “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, Ligji 9244, datë 17.6.2004 “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”; ligji Nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”; Ligji nr. 125/2013, dt. 18.12.2006 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”; Nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”; Ligji 9780, dt.16.07.2007, “Për Inspektimin e Ndërtimit”, Ligji 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”; VKM Nr.410, datë 27.06.2012, “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave të ndryshimit të kategorisë së resurseve të tokës”; VKM Nr. 912, datë 11.11.2015 , “Për miratimin e metodologjisë kombëtare të procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis”; VKM 247 datë 30.04.2014 “Për përcaktimin e rregullave, të kërkesave e të procedurave për informimin dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore”; VKM nr 686 date 29.07.2015 “Per miratimin e rregullave, te pergjegjesive, e afateve te zhvillimit te procedures se vleresimit te ndikimit ne mjedis dhe procedures se transferimit te vendimit te deklaratës mjedisore”; VKM nr 178 date 06.03.2012 “Per incinerimin e mbetjeve”; VKM nr.175, datë 19.1.2011 “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Menaxhimit të Mbetjeve dhe të Planit Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve”.

Përpara: Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë

E nderuar Gjykatë,

Në përfundim të hetimit gjyqësor, nëpërmjet provave të paraqitura nga paditësit, provat e depozituara nga palët e paditura dhe akti i ekspertimit, u provua se padia objekt shqyrtimi është e mbështetur në ligj dhe në prova dhe si e tillë duhet të pranohet.

Konkretisht:

 Lidhur me legjitimimin aktiv të paditësave

Pala e paditur Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në prapësimet e tyre, pretenduan se mungon legjitimimi aktiv, për të paraqitur padi në gjykatë. Prapësimet po i përmbledhim:

1. Mungon interesi i ligjshëm i paditësave për të ngritur padi;

2. Organizatat jofitimprurëse nuk mund të kundërshtojnë në gjykatë akte administrative individuale, siç është rasti i akteve objekt gjykimi;

3. MIE pretendon se paditësit nuk kanë të drejtë të kundërshtojnë kontratën konçensionare. Për këtë pikë, mjafton të theksojmë se kontrata, nuk është objekt i shqyrtimit gjyqësor, por është Deklarata Mjedisore dhe Leja e Ndërtimit.

4. MIE në prapësimet e dhëna (fq.6), pretendon se, Konventa e Aarhusit i jep të drejtë publikut të interesuar, ndër të tjera: “Për t’u ankuar në gjykatë për çështje të mjedisit dhe specifikisht, të drejtën e individit t’i drejtohet gjykatave për shkeljen e të drejtës së tij për qasje në informacione mjedisore, apo lidhur me vendimet publike që janë marrë pa u respektuar e drejta e pjeëmarrjes publike përcaktuar në nenin 6 të Konventës”.

4

Në nenin 15 të ligjit 49/2012, përcaktohet se të drejtën e ngritjes së padisë e ka:

a) çdo subjekt, që pretendon se i është cenuar një e drejtë apo një interes i ligjshëm nga një veprim apo mosveprim i organit publik; …

d) çdo shoqatë apo grup interesi që pretendon se është cenuar një interes i ligjshëm publik:

i) nga një akt normativ;

ii) nga një akt administrativ, në rast se një e drejtë e tillë u njihet me ligj;

Neni 32 i K.Pr.Civile, si dhe neni 15 i ligjit nr.49/2012, e kushtëzon të drejtën e paditësit për të ngritur padi, me interesin e ligjshëm që duhet të ketë ai për njohjen ose rrëzimin e një pretendimi. Interesi i ligjshëm lidhet me të drejtën e palës, për të kërkuar nëpërmjet gjykatës njohjen ose rivendosjen e një të drejtë të mohuar ose të cënuar prej dikujt tjetër. Sipas nenit 48 të ligjit nr.10431 datë 09.06.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit” i ndryshuar, (E drejta për padi gjyqësore) në rast kërcënimi ndaj mjedisit, ndotjeje dhe dëmtimi të tij, publiku ka të drejtë:

b) të ngrejë padi në gjykatë, në përputhje me kushtet e parashikuara nga Kodi i Procedurës Civile, kundër autoritetit publik ose personit fizik e juridik, që ka sjellë dëme në mjedis ose që rrezikon ta dëmtojë atë.

Neni 9 (5) i Konventës së Aarhusit, përcakton se: “Me qëllim që të rritet efektiviteti i klauzolave të këtij nenin, çdo Palë do të sigurojë që publikut t’i jepet informacion për të drejtën e tij për t’ju drejtuar procedurave të shqyrtimit administrativ e gjyqësor dhe do të marrë në konsideratë krijimin e mekanizmave ndihmës të përshtatshëm, për të hequr ose pakësuar pengesat financiare ose pengesa të tjera në ushtrimin e së drejtës për t’ju drejtuar gjykatës.”

Po në këtë dispozitë parashikohet:

“Çfarë përbën interes të mjaftueshëm dhe cënim të një të drejte do të përcaktohet, në përputhje me kërkesat e legjislacionit kombëtar dhe me objektivin për t’i dhënë publikut të interesuar të drejta me të zgjeruara për t’ju drejtuar gjykates, brenda sferes se kësaj Konvente. Për këtë qellim, interesi i një organizate jo qeveritare që ploteson kerkesat e referuara në nenin 2, paragrafi 5, do të konsiderohet i mjaftueshem për qellimin e nënparagrafit (a) me lart. Organizatat e tilla do të konsiderohen si organizata që kanë të drejta, të cilat u cenohen për qellimet e nënparagrafit b me lart.”

Neni 2, pika (4) dhe (5) i Konventës, bën këtë përcaktim për ‘publikun’ dhe ‘publikun e interesuar’:

“4. “Publiku” nënkupton një ose shumë persona fizikë ose juridikë, në përputhje me legjislacionin e praktikat kombëtare, shoqatat, organizatat dhe grupimet e tyre;

5. “Publiku i interesuar” nënkupton publikun e ndikuar ose që mund të ndikohet, apo që është i interesuar për vendim marrjen mjedisore; për qëllimet e këtij përkufizimi, shoqatat joqeveritare që promovojnë më tej mbrojtjen e mjedisit dhe plotësojnë kërkesat e vëna në ligjet kombëtare, do të konsiderohen të interesuara.”

Pretendimi se nuk mund të ankimohen aktet individuale nga ana e publikut të interesuar, është në kundërshtim të hapur me Konventën e Aarhusit dhe me ligjin “Për mbrojtjen e mjedisit”. Nëse shohim veprimtaritë të cilat i nënshtrohen rregullimeve të Konventës së Aarhusit, në Aneksin 1, të kësaj Konvente, bëhet fjalë për veprimtari të cilat miratohen me akte administrative individuale. Së dyti, impiantet e incenerimit dhe vengrumbullimet e

5

mbetjeve janë të parashikuara në këtë aneks. Së treti, Konventa e Aarhusit, parashikon në nenin 6/1/b që fusha e veprimtarisë së saj, shtrihet edhe më tej, kur kjo parashikohet nga legjislacioni kombëtar.

Ligji 10431/2011,l “Për mbrojtjen e mjedisit”, parashikon në nenin 13/2:

“2. Gjatë zgjidhjes institucionale të problemeve të mbrojtjes së mjedisit, autoritetet publike përkatëse sigurojnë që publiku dhe palët e interesuara të kenë mundësi reale për të marrë pjesë në procedurat për identifikimin e gjendjes së mjedisit, hartimin dhe miratimin e strategjive, planeve e të programeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit dhe përbërësit e mjedisit, si dhe në hartimin dhe miratimin e rregulloreve e të akteve me karakter të përgjithshëm, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit, vendimmarrjen për dhënien e lejeve përkatëse të mjedisit, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe me legjislacionin, të cilit ai i referohet.” Paditësit …..janë banorë të Fshatit Vërri siç vërtetohet edhe nga vërtetimet e banimit e depozituara në cilësinë e provës në Gjykatë. Fshati Vërri, është fshati pjesë e Njësisë Administrative Mbrostar, në Bashkinë Fier, ku po ndërtohet objekti impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë.

Po ashtu shoqata “Aleanca Kundër Importit të Plehrave të Rrezikshme”, AKIP, si një organizatë joftimprurëse, legjitimohet për t’ju drejtuar Gjykatës, pasi objekti i veprimtarisë së saj është në përputhje me objektin e padisë. Konkretisht, në Statutin e vet, i cili është depozituar në cilësinë e provës në Gjykatë, në nenin 3 “Qëllimi dhe Fusha e Veprimtarisë” ka të parashikuar: “1.Shoqata ka qëllim dhe mision të saj: ndërgjegjësimin ambiental; sjelljen ndaj ambientit; mbrojtjen dhe ruajtjen e ambientit; edukimin dhe trajtimin e plehrave dhe mbetjeve; marrjen e aksioneve ligjore në të mirë dhe interes të ambientit; nismave qytetare dhe demokratike në mbrojtje të ambientit;”

Paditësit kanë ligjimitet aktiv për t`iu drejtuar me padi gjykatës, si subjekte të interesuara për vendimarrjet mjedisore, për të kërkuar rivendosjen e së drejtës së tyre të pretenduar, si të shkelur apo cenuar nga palët e paditura, pasi vendimet administrative objekt gjykimi të sipërcituara, rrezikojnë të dëmtojnë mjedisin ku ata jetojnë, duke cenuar drejtpërdrejt interesat e tyre që lidhen me mjedisin. Veprimtaria e Inceneratorit dhe Lendfillit është një veprimtari e cila është pjesë e kuadrit të mbrojtjes së mjedisit. Në këto kushte, është vetë aktiviteti i cili është miratuar me dy aktet administrative objekt gjykimi, që ju garanton interesin e ligjshëm paditësve, persona fizikë dhe OJF-së.

 Rrethanat paraprake të çështjes Me Vendimin Nr.40, datë 26.10.2015 Këshilli Bashkiak Fier vendosi që t’i kërkojë Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve shpalljen e emergjencës mjedisore në fushën e Menaxhimit të Integruar të mbetjeve urbane në qarkun Fier. Po ashtu, u vendos që të hartohet dhe realizohet zgjidhja më e mirë teknike e nevojshme për përmirësimin e situatës së krijuar nga strukturat përkatëse të Bashkisë Fier, në sipërfaqen e evidentuar me këto të dhëna, njësia administrative Portëz, Fshati Plyk, Zona Kadastrale 3000, ngastra 8 dhe ngastra 6. Për të njëjtën çështje Këshilli i Bashkisë Fier, merr dy vendime të tjera, një në shkurt 2016, ku saktësohen të dhënat e vendit, duke specifikuar Fshatin Mbyet dhe në tetor

6

2016, ku merret vendim për të nisur procedurat për shpronësimin e kësaj pasurie në fshatin Mbyet. Shoqëria “Bulding Construksion & Green Energy” u paraqit pranë pranë Ministrisë së Mjedisit dhe prezantoi një propozim të pakërkuar, duke paraqitur edhe studimin ekonomiko-financiar, studimin e fizibilitetit, eksperiencat dhe referencat e shoqërive, studimin teknik dhe Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, duke shprehur interes për marrjen me Koncesion/PPP. Me urdhrin nr 751/1, datë 16.12.2015, të Ministrit të Mjedisit, për “ Ngritjen e komisionit për nisjen e pergatitjeve paraprake, hartimin e dokumenteve të tenderit, vlerësimin dhe negocimin e kontratës koncesionare/ppp për dhenien me koncesion të ndërtimit të administrimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhim energjie”, është shqyrtuar propozimi i sipërpërmendur, duke e vlerësuar me bonus prej 10 pikësh. Këshilli i Ministrave, me anë të Vendimit nr. 341, datë 04.05.2016, përcaktoi dhënien e bonusit. Më datë 13.07.2016 është publikuar njoftimi i kontratës si dhe i gjithë dokumentacioni përkatës në sistemin e APP-së si dhe publikuar në Buletinin e APP-së nr.28, datë 18.07.2016. Në hapjen zyrtare të ofertave të paraqitura për procedurën në datë 05.09.2016, Komisioni konstatoi se ishte vetëm një ofertues i cili nuk ishte ai fitues i bonusit. Pas shqyrtimit të dokumentacionit të tij, vendosi kualifikimin dhe më pas shpalljen fitues të këtij të fundit. Ofertuesi fitues ishte Bashkimi i Operatorëve Ekonomik JV “Integrated Technology Services shpk & Energy 2 SRL”. Më datë 15.09.2016 është dërguar për publikim njoftimi i fituesit në buletinin e APP-së dhe është publikuar në buletinin e APP-së nr.38, datë 26.09.2016. Në datë 24.10.2016 u nënshkrua kontrata koncesionare ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë së shpallur fituese. Në 14.11.2016 është publikuar njoftimi i kontratës së nënshkruar në buletinin e APP-së Nr 45, datë 14.11.2016. Më datë 28.07.2016 kompania fituese e tenderit “Integrated Technology Services” e regjistruar për aktivitet në fushen e Teknologjise së Informacionit shton në objektin e aktivitetit të saj edhe ndërtimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve me djegie (Incenerator) dhe landfille për përpunimin e mbetjeve urbane dhe të rrezikshme. Kontrata ka përfshirë: impiantin e përpunimit të mbetjeve dhe prodhimin e energjisë; Impiantin e incenerimit; Impiantin e përpunimit të ujrave të ndotura; landfillin (60,000 m2) dhe impiantet e ndryshme ndihmëse. Ndërtohet dhe operohet për 6 vite nga shoqëria fituese koncesionare. Pas 6 vitesh kalon në pronësi të Autoriteti Kontraktues.

Lidhur me kërkimet e objektit të padisë:

A. Kërkimi i parë i objektit të padisë, është konstatimi i pavlefshmërisë së deklaratës mjedisore. Ky kërkim është mbështetur në bazë të nenit 108/a/ii, K.Pr.Administrative, pasi nuk është respektuar procedura dhe e drejta materiale, e parashikuar në ligjin nr.10440, datë 07.07.2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis” si dhe akteve të tjera ligjore dhe nënligjore, që do trajtohen në vijim.

Shkeljet e dispozitave ligjore në fushën e mbrojtjes së mjedisit që sjellin pavlefshmërinë e Deklaratës së Mjedisit

Kontrata e konçensionit është e formës BOT që do të thotë, kontratë që përfshin ndërtimin, operimin, dhe transferimin e të drejtës së pronësisë dhe operimit, në përfundim të kontratës

7

së konçensionit. Ky projekt i nënshtrohet Procedurës së Thelluar të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, referuar Shtojcës I, pika 9, të ligjit 10440 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis” dhe për të miratohet Deklarata Mjedisore.

1. VNM e thelluar ka përmbajtje të pavërtetë dhe është nxjerrë në kundërshtim me ligjin

Raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis është dokumenti bazë, mbi të cilin mbështetet vendimmarrja lidhur me Deklaratën Mjedisore. VNM e hartuar nga pala e paditur, shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier”shpk nuk i përmbush kriteret ligjore dhe palët e paditura AKM dhe Ministria e Mjedisit duhet të kishin refuzuar miratimin e Deklaratës së Mjedisit.

VNM nuk analizon, trajton, shqyrton, ndryshimin e destinacionit dhe mungesën e dokumenteve ligjore që shoqërojnë këtë ndryshim.

VNM për objektin në fjalë ka përmbajtje që vijnë në kundërshtim dhe ju mungon vërtetësia dhe koherenca. Psh. në fq.51 të VNM-së përcaktohen në një tabelë të gjitha alternativat e terreneve dhe kritere të ndryshme. Nëse shohim për terrenin ku është miratuar leja e ndërtimit që është Mbrostar Ura, përcaktohet se niveli i ujrave nëntokësor është 5m. Ndërkohë në fq.62 thuhet shprehimisht: “niveli i ujit nëntokësor është shumë afër sipërfaqes së tokës”, duke filluar nga 0.5m. E njëjta gjë përsëritet sërish në fq.101 të VNM-së. Nuk kërkohen njohuri të thelluara në fushën specifike, për të kuptuar se nuk mund të ndërtohet një incenerator me një peshë specifike shumë të madhe, në një terren, ku ujërat nëntokësor janë vetëm një gjysmë metri larg sipërfaqes. Mgjt për këtë nuk është dhënë asnjë spjegim në VNM.

VNM e ka përmendur në shumë raste faktin që terreni në të cilin po ndërtohet, është një terren me profil bujqësor. Ndërkohë që është analizuar ndryshimi i destinacionit për truallin përkatës, nuk përmendet fare ndikimi i mundshëm që ky projekt do të ketë mbi tokat e tjera bujqësore që ndodhet në zonë. Në fq.103, pika 5.5.1 thuhet: “Toka mund të ndikohet nga rrjedhjet aksidentale të substancave të rrezikshme si karburantet, lubrifikantët dhe mbetjet e prodhuara gjatë transportit, operacioneve ndërtimore ose të tjera”. Në asnjë rast nuk është trajtuar ndikimi në tokat fqinjë. Referuar ligjit 10440/2011, “Për Vlerësimin e ndikimit në mjedis”, është detyrë e Raportit të VNM-së që të bëjë një vlerësim objektiv të ndikimit që do të ketë projekti në mjedis. Kjo nuk ka ndodhur.

2. Mungesa e dy Deklaratave Mjedisore

Një arsye tjetër se përse Deklarata e Mjedisit është absolutisht e pavlefshme vjen prej faktit, se duhet të ishin miratuar dy Deklarata Mjedisore të ndryshme për Inceneratorin dhe për Landfillin, pasi kuadri ligjor dhe kushtet që duhet të plotësohen janë të ndryshme. Kjo është konstatuar edhe nga Drejtoritë Teknike të Ministrisë së Mjedisit, qëndrim i pasqyruar në shkresën Nr.415 Prot., dt.28.02.2017, vënë në dispozicion nga pala e paditur AKM, është vetë kjo palë që spjegon se mbështetur në raportet e dorëzuara, vërehet se për ngritjen e veprës ka 2 veprimtari:

1. Ndërtimi i impiantit të djegies së mbetjeve urbane për përfitim energjie, i cili i përmbahet kërkesave të parashikuara në VKM Nr.178/2012 “Për incenerimin e mbetjeve”.

8

2. Ndërtimi i lendfillit për depozitimin e Hirit të gjeneruar, për të cilin duhet të respektohen kriteret e VNM-së Nr.452/2012, “Për lendfillin e mbetjeve”, si dhe Udhëzimit Nr.1738, dt.12.03.2015.

Nisur nga sa më lart, sygjerojmë që ky aplikim të zhvillohet dhe të ndahet veç e veç, pasi nuk kanë të njëjtat kushte teknike në ndërtim dhe trajtim të mbetjeve.

Drejtoria e përgjithshme e politikave të mjedisit dhe jetësimit të prioriteteve, me anë të një shkrese që i drejton AKM-së (pa numër dhe datë), vënë në dispozicion nga AKM, e ngre sërish këtë problem dhe evidenton, se nga ana e subjektit nuk janë reflektuar ndryshimet e kërkuara, lidhur me VNM-në për landfill. Ky fakt është anashkaluar tërësisht nga AKM dhe Ministria e Mjedisit, duke miratuar një akt të pavlefshëm, i cili nuk i përgjigjet nevojave të ligjit.

Në rastin e një projekti të ngjashëm në zonën e Sharrës në Tiranë, subjekti ka aplikuar për VNM të thelluar vetëm për inceneratorin.

3. Publikimi i njoftimit për zhvillimin e dëgjesave me publikun nuk është kryer në përputhje me dispozitat ligjore dhe nënligjore.

Sipas VKM Nr.247/2014, Kreu II, pika 6.1. Zhvilluesi i projektit, paralel me njoftimin e AKM-së, realizon, me shpenzimet e veta, informimin për zhvillimin e seancës dëgjimore. Informimi zgjat 20 (njëzet) ditë rresht dhe përfshin: a)publikimin e njoftimit, me informacionin që kërkohet sipas shtojcës I, në median audiovizive e median e shkruar lokale dhe, në rast se projekti ka karakter kombëtar, edhe në median kombëtare; b) vendosjen e një tabele informuese në vendin ku do të zhvillohet projekti, ku njoftimi për dëgjesën publike afishohet për 20 (njëzet) ditë rresht në mënyrë dhe vend të dukshëm; c) ekspozimin e materialeve të dëgjesës në zyrat e NJQV-së përkatëse.

Këto parashikime nuk janë zbatuar, pasi nëse shikojmë përmbledhjen e dëgjesave me publikun, i vetmi informacion i vënë në dispozicon, janë disa letra të afishuara në shtylla në fshat, në një mënyrë aspak profesionale dhe në kundërshtim me ligjin. Nëse do të kishte publikim në mediat lokale të shkruara, apo audiovizive, kjo duhet të ishte provuar, gjë që nuk ka ndodhur.

Po ashtu nuk është respektuar afati ligjor i njoftimit të publikut dhe të subjekteve të tjera të përfshira. Referuar VKM Nr.247/2014, Kreu II, pika 7.1. Seanca dëgjimore me publikun organizohet në një vend të përshtatshëm, sa më pranë vendndodhjes së projektit dhe jo më herët se dita e 30-të kalendarike nga data e njoftimit të AKM-së prej zhvilluesit. Në shtojcën e VNM-së së thelluar për dëgjesat me publikun rezulton vetëm kërkesa për tërheqie të formularit tip për zhvillimin e dëgjesave me publikun, por jo se kur ky subjekt i ka depozituar të gjitha materialet e kërkuara nga ligji dhe VKM 247/2014 në Kreun II të saj.

Për më tepër njoftimi i Bashkisë Fier, Njësia e qeverisjes vendore që është një nga autoritetet publike që organizon dëgjesën me publikun është kryer me shkresën me numër protokolli të zhgarravitur, e depozituar në datë 17.03.2018, pavarësisht datës së shkresës. Pra vetëm 3 ditë përpara zhvillimit të dëgjesave me publikun. Kjo provon se afati 20 ditor, që materialet të jenë të disponueshme, nuk është respektuar.

Në fq.11 të prapësimeve, pala e paditur AKM, pretendon se afati i njoftimit është respektuar. Pretendohet se: “Lajmërimi për këtë dëgjesë publike është kryer në rrugë

9

elektronike nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mjedisit në datë 20.02.2017”. Ky pohim, ka disa probleme:

- Nëse njoftimi është kryer në datë 20.02.2017, atëherë dëgjesa e parë duhet të ishte kryer, të paktën në datë 22.03.2017 (muaji shkurt 2017 ka 28 ditë);

- Në datë 20.02.2017 shoqëria ka aplikuar për të tërhequr formularin tip të nevojshëm për zhvillimin e konsultimit me publikun;

- AKM nuk ka paraqitur asnjë provë në mbështetje të këtij pretendimi;

- Krahas njësisë konkrete që është Bashkia Fier, edhe Bashkia Patos, Bashkia Roskovec, Bashkia Mallakastër, Bashkia Lushnje dhe Bashkia Divjakë, janë njoftuar në datë 17.03.2017, 3 ditë përpara zhvillimit të dëgjesës me publikun.

- Shtojca e kontratës, që është edhe i vetmi dokument që bën përpjekje për të legjitimuar ndryshimin e vendit të ndërtimit të objektit, nga Portëza në vendin aktual, është nënshkruar para noterit në datë 22 shkurt 2017. Pra dy ditë, përpara se të kryhej njoftimi i supozuar nga ana e subjektit

Duke pasur parasysh që raporti, së bashku me dokumentet shoqëruese është një material shumë voluminoz, njoftimi në këto afate është jo efektiv dhe nuk përputhet me qëllimin e ligjit, duke sjellë pavlefshmërinë e vendimarrjes mjedisore.

4. Procesi i Informimit të Publikut nuk është zhvilluar në përputhje me ligjin

“Neni 17, i ligjit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, përcakton:

1. AKM-ja, gjatë procedurës së VNM-së së thelluar, zhvillon seancë dëgjimore me publikun dhe OJF-të e interesuara, duke synuar tërheqjen e mendimit të tyre në vendimmarrjen përfundimtare për projektin.

2. Seanca dëgjimore zhvillohet në bashkëpunim edhe me njësinë e qeverisjes vendore dhe me zhvilluesin e projektit.

3. Menjëherë pas përcaktimit të vendit, datës dhe orës për zhvillimin e seancës dëgjimore, njësia e qeverisjes vendore bën njoftimin drejtuar publikut dhe OJF-ve të interesuara për të marrë pjesë në takim.

4. Mendimi dhe komentet e publikut e të OJF-ve, të pranishëm në takim, janë kriter i domosdoshëm, gjatë procesit të vendimmarrjes së VNM-së.”

VKM nr.247, dt.30.04.2014 “Për përcaktimin e rregullave, të kërkesave e të procedurave për informimin dhe përfshirjen e publikut në vendimmarjen mjedisore”, përcakton ne kreun II, Informimi, Konsultimi dhe dëgjesa publike gjatë procedurës së thelluar të VNM, tre faza kryesore:

1. Informimin e publikut për projektin e propozuar dhe marrjen e mendimit të tij në fazen e përcaktimit, të çështjeve që do të trajtohen në raportin e thelluar të VNM-së, shoqëruar me sqarimet për procedurën në zbatim. Lidhur me kete pike, nga dëgjesa rezulton se banoret ankohën per faktin se nuk e njohin kete proces. Neni 6 i Konventës së Aarhusit thekson se, njoftimi i publikut për vendimarrjen e një aktiviteti specifik, duhet të bëhet herët, në fillimin e procesit, duhet të bëhet në mënyrën, kohën e duhur, si dhe të jetë efektiv. Pra pjesëmarrja e publikut duhet të jetë reale dhe jo thjesht një formalitet.

2. Për të mundësuar marrjen e mendimit nga publiku dhe OJF, AKM Brenda 5 ditëve nga data e marrjes se kërkeses nga zhvilluesi, publikon ne faqen e saj te internetit per 20 dite

10

rresht, informacionin e plotë të paraqitur nga zhvilluesi. Paralelisht, është po detyrë e AKM-së të njoftojë zhvilluesin lidhur me kërkesat per raportin e thelluar te VNM-së, ku perfshihen edhe kërkesat e bera nga publiku. Subjekti detyrohet që të kryejë:

a. Publikimin e informacionit te plotë për projektin që është paraqitur në AKM, ekzpozimin e informacionit që disponon për projektin në një zyrë të posaçme, në zonën ku poropozohet projekti, ose në zyrën e njësisë së qeverisjes vendore.

b. Anketim direkt të publikut të qendrave të banuara në zonën e ndikimit të mundshëm të projektit në mjedis dhe këtu nuk bëhet fjalë për një opcion të dytë anketimi, por si një kërkesë e dytë në vijim të së parës.

c. Gjatë publikimit dhe anketimit, sqarimin nga zhvilluesi të qëllimit dhe përcaktimin e mënyrës se kontaktit ku mund të dërgohen mendimet (adresën postare, numrin e telefonit, dhe postën elektronike)

Nuk është paraqitur asnjë provë, që vërteton se këto detyrime janë përmbushur.

Për më tepër është detyrim ligjor i zhvilluesit, që të dokumentojë materialet e përdorura dhe evidencat përkatëse te procesit te informimit dhe konsultimit me publikun, duke i paraqitur ato si pjesë e dokumentacionit të aplikimit per Deklaratën mjedisore, konkretisht:

1. Informimin e publikut per komunikimin që AKM bën me zhvilluesin për çështjet qe duhet te trajtohen ne raportin e thelluar te VNM-së.

2. Informim, ndërgjegjësim dhe konsultimin e publikut, nga ana e zhvilluesit gjatë hartimit të raportit të thelluar të VNM-së.

3. Informimin dhe përfshirjen e publikut për organizimin dhe realizimin e dëgjesës publike.

4. Informimin e publikut dhe marrjen e mendimit te tij nga AKM në fazën e shqyrtimit dhe miratimit te Deklaratës Mjedisore.

Në rastin konkret publiku jo vetëm që nuk ka dhënë mendim, por autoritetet publike kompetente, nuk i kanë dhënë mundësinë, informacionin, afatin e duhur, për të dhënë mendimin e tij.

5. Bashkia Fier nuk është pjesëmarrëse në proces

Bashkia Fier është njësia e qeverisjes vendore në të cilën do të realizohet projekti. Si e tillë ajo referuar ligjit Nr.10440 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, si dhe akteve të tjera nënligjore, duhet të ishte një ndër institucionet më aktive në procesin e informimit dhe konsultimit publik. Neni 17(2), i ligjit në fjalë parashikon se seanca dëgjimore me publikun gjatë procedurës së VNM-së së thelluar, zhvillohet në bashkëpunim edhe me njësinë e qeverisjes vendore dhe me zhvilluesin e projektit. Po ashtu në pikën 3 përcaktohet se: “Menjëherë pas përcaktimit të vendit, datës dhe orës për zhvillimin e seancës dëgjimore, njësia e qeverisjes vendore, bën njoftimin drejtuar publikut dhe OJF-ve të interesuara, për të marrë pjesë në takim.”

VKM Nr.247/2014, në Kreun II i ngarkon njësitë e qeverisjes vendore me një sërë detyrimesh. Konkretisht pika 4.4, parashikon se: “Njësia e qeverisjes vendore ka këto përgjegjësi: a) Publikon në ambientet dhe faqen e saj elektronike njoftimin përkatës për dëgjesën publike; b) Ekspozon pranë zyrave të saj kopjet e përmbledhjes joteknike të raportit të VNM-së; c) Bashkëpunon me zhvilluesin, duke i ofruar adresa e kontakte që

11

disponon të OJF-ve dhe palëve që mund të kenë interes për dëgjesën publike; ç) Nxit përfshirjen e komunitetit në pjesëmarrjen për dëgjesën publike; d) Merr pjesë në ditën e zhvillimit të dëgjesës publike.

5.3. ARM-ja, brenda 3 (tri) ditëve nga data e marrjes së njoftimit prej AKM-së, komunikon me NJQVnë në zonën ku propozohet projekti, duke i dërguar një kopje të plotë të informacionit që ka marrë prej AKM-së, si dhe e informon për përgjegjësinë që ka në: a) publikimin dh e afishimin e njoftimit për dëgjesën publike; b) ekspozimin e përmbledhjes joteknike të raportit të thelluar të VNM-së, pranë zyrave të NJQV-së; c) garantimin e pjesëmarrjes së stafit përkatës të NJQV-së në dëgjesën publike; ç) nxitjen e komunitetit për pjesëmarrje në dëgjesën publike.

5.5. Zhvilluesi, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e njoftimit që i bën AKM-së sipas pikës 5.1, dërgon në NJQV të paktën 100 kopje të shtypura të përmbledhjes joteknike të raportit të VNM-së.

6.4. NJQV-ja, brenda 3 (tri) ditëve nga data e njoftimit të ARM-së, sipas pikës 5.3., kryen këto veprime: a) Afishon në mjediset e saj, deri në datën e mbajtjes së seancës dëgjimore, njoftimin për dëgjesën publike; b) Publikon në faqen e saj elektronike njoftimin dhe përmbledhjen joteknike të raportit të thelluar të VNM-së; c) Ekspozon në zyrën e saj kopje të shtypura të raportit të thelluar të VNM-së dhe të përmbledhjeve joteknike të tij.”

Fakti që Bashkia Fier është njoftuar nga zhvilluesi në datën 17 mars 2018, për një dëgjesë publike që do të zhvillohej në datë 20 mars 2018, është provë e pakundërshtueshme se Bashkia Fier nuk ka përmbushur asnjë prej detyrimeve të parashikuara në ligjin 10440/2011 lidhur me procesin e informimit dhe konsultimit të publikut të interesuar.

E rëndësishme të theksojmë se në proces, nga ana e AKM-së, autoriteti që mbikqyr respektimin e ligjit gjatë kësaj faze, nuk u paraqit asnjë provë që të vërtetonte të kundërtën e këtyre pretendimeve.

6. Konsultimi i publikut nuk është zhvilluar në përputhje me ligjin

Siç e spjeguam më sipër, banorët në pamundësi për t’u njohur në kohën dhe në format e duhura me projektin. Nga ana tjetër, edhe prezantimi që zhvilluesi i ka bërë projektit nuk ka qenë i qartë lidhur me ndikimet dhe efektet negative që ky projekt do të ketë në mjedis, çka do të thotë që nuk i është servirur publikut në mënyrën e duhur. Gjithashtu raporti Teknik, flet për efekte në shëndetin e popullsisë që jeton afër vendndodhjes së projektit. Nje alternativë e sygjeruar është edhe zhvendosja e banorëve të zonës afër. Për këtë alternativë nuk është llogaritur asnjë kosto shtesë, apo zgjidhje si nga pikëpamja mjedisore, ashtu edhe ajo ekonomike dhe sociale.

Drejtoria Rajonale Mjedisore Fier i ka shprehur nëpërmjet shkresës Nr.860 Prot, dt.13.04.2017, AKM-së, qëndrimin e saj lidhur me projektin. Kjo shkresë ka rëndësi për dy elementë, pasi në këtë shkresë pranohet që konsultimi nuk është zhvilluar, shprehimisht: “për rrjedhojë konsulta nuk u zhvillua”.

Së dyti, kjo shkresë në përmbajtje shpreh mendim negativ lidhur me ndërtimin e projektit, pavarësisht se në fund shprehet parimisht dakord.

Si përfundim informimi dhe pjesmarja e publikut në VNM, ka qenë fiktive dhe jo ezauruese nga të gjitha subjektet pjesëmarrëse.

12

7. Deklarata Mjedisore nuk plotëson kushtet e ligjit Nr.10440/2011 dhe të VKM-së nr.686, dt.29.07.2015

Nga shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur nga ana e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit si dhe referuar bazës ligjore, VKM nr.686, date 29.07.2015 “Për miratimin e rregullave, te përgjegjësive, e afateve të zhvillimit të procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe procedures se transferimit te vendimit te deklaratës mjedisore”, konstatohet se: Deklarata Mjedisore e lëshuar nga Ministri i Mjedisit është ne mungese te kërkesave të formatit sikurse parashikon po kjo VKM. Neni 6 i ligjit Nr.10440/2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, parashikon se: “Deklarata mjedisore”, është dokumenti zyrtar i lëshuar nga ministri, për vlerësimin mjedisor të projekteve që i nënshtrohen vlerësimit të thelluar të ndikimit në mjedis dhe shërben si dokument orientues për autoritetin e planifikimit dhe/ose çdo autoritet përgjegjës në procesin e vendimmarrjes, për një leje zhvillimi apo për një leje të caktuar.”

Sipas nenit 12 të ligjit Nr.10440/2011, në përfundim të procedurës së thelluar të vlerësimit të ndikimit në mjedis, ministri lëshon deklaratën mjedisore, e cila mund t’i sugjerojë autoritetit planifikues:

a) miratimin e lejes së zhvillimit të atij projekti, pa asnjë vërejtje nga pikëpamja mjedisore;

b) miratimin e lejes/licencёs së zhvillimit të atij projekti, me kushtet që duhet të përmbushen nga zhvilluesi, pёr tё parandaluar, minimizuar dhe menaxhuar ndikimet negative nё mjedis;

c) refuzimin e kërkesës për leje/licencё zhvillimi për atë projekt, pёr shkak tё ndikimeve tё rёndёsishme negative nё mjedis me pasoja afatgjata, qё dёmtojnё cilёsinё e mjedisit dhe nuk mundёsojnё pёrmbushjen e standardeve mjedisore pёrkatёse.

2. Në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 të këtij neni deklarata përmban:

a) qëndrimin e ministrisë dhe, sipas rastit, kushtet që duhet të përmbushen nga zhvilluesi;

b) konfirmimin se ministria ka marrë në shqyrtim mendimet e shprehura nga publiku dhe institucionet përkatëse, si dhe shkallën e reflektimit të tyre;

c) informacion për procesin e realizuar të konsultimit me publikun;

ç) arsyet dhe konsideratat kryesore, ku është mbështetur mendimi;

d) përshkrimin, sipas rastit, të masave kryesore që duhen marrë për të shmangur, reduktuar e, nëse është e mundur, për të korrigjuar efektet negative të rëndësishme.”

Referuar dispozitës më sipër, rezulton se Deklarata duhet të ketë përmbajtje të qartë, pra duhet që autoriteti kontraktues të marrë një sygjerim nga Ministria e Mjedisit lidhur me miratimin apo jo të ndërtimit. Në rastin konkret, Deklarata është evazive, me përmbajtje të paqartë dhe megjithëse evidenton një numër të konsiderueshëm shkeljesh mjedisore, nuk sygjeron zgjidhjen e tyre në përputhje me detyrimet ligjore.

Formati i Deklaratës detyron ministrinë/AKM, në piken 2 te saj te konfirmoje se ka marrë në shqyrtim mendimet e shprehura nga publiku dhe institucionet përkatëse, si edhe shkallën e reflektimit të tyre. Ne fakt, Deklarata mjedisore, e ka anashkaluar totalisht këtë pikë te formatit, duke mos u shprehur për të. Kështu në pikën 2 të Deklaratës së lëshuar nga AKM, me titull “Informacion për procesin e realizuar të konsultimit me publikun”, qe ne fakt i përket pikës 3 të formatit të Deklaratës, bashkëlidhur VKM së sipërcituar, permendet se: “Gjatë konsultimeve të kryera, përfaqësues të shoqërisë dhe grupit të punës që ka hartuar dosjen e aplikimit për Procedurë të thelluar të VNM, kanë dëgjuar me shumë interes

13

vërejtjet, ankesat dhe sygjerimet e të pranishmeve dhe i kanë reflektuar ne raportin perfundimtar të VNM-së”. Por se në çfarë mase/shkalle këto ankesa dhe sugjerime jane integruar ne raport deklarata nuk shprehet. Më poshtë, në po të njëjtën deklaratë, dhe në të njëjtin seksion, theksohet se: “banorët e zonës të pranishëm në konsultim, nuk kanë firmosur procesverbalet dhe madje shprehin mendimet e tyre kundër instalimit të këtij impianti, duke pretenduar se impianti në fjalë do të sjellë pasoja negative në mjedis e në shëndetin e tyre.” Për më tepër, deklarata thekson, se pakënaqësia e tyre është shprehur me disa protesta përpara godinës së Bashkisë së Fierit”. Kjo do të thotë, se vetë deklarata, është haptazi kontradiktore në citimet e saj. Publiku në rastin konkret, ka kundërshtuar ndërtimin e një incineratori. Kjo jo vetëm qe nuk është shprehur ne piken 2, e cila duhej te ishte pjese e formatit, por është konsideruar vetem se sugjerimet dhe ankesat figurojne te pasqyruara ne raportin e thelluar te VNM-së. Në një rast të tillë, do të ishte detyrim i ministrisë dhe AKM të shpjegonte në deklaratë, se përse vendimi i saj vjen qartazi në kundërshtim me opinionin e publikut, sikurse do të duhej një vendimmarrje e motivuar me argumente ligjorë dhe teknikë, për mos marrjen e opinonit të publikut në konsideratë.

Në vijim, Deklarata Mjedisore në formatin e saj, kërkon të përcaktohen arsyet dhe konsideratat kryesore ku është mbështetur vendimi. Arsyet dhe konsideratat kryesore mbi të cilat bazohet vendimmarrja, nuk janë në asnjë rast, konsiderata mjedisore, por ato bazohen vetem në 2 akte ligjore:

- Shpallja fitues i Konçensonionit/Partneritet publik Privat nga vetë Ministria e Mjedisit;

- VKM-në e shpronësimit të pronareve per arsye te interesit publik.

Përveç faktit që argumentet ligjorë nuk mund të jenë vetëm këty dy akte, çka është më e rëndësishme, është fakti që këto dy dokumente flasin për dy vende të ndryshme të ndërtimit të objektit. Si rezultat, deklarata Mjedisore nuk duhet të ishte miratuar.

Konsiderata dhe arsyet e mbështetura ne raportin e thelluar të VNM, apo impaktet që ky raport përshkruan, qoftë në drejtim të impaktit në mjedis dhe qoftë të atij njerëzor, janë anashkaluar plotësisht. Kjo do të thotë, që vetë Deklarata e lëshuar dhe procedura e ndjekur nga ministria/AKM, nuk ka marrë në konsideratë asnjë nga kriteret ndihmëse të parashikuara në VKM NR.686, të cilat synojnë /ndihmojnë në shqyrtimin e raportit të thelluar të VNM-së dhe në hartimin e Deklaratës mjedisore. (Shtojca 3 e VKM-së).

Në referencë të VKM Nr.686, date 29.7.2015, në kreun II, Zhvillimi ï procedures se thelluar te VNM-së, pika 4.a AKM brenda 10 ditëve kalendarike nga data e marrjes së aplikimit dhe dokumentacionit shoqërues:

I kërkon zhvilluesit me shkrim plotësimin e informacionit që mungon duke dhënë edhe arsyetimin përkatës, kur konstanton se nuk mund të marre vendimin për arsye se informacioni i dorëzuar nga zhvilluesi nuk është i plotë apo i qartë, duke vënë në dijeni edhe Ministrinë. Duke qene se informacioni apo sugjerimet e komentet e bera ne fazat e mëparshme jane te nje rëndësie themelore, AKM duhet t’i kërkonte zhvilluesit plotësimin e raportit në fjalë.

Formulimi i përgjithshëm, krijon konfuzion në përmbajtje të Deklaratës, duke cenuar edhe vlefshmërinë e saj. Kështu, duke mos përmendur mungesat ne raport, nuk kuptohet lidhja që kane kushtet e parashikuara në këtë deklaratë, të cilat mbeten shumë të përgjithshme, me vetë raportin dhe ndikimet që ky i fundit ka paraqitur në të. Vetë ligji “Për Vlerësimin e

14

Ndikimit në Mjedis”, në nenin 17 të tij shprehet se, mendimet dhe komentet e publikut dhe të OJF-ve janë/përbëjnë kriter të domosdoshëm gjatë procesit të vendimmarrjes së VNM-së.

8. Deklarata Mjedisore është miratuar duke shkelur ligjin Nr.10463, dt.22.09.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”

Qeveria Shqiptare ka vendosur t’i djegë plehrat në vend që t’i riciklojë ato. Ky vendim që bie në kundërshtim me legjislacionin shqiptar të menaxhimit të mbetjeve, shumëfishon kostot dhe rrit rreziqet për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve, si rrjedhojë e emetimeve të helmeve të rrezikshme nga djegia dhe mosnjohjes totale të teknologjisë së impiantit të djegjes prej specialstëve Shqiptarë. Ky incenerator bie ndesh me planin kombëtar për menaxhimin e mbetjeve të miratuar nga qeveria shqiptare, i cili i jep përparësi parandalimit, ripërdorimit dhe riciklimit përpara asgjësimit të mbetjeve. Asgjësimi i mbetjeve është i fundit në hierarkinë e menaxhimit të integruar të mbetjeve dhe pasi mbetjet urbane t’i nënshtrohen trajtimeve të tjera, ato pjesë që mbeten, mund të jenë objekt i asgjësimit me djegie. Neni 6 i ligjit 10463/2011, përcakton: “Përparësitë e menaxhimit të integruar të mbetjeve, 1. Përcaktimi i përparësive në ligje, strategji, plane dhe programe të menaxhimit të integruar të mbetjeve të trashëguara apo të atyre që krijohen bëhet duke pasur parasysh hierarkinë e mëposhtme: a) parandalimin e mbetjeve; b) përgatitjen për ripërdorim; c) riciklimin; ç) rikuperime të tjera; d) asgjësimin.”

VKM nr 175, dt 19.01,2011 pika 2 dhe 3 parashtron objektivat e riciklimit:

“2. Deri më 2020-ën, përgatitja për ripërdorimin dhe riciklimin e mbetjeve të tilla, si: letër, metal, plastik dhe qelq nga shtëpitë dhe mundësisht dhe mbetje me origjina të tjera për sa kohë ato janë të ngjashme me mbetjet shtëpiake, do të rritet minimalisht me 50% të peshës së përgjithshme të mbetjeve;

3. deri në 2020-ën përgatitja për ripërdorim, riciklim dhe rikuperim i materialeve të tjera, duke përfshirë operacionet për rimbushje, duke përdorur mbetje për të zëvendësuar materiale të tjera, përfshirë mbetjet nga prishjet dhe nga ndërtimi që nuk janë të rrezikshme, duke përjashtuar materialet me origjinë natyrale, siç janë përcaktuar me kategorinë 17 05 04 në Katalogun Europian mbi Mbetjet, do të rritet minimalisht deri në 70% në peshë.”

dhe në vijim shkruhet:

“Asgjësimi i mbetjeve Hierarkia e menaxhimit të mbetjeve e thekson në mënyrë të qartë faktin që asgjësimi është mënyra e fundit për t’u përdorur, dhe mund të përdoret vetëm në rastet kur mënyrat e tjera të hierarkisë nuk mund të jenë të zbatueshme. Asgjësimi është faza më pak e dëshirueshme e hierarkisë së menaxhimit të mbetjeve për arsye se nëpërmjet asgjësimit humbasin vlerat e materialeve”.

Duke qenë se Deklarata Mjedisore, në zbatim të ligjit Nr.10440/2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, ka si synim kryesor vlerësimin mjedosr të projekteve që i nënshtrohen vlerësimit të thelluar të ndikimit në mjedis, të gjitha sa parashtruam më sipër, duhet të ishin marrë në konsideratë nga palët e paditura AKM dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Si përfundim, nga sa më sipër, mosrespektimi i procedurës së kërkuar nga ligji për miratimin dhe dhënien e dekleratës mjedisore nga ana e palëve të paditura AKM dhe Ministria e Mjedisit, kanë çuar në shkeljen e një sërë parimeve për mbrojtjen e mjedisit si: parimi i zhvillimit të qëndrueshëm, parimin e ruajtjes së burimeve natyrore, parimin e përgjegjësisë së ndërsjelltë dhe bashkëpunimit, parimin e së drejtës së informimit dhe

15

pjesëmarrjes së publikut, parime këto të sanksionuar në ligjin nr.10431 datë 09.06.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit” i ndryshuar.

Palët e paditura, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, prapësuan se nga ana e tyre ishin respektuar dispozitat ligjore. Së pari, me provat e paraqitura në gjykim prej tyre, provohen plotësisht pretendimet e paditësave lidhur me mosrespektimin e procedurave si më sipër. Së dyti, të dyja institucionet nuk arritën të provonin që janë respektuar afatet proceduriale të parashikuara në ligjin për vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe të vërtetonin se banorët ishin njoftuar për konsultimin, dhe se konsultimi ishte zhvilluar në mënyrë efektive dhe reale.

Ligji 49/2012, parashikon në nenin 35 :

“1. Organi publik ka detyrimin të provojë ligjshmërinë e aktit administrativ, kontratës administrative dhe të veprimit tjetër administrativ, të nxjerrë jo me kërkesë të paditësit, si dhe faktet që ai ka parashtruar dhe ka vënë në themel të veprimtarisë së kundërshtuar në gjykatë.”

Palët e paditura AKM dhe MMT nuk arritën të provonin ligjshmërinë e veprimeve të tyre, në miratimin e Deklaratës Mjedisore. Deklarata që procedura është respektuar, e pambështetur në prova përkatëse nuk ka asnjë vlerë. Për më tepër, që pala paditëse në padi, dhe në spjegimet e dhëna në seancë gjyqësore, ka qenë shumë konkrete lidhur me dispozitat ligjore që pretendon se janë shkelur, afate konkrete, procedura konkrete. Pretendime të cilat nuk morën asnjë spjegim nga palët e paditura gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Neni 40 (4), i ligjit 49/2012, parashikon se: “Gjykata vendos rrëzimin e padisë dhe kur vlerëson se, pavarësisht shkeljeve procedurale të konstatuara të veprimtarisë administrative, pasojat do të ishin të njëjta. “ Në rastin konkret shkeljet proceduriale të kryera nga MMT dhe AKM, sjellin pavlefshmërinë e Deklaratës Mjedisore.

4. Mendimi dhe komentet e publikut e të OJF-ve, të pranishëm në takim, janë kriter i domosdoshëm, gjatë procesit të vendimmarrjes së VNM-së.”

* * *

B. Pavlefshmëria e lejes së ndërtimit, kërkohet në bazë të nenit 108/ç të K.Pr.Administrative dhe nenit 39/4 të Ligjit Ligji 107/2014: ‘Lejet e ndërtimit të miratuara në kundërshtim me ligjin dhe dokumentet e planifikimit në fuqi janë absolutisht të pavlefshme.’ Në vijim do të parashtrojmë shkeljet ligjore që sjellin pavlefshmëri të lejes së ndërtimit Nr.15, dt.16.10.2017 të KKT-së.

1. Leja e ndërtimit të projektit është dhënë për një tokë “Arë”

Leja e ndërtimit të Inceneratorit dhe Landfillit, objekt gjykimi është e pavlefshme pasi toka në të cilën po ndërtohet ky projekt, është tokë bujqësore. Kjo vjen në kundërshtim me ligjin Nr.9244, dt.17.06.2004, “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, neni 14: “Ndalohet veprimtaria ndërtimore ne tokat bujqësore, me përjashtim te rasteve te parashikuara ne piken 2 te këtij neni.” Rasti objekt shqyrtimi nuk parashikohet në rastet përjashtimore. Ligji parashikon mundësinë e ndryshimit të kategorisë së tokës, për të kryer ndërtime të caktuara, por ndërkohë në tokë bujqësore të kategorisë së III-të të bonitetit, nuk mund të ndërtohet në asnjë rast Incenerator, e mbështetur kjo në VKM Nr.410, datë 27.06.2012 (e sqaruar në vijim).

16

Pala e paditur KKT ka prapësuar se ka konsideruar tokën truall, pasi në VKM Nr.951, datë 28.12.2016, është vendosur shpronësimi i kësaj prone për interesa publike dhe toka është kategorizuar truall dhe jo arë. Arsyet se përse kjo ka ndodhur dhe shkeljet ligjore të kësaj VKM-je, nuk janë objekt i këtij procesi, por pretendimi se KKT nuk ka parë/analizuar/ vlerësuar/kontrolluar Çertifikatën për Vërtetimin e Pronësisë së lëshuar nga ZVRPP Fier, apo dokumente të tjera, por vetëm VKM-në e shpronësimit, sigurisht që është një prapësim pa mbështetjen e duhur ligjore.

Provat që vërtetojnë se toka ku po ndërtohet është tokë bujqësore ARË:

 Çertifikata për Vërtetimin e pronësisë, për pasurinë Nr.1, ZK 2636, Vol.10, fq.63, lëshuar nga ZVRPP Fier, e paraqitur nga pala e paditur KKT;

 Kartela e pasurisë Nr.1, ZK.2636, Vol.10, fq.63, e lëshuar në datë 27.03.2019, nga ZVRPP Fier, vërteton se kjo pasuri vazhdon të jetë në pronësi të Bashkisë Fier, por çka është më e rëndësishme, kjo pasuri vazhdon të jetë: Arë. Pra pala e paditur, Këshilli Kombëtar i Territorit, ka miratuar një leje ndërtimi të një objekti të rëndësisë specifike siç është Inceneratori dhe Lendfilli, në një tokë, në të cilën ligji e ndalon kategorikisht ndërtimin.

 Me shkresën Nr.7702 Prot., dt.31.08.2017 që ZVRPP Fier i drejton Bashkisë Fier (provë e paraqitur në Gjykim nga KKT), thuhet: “Në përgjigje të aplikimit tuaj me nr.1640 prot., në portalin e-leje, me lëndë “Kërkesë për mendim” për Aplikantin Integrated Technology Waste Treatment Fier dhe zhvilluesin Integrated Technology Waste Treatment Fier, po ju japim statusin juridik si më poshtë:

- Nr.i pasurisë 1, ZK 2636, Vol.10, fq.63, lloji i pasurisë arë, me sipërfaqe 111,564 m2, në emër të Bashkisë Fier, pajisur me çertifikatë pronësie dt.29.08.2017. (Ky është informacioni që është përcjellë pas aplikimit të subjektit për leje ndërtimi nëpërmjet portalit online, pra është në kuadër të procedurave të zhvilluara nga KKT)

2. Nuk janë respektuar dispozitat ligjore për ndryshimin e kategorisë së tokës

Pasqyrimi i tokës në dokumentet ligjore në kategorinë: Arë, nuk është një “lapsus”, por një pasqyrim real i gjendjes së pasurisë, pasi nga dokumentet shkresore, provohet se nuk ka ndryshim të kategorisë së tokës, në përputhje me aktet ligjore përkatëse. KKT ka pasur për detyrim ligjor, jo vetëm të verifikonte kategorinë e tokës, në të cilën ishte aplikuar për një leje ndërtimi për Incenerator dhe Landfill, por edhe të verifikonte dokumentin ligjor të kthimit të tokës në truall. Procedurë e cila rregullohet nga VKM Nr.410, datë 27.06.2012, “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave të ndryshimit të kategorisë së resurseve të tokës”.

Referuar Kartelës Informative të publikuar në faqen e internetit të AZHT-së, sekretariati teknik i KKT, rezulton se subjekti duhet të paraqesë edhe Dokumentin e kthimit në truall të tokës bujqësore (Kartelë informative e vënë në dispozicion të Gjykatës, nëpërmjet Procesverbalit noterial Nr.1289 Rep, dt.13.05.2019). Organet kompetente Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Urban dhe DAMT Fier, pranojnë që nuk është vepruar për ndryshimin e kategorisë së tokës. Në shkresën me Nr.9150/1 Prot., datë 26.10.2018, Ministrisa e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, shprehet se: “1. MBZhR si institucion i ngarkuar me ligj, nuk ka kaluar asnjë akt ligjor lidhur me ndryshimin e kategorisë së resursit “tokë bujqësore” në kategorinë e resursit “tokë urbane” truall, për pasurinë objekt kërkese.

17

2. Referuar informacionit të Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë Këshillit të Qarkut Fier, rezulton se pasuria me numër 1, volum 10, fq.64, zona kadastrale 2636, bën pjesë në zonat e urbanizuara sipas:

 Vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit Nr.5, datë 29.12.2014, “Për identifikimin e zonave të urbanizuara në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe miratimin e hartave ku mund të ndërhyhet në funksion të zhvillimit urban.

 Planit të përgjithshëm vendor të Bashkisë Fier.”

Shkresa e DAMT pranë Qarkut Fier, me Nr.1104/3 Prot., datë 26.10.2018, sërish konfirmon se për këtë pronë nuk është ndjekur procedura për ndryshimin e zërit kadastral mbështetur në VKM Nr.410, datë 27.06.2012, “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave të ndryshimit të kategorisë së resurseve të tokës”.

Në këtë shkresë ka dhe një të dhënë tjetër që vërteton pretendimin tonë, për shkelje flagrante të ligjit përkatës, pasi citojmë: “Mbështetur në të dhënat e kategorisë së tokës bujqësore të kryera nga ish-Instituti i Studimit të Tokave Tiranë para vitit 1990, rezulton se ngastra nr.1, në ish.NB Fier, sektori Nr.5 (Mbrostar Ura) është vlerësuar me 78.32 ballë. Si e tillë është klasifikuar në tokë të kategorisë së tretë.

Nëse analizohet Vendimi i KKT Nr.5, datë 29.12.2014, i cili referohet nga MBZHR si dokumenti që ka kryer ndryshimin e kategorisë së tokës, në pikën 9 të tij përcaktohet: “Konvertimi nga tokë “arë” në “truall” për sipërfaqet brenda zonave të urbanizuara do të bëhet sipas procedurave përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.” Pra ky Vendim, i cili referohet nga të dyja institucionet kompetente, si vendimi i cili ka kryer ndryshimin e kategorisë së tokës, në fakt ka për objekt evidentimin e zonave industriale dhe ndërkohë ai përcakton detyrimin për të respektuar dispozitat ligjore përkatëse, pra në asnjë rast nuk merr përsipër që të bëjë ndryshimin e kategorisë së tokës.

VKM Nr.410, datë 27.06.2012, “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave të ndryshimit të kategorisë së resurseve të tokës” përcakton se, lejohet që një tokë bujqësore të ndryshohet në tokë urbane (truall), vetëm nëse:

1. Bëhet fjalë për tokë të kategorisë V deri në X të bonitetit;

2. Për kategoritë e tokëve I deri në IV, vetëm për ndërtime, në raste të domosdoshme.

Këto raste të domosdoshme janë të përcaktuara në pikën 1 të nenit 11/1 të ligjit nr. 8752, datë 26.3.2001 “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”,

“Në tokat bujqësore të kategorisë së parë, të dytë, të tretë dhe të katërt të bonitetit, miratimi i kalimit të sipërfaqeve për ndërtime bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, vetëm për rastet e domosdoshme, si më poshtë: a) rrugët kombëtare dhe rurale, që lidhin qendrat e banuara me njëra-tjetrën; b) hekurudhat, aeroportet dhe portet detare; c) për shpim, kërkim dhe shfrytëzim të burimeve të naftës dhe gazit; ç) hidrocentralet; d) për varreza publike; dh) në funksion të mbrojtjes kombëtare; e) shtesat e sipërfaqeve në territore, pranë objekteve ekzistuese, me karakter ekonomik dhe prodhues, të ndërtuara në mënyrë të ligjshme, por jo më shumë se sipërfaqja ekzistuese, për zgjerim të së njëjtës veprimtari.”

Ndërtimi i një inceneratori, nuk parashikohet nga kjo dispozitë. Pra në rastin konkret nuk mungon vetëm Vendimi përkatës i Këshillit të Ministrave, por ky vendim nuk do të mund të

18

merrej, përsa kohë ligji e ndalon në mënyrë të shprehur që për tokat e bonitetit III të ndryshohet kategoria.

AZHT pretendon nëpërmjet shkresës 486 Prot., dt.03.02.2019, se ka kryer verifikimin e statusit të tokës, në raport me Vendimin nr.5, dt.29.12.2016 të KKT-së, ku kjo zonë përcaktohet si “Landfill” dhe bën pjesë në kategorinë e përdorimit të tokës “Infrastrukturë”. Së pari, Landfilli nuk është Incinerator. Megjithëse në këtë projekt do të ndërtohen të dyja, kriteret ligjore për të dyja janë të ndryshme. Krahas këtij fakti, vendimi Nr.100, dt.06.12.2016 i Këshillit Bashkiak Fier “Për miratimin e planit të përgjithshëm vendor”, nuk i ka të përcaktuara të dhënat e sakta, se ku parashikohet të ndërtohet inceneratori në këtë zonë. Konkretisht, aty flitet në fq.370 për ndërtimin e një inceneratori, por pa e pozicionuar në mënyrë përfundimtare. PPV i Bashkisë Fier, në dy raste thotë lidhur me pozicionin e ndërtimit të inceneratorit “Për t’u konfirmuar ose për t’u vendosur” (përkatësisht fq.370 dhe fq.400 e Vendimit Nr.5, dt.29.12.2016 të KKT).

Në VKM Nr. 671, datë 29.7.2015, “Për miratimin e rregullores së planifikimit të territorit”, në nenin 93, përcaktohet : 2.Çdo dokument i përgjithshëm ose sektorial planifikimi që parashikon edhe ndryshim të kategorisë së përdorimit të tokës nga bujqësi në përdorime të tjera dhe anasjellas shoqërohet, sipas rastit, me aktet përkatëse të ndryshimit sipas legjislacionit të posaçëm.

3.Procesi i përgatitjes të aktit/akteve përkatëse sipas pikës 2, të këtij neni, mund të kryhet paralelisht me hartimin e dokumentit të planifikimit dhe miratohet nga autoritetet përgjegjëse sipas legjislacionit të posaçëm.

Pra miratimi i propozuar i destinacionit të një sipërfaqeje toke, me anë të një Plani të Përgjithshëm Vendor, nuk sjell automatikisht, ndryshimin e kategorive të resurseve përkatëse për këtë tokë. Si rezultat i shkeljeve të mësipërme të kryera nga KKT, leja e ndërtimit është e pavlefshme.

Lidhur me pretendimin për ndërtim në tokë arë, pala e paditur KKT, prapësoi që nuk kemi të bëjmë me tokë arë, pasi:

1. Në VKM-në e shpronësimit nuk përcaktohet si tokë arë, por si tokë truall;

2. Plani i detajuar vendor e përcakton si zonë industriale, Lendfill.

3. Nuk ka asnjë rëndësi që nuk është pasqyruar ndryshimi i kategorisë së tokës në Çertifikatën e pronësisë.

Të treja këto prapësime, jo vetëm që nuk janë të mbështetura në ligj, por ju mungon edhe koherenca.

KKT, siç u deklarua në disa seanca nga përfaqësuesja e institucionit, mbështetet në dhënien e lejes së ndërtimit në një dokument shumë të rëndësishëm dhe të vetmin dokument ligjor që kërkohet për pozicionimin e tokës, që është Çertifikata e Pronësisë. Ky dokument e humbet rëndësinë dhe vlefshmërinë ligjore, në momentin që përcakton kategorinë “Tokë Arë”, dhe si në raste të tjera, rezulton se dikush në ZVRPP Fier, ka bërë një gabim. KKT e bën vetë korrigjimin e këtyre gabimeve dhe e konsideron tokën truall.

Së dyti, PPV për Bashkinë Fier, përcakton se toka është Lendfill. Lendfilli nuk është incenerator. PPV i Bashkisë Fier, në dy raste thotë lidhur me pozicionin e ndërtimit të inceneratorit “Për t’u konfirmuar ose për t’u vendosur”.

19

Siç, e spjeguam edhe më sipër, vetë KKT, pala e paditur në Vendimin Nr.5, datë 29.12.2014, përcakton se pavarësisht përcaktimeve të këtij vendimi, duhet të respektohet procedura ligjore për ndryshimin e kategorive të tokës. Së fundmi, në këtë tokë nuk mundet kurrsesi të ndërtohej një Incenerator, pasi është e ndaluar në mënyrë taksative nga Ligji për mbrojtjen e tokës bujqësore.

KKT duhet t’i kërkonte subjektit aplikues për leje ndërtimi edhe vendimin e ndryshimit të kategorisë së tokës. Kjo përcaktohet në listën e dokumenteve që duhet të paraqiten për të marrë leje ndërtimi. (Procesverbali noterial Nr.1289 Rep, dt.13.05.2019)

3. Mungon Leja e Zhvillimit

Dispozitat ligjore duhet të interpretohen në kompleksitet me njëra-tjetrën dhe jo të izoluara. Ky parim i rëndësishëm, vlen veçanërisht për projekte komplekse dhe të rëndësisë së veçantë, siç është ndërtimi i një Inceneratori dhe Landfilli. E theksuam këtë parim, pasi gjatë seancave përgatitore, pala e paditur KKT, është përpjekur që ta izolojë përgjegjësinë e saj në kontrollin formal të disa dokumenteve, duke lënë mënjanë faktin se KKT është organ vendimmarrës dhe jo sportel aplikimi.

Projekti që është objekt i këtij shqyrtimi gjyqësor, që parashikon ndërtimin e një landfilli prej 60,000 m2 dhe të një Inceneratori, i dyti në vendin, tonë, por i pari për nga kapaciteti, është miratuar pa pasur një leje zhvillimi dhe kjo është në kundërshtim me ligjin 107/2014, “Për planifikimin e territorit” dhe me Kontratën e Konçensionit BOT.

Nëpërmjet shkresës Nr.214 Prot., dt.18.01.2019, të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, deklarohet se nuk është e nevojshme që të miratohet leja e zhvillimit. Për këtë i referohen nenit 9, i cili e lidh Lejen e Zhvillimit, vetëm me autoritetet vendore. Në fakt, neni 28 kur flet për kompetencat e KKT-së parashikon se është autoriteti përgjegjës për vendimmarrjen për leje zhvillimi dhe leje ndërtimi.Baza ligjore e këtij pretendimi:

Ligji 107/2014 , “Për planfikimin dhe zhvillimin e territorit”

Neni 3

16. “Leje ndërtimi” është akti i miratimit të kërkesës për leje ndërtimi dhe i lejimit të punimeve përkatëse.

17. “Leje zhvillimi” është akti i përcaktimit të kushteve zhvillimore për një parcelë/pronë të caktuar, që shërben si bazë për pajisjen me leje ndërtimi.

Neni 28

Përgjegjësitë e KKT-së

1. KKT-ja është autoriteti përgjegjës për vendimmarrjen për leje zhvillimi dhe leje ndërtimi për llojet e zhvillimit komplekse, të përcaktuara në rregulloren e zhvillimit dhe ato që lidhen me çështje, zona, objekte të rëndësisë kombëtare apo me investime strategjike për interesat e vendit.

Në një pjesë të dokumenteve ligjore, të detyrueshme për shoqërinë konçensionare, por edhe për autoritetet publike, si: Kontrata Konçensionare, Deklarata Mjedisore, kërkohet nga autoriteti kompetent që të miratohet leja e zhvillimit, si një filtër paraprak për plotësimin e kushteve ligjore për objektin që po kërkohet të ndërtohet. Argumentet, se përse duhet të ishte miratuar leja e zhvillimit për këtë projekt:

20

1. Në PPV përcaktohet se zona është “Landfill” dhe jo incenerator. Pra në çdo rast, do të ishte e nevojshme që të miratohej Leja e Zhvillimit për ndërtimin e inceneratorit.

2. Duke anashkaluar miratimin e lejes së zhvillimit, KKT ka hequr çdo mundësi për të reflektuar edhe ato sygjerime që janë bërë nga Ministria e Mjedisit dhe AKM në deklaratën mjedisore. Deklarata mjedisore i sygjeron autoritetit kontraktues: “Miratimi i lejes/licensës së zhvillimit të atij projekti, me kushtet që duhet të përmbushen nga zhvilluesi, për të parandaluar, minimizuar, dhe menaxhuar ndikimet negative në mjedis.” (fq.2 e Deklaratës Mjedisore)

3. Neni 12 i ligjit Nr.10440/2011, përcakton se Ministri i Mjedisit, kur harton Deklaratën Mjedisore, sygjeron: miratimin, miratimin me kushte, apo refuzimin e miratimit të Lejes së Zhvillimit dhe jo të lejes së ndërtimit.

4. Kontrata detyron subjektin ndërtues, konçensionarin që të marrë leje zhvillimi. Konkretisht, në pikën 6.7. të kontratës parashikohet:

6.7.1 “Pas nënshkrimit të kontratës, por përpara paraqitjes së kërkesës për Leje Zhvillimore, Konçensionari duhet të paraqesë kërkesën për Deklarata Mjedisore.”

6.7.2 Konçensionari duhet t’i paraqesë Autoritetit kontraktues, kërkesën për leje zhvillimi e duke bashkangjitur të gjithë dokumentacionin e kërkuar për raste të tilla, jo më vonë se 4 muaj pas mbylljes financiare.

6.7.3. Brenda 1 muaji nga data kur ka marrë Lejet e Zhvillimit, konçensionari fillon procedurat për t’i dorëzuar Autoritetit Kontraktues, një raport mjedisor, social, shëndetësor, dhe sigurisë në kohën e duhur.

6.7.4. Brenda 6 muajsh nga data kur ka marrë Lejet e Zhvillimit, konçensionari paraqet tek autoriteti kontraktues projektin e detajuar të ekzekutimit.

Kjo vijohet më tej, në pikën 10.6 të kontratës, ku parashikohset shprehimisht se:

a. … Aplikimi për pajisjen me leje ndërtimi, do të kryhet brenda 10 ditëve nga data e miratimit të projekt-zbatimit përfundimtar nga Autoriteti Kontraktues.

Kontrata ka qenë pjesë e dosjes së aplikimit për leje ndërtimi, sipas pohimeve të vetë palës së paditur KKT dhe të faktit që Aneksi i Kontratës është paraqitur në cilësinë e provës nga vetë pala e paditur. Në këto kushte KKT si organi kompetent duhet të kishte miratuar lejen e zhvillimit dhe pasi të plotësoheshin kushtet ligjore, të miratonte lejen e ndërtimit.

Pala e paditur KKT prapësoi se Leja e Zhvillimit nuk është e detyrueshme për çdo projekt. Në fakt, paditësi në asnjë moment nuk ka pretenduar këtë gjë, pasi ligji është mjaft i qartë. Paditësit pretendojnë se Leja e Zhvillimit ka qenë e detyrueshme për këtë projekt, pasi: është kusht i përcaktuar në kontratën e konçensionit; kërkohet nga deklarata mjedisore dhe mungon një përcaktim në PPV të Bashkisë Fier, lidhur me vendin se ku do të ndërtohet inceneratori.

4. Dokumentet shoqëruese të aplikimit për leje ndërtimi janë në kundërshtim me ligjin

Ky argument është i mbështetur në VKM Nr. 408, datë 13.5.2015, “Rregullorja e zhvillimit te territorit”, Neni 25:

Shqyrtimi i kërkesave për leje ndërtimi që miratohen nga KKT-ja

1. Kërkesa për leje ndërtimi nga KKT-ja paraqitet për shqyrtim:

21

a) përmes ngarkimit on-line të saj dhe dokumentacionit shoqërues në portalin përkatës, sipas procedurës së përcaktuar në të;

b) përmes depozitimit të saj dhe të dokumentacionit shoqërues pranë Sekretariatit të Këshillit Kombëtar të Territorit.

2. Sekretariati shqyrton kërkesat për leje ndërtimi nga ana formale, brenda 5 ditëve nga data e paraqitjes së tyre, sipas ligjit dhe legjislacionit sektorial në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

3.Sekretariati i KKT-së bashkërendon procesin e shqyrtimit teknik me institucionet e tjera publike kompetente, përfshirë autoritetin vendor përkatës, dhe verifikon përputhshmërinë ligjore dhe me dokumentet e planifikimit.

4.Ministria përgjegjëse e linjës dhe institucionet përkatëse të varësisë shqyrtojnë përputhshmërinë me politikat, strategjitë e legjislacionin sektorial dhe kriteret teknike të veçanta për objektin përkatës.

5. Sekretariati i KKT-së bashkërendon punën në një proces të mbyllur me të gjitha autoritetet përgjegjëse për shqyrtimin teknik, përmes regjistrit dhe komunikimit elektronik.

6. Në rast se gjatë periudhës së shqyrtimit teknik, si rezultat i proceseve të bashkërendimit dhe verifikimit, vërehen kundërshti apo mangësi, autoriteti përgjegjës përkatës njofton, kur është rasti, kërkuesin për plotësim dokumentacioni apo rishikim të projektit.

7. Brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për leje ndërtimi dhe bazuar në raportin e vlerësimit teknik në regjistër, KKT-ja vendos për:

a) miratimin e lejes së ndërtimit; b)refuzimin e lejes së ndërtimit; c) miratimin me kusht

Neni 7, i ligjit 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”

Pranë Këshillit Kombëtar të Territorit funksionon sekretariati teknik i këtij këshilli, i cili ka përgjegjësi:

a) për të organizuar mbledhjet e KKT-së;

b) për të përgatitur dokumentacionin që shqyrtohet në fushën e planifikimit dhe të zhvillimit të territorit;

c) për të administruar dokumentacionin e sipërpërmendur.

Detyrat e këtij sekretariati kryhen nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit. Duke qenë se nga ana e palës së paditur KKT, është refuzuar në mënyrë të vazhdueshme vënia në dispozicion e dokumenteve, që janë pjesë e aplikimit për lejen e ndërtimit, apo qoftë edhe të inventarit të kësaj dosjeje, me anë të Procesverbalit noterial Nr.1289 Rep, dt.13.05.2019, është kryer verifikimi i faqes së internetit të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, autoriteti publik, i cili ushtron detyrat e sekretariatit teknik të KKT-së. Referuar dokumentit, Kartelë Informative, si dokumente të nevojshme për marrjen e lejes së ndërtimit janë:

- Licencat profesionale të projektuesve;

- Kontrata, konçensioni apo Lejet që i janë dhënë zhvilluesit për aktivitetin;

- Deklaratë noteriale;

- Çertifikata e pronësisë;

- Dokumenti i kthimit të truall të tokës bujqësore;

- Vendim për heqjen nga fondi pyjor;

22

- Miratimi për infrastrukturat inxhinierike në zonë;

- Preventivi i realizimit të punimeve; grafiku i punimeve dhe organizimi i procesit të punës; Plani i organizimit të punimeve.

- Studim gjeologo-inxhinierik dhe sizmologo-inxhinierik.

- Oponencë teknike nga Instituti i Ndërtimit për projektin…

- Etj. …

Në fq.13 të Kontratës së Konçensionit, përcaktohen se cilat janë Anekset e kontratës:

 Aneksi I, Dokumentat Standrte të Procedurës Përzgjedhëse Konkurruese;

 Aneksi II, Oferta

 Aneksi III, Plan Biznesi dhe studimet e fizibilitetit (teknik, ekonomiko financiar dhe mjedisor)

 Aneksi IV, Grafiku i punimeve

 Aneksi V, Pagesat e drejtpërdrejta

 Aneksi VI, Karakteristikat e Impiantit

 Aneksi VII, Plani dhe Koordinatat e sheshit

 Aneksi VIII, Projekti teknik.

Pika 1.2 e kontratës, (d), parashikon: “Shtojcat, tabelat dhe Anekset e kësaj kontrate, do të përbëjnë pjesë integrale të kësaj kontrate.”

Pikërisht mbështetur mbi këto dokumente dhe mbi faktin e provuar gjatë gjykimit, që Kontrata e Konçensionit ka qenë pjesë e dosjes së aplikimit për lejen e ndërtimit, paditësit paraqesin këto kundërshtime:

a. Studimi i fizibilitetit për vendin ku po realizohet objekti mungon

Studimi i fizibilitetit, është kryer për një vendndodhje tërësisht të ndryshme. Ky studim kërkohet nga VKM Nr.575, datë 10.07.2013, “Mbi miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik/privat”. Janë kryer dy studime fizibiliteti, prej subjektit ndërtues dhe prej MIE, maj 2016. Të dyja këto studime, flasin për ndërtimin e inceneratorit në një tokë publike, në njësinë administrative Portëz, në fshatin Pyk. Si rezultat, të gjitha të dhënat dhe analizat mjedisore dhe sociale janë të pasakta, pasi janë kryer në një territor të ndryshëm nga ai ku është dhënë Deklarata Mjedisore dhe më pas është dhënë leja e ndërtimit. Në fq.3 të Studimit të Fizibilitetit përcaktohet shprehimisht se: “Qëllimi i këtij studimi është vlerësimi i vendit të përzgjedhur dhe propozimi i kritereve dhe kushteve teknike dhe mjedisore, që duhet të përmbushë ky imjant lidhur me aktivitetin primar, por edhe në përmbushje me normativat dhe rregullat e përcaktuara me ligj”.

Një studim prej 75 faqesh, i cili ka për synim të argumentojë vlefshmërinë e projektit, rreziqet e tij., pjesë e dosjes së miratimit të ndërtimit të projektit, është tërësisht i pavlerë, pasi i referohet një pasurie të ndodhur në fshatin Portëz dhe për asnjë moment, nuk flet për pasurinë e ndodhur në Mbrostar-Ura. Sipas studimit të fizibiliteti të kryer nga subjekti ndërtues, rezulton të jetë kryer:

- Vlerësimi i rrezikut sizmik (fq.6–7)

- Studimi i kushteve gjeologo-inxhinierike (fq.7–8)

23

Duam të citojmë për efekt të rëndësisë që paraqet ky studim në tërësi, një prej rekomandimeve të dhëna prej tij (fq.8):

- Rekomandojmë që në shtresën Nr.1, të mos mbështeten themele të objektit. Shtresa të përshtatshme për vendosjen e themeleve janë të gjitha shtresat e tjera.

Pra për vendin ku po ndërtohet, nuk është kryer një studim i tillë; nuk ka të dhëna lidhur me rrezikun sizmik, apo gjeologjik sipas shtresave të ndryshme, apo analiza të tjera teknike të nevojshme.

Fq.39, pika IX, paragrafi II, i studimit të fizibilitetit të realizuar nga subjekti: “Efektet kundrejt tokës lidhen kryesisht me vendin në të cilën është parashikuar të ndërtohet impjanti, kryesisht të karakterit të qëndrueshmërisë së ndërtimit dhe terrenit dhe rrezikut sizmik, ashtu dhe në lidhje me rrezikun për ndotjen e sipërfaqes dhe shtresave të tokës”.

Oponenca-Teknike, e realizuar nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, me Nr.07 Prot., dt.22.02.2017 (provë e vënë në dispozicion nga pala e paditur KKT).

1. Oponenca teknike mbështetet ndër të tjera në Studimin e Fizibilitetit të hartuar për një tjetër vendndodhje. (fq.8 e oponencës1)

2. Studimi gjeologjiko-inxhinierik nuk i është vënë në dispozicion grupit të oponencës. Kjo pasi për këtë projekt, në këtë vend ndërtimi nuk ka studim gjeologjiko — inxhinierik. Vetëm ky fakt, duhet të shërbejë si kusht i mjaftueshëm për pavlefshmërinë e lejes së ndërtimit. Në fq.19 të Oponencës teknike, grupi i punës ka deklaruar: Do të ishte e nevojshme kryerja dhe paraqitja e një studimi të mirëfilltë gjeologo-inxhinierik, shoqëruar me rezultatet e provave laboratorike.

3. Grupit të oponencës nuk i është vënë në dispozicion një vërtetim sizmik lidhur me sizmicitetin e zonës.

Në kuadër të shkeljeve të kryera nga autoritetet publike të përfshira në hartimin e dokumenteve ligjore, vlen të përmendet edhe fakti që Oponenca Teknike mban të njtëjn datë me Aneksin e kontratës, datën 22.02.2017. Aneksi i kontratës, përcakton ndryshimin e vendit të ndërtimit, ndërkohë që Oponenca Teknike është kryer duke u mbështetur në vlerësimin e ndërtimit në vendin e ri. Përputhshmëria e datave është e qartë, pasi akti noterial për vërtetimin e nënshkrimeve të palëve kontraktore, të Aneks Kontratës, është kryer në datë 22.02.2017. Në vërtetimin e noterit përcaktohet: “Dokumentin bashkëngjitur këtij akti, palët e kanë hartuar jashtë kësaj zyre noteriale me vullnetin e tij të lirë dhe e nënshkruan atë në prezencën time.”Neni 4 i këtij Aneksi përcakton se Ndryshimi i Kontratës do të hyjë në fuqi, pas nënshkrimit nga palët përpara noterit publik. Parashikim të cilin e gjejmë edhe në nenin 25.2 të Kontratës. Në fakt ky ndryshim ka hyrë në fuqi përpara datës 22.02.2016, ose Oponenca Teknike është kryer brenda ditës. (!!!)

a. Mungon miratimi i Ministrisë së Financave. Neni 17 i VKM-së Nr.575/2013 përcakton detyrimin për miratim nga ana e Ministrisë së Financave, para shpalljes së procedurës së dhënies me koncesion/PPP.

1 E vetënumërtuar, pasi faqet e dokumentit janë pa numër.

24

1. Projektet e koncesione/PPP-ve që kërkojnë mbështetje financiare dorëzohen në Ministrinë e Financave për miratim, pavarësisht modelit të parashikuar të koncesionit/PPP-së dhe mënyrës, në të cilën ato janë nisur, d.m.th. si propozim i kërkuar apo i pakërkuar.

2. Autoriteti kontraktues kërkon miratimin sipas pikës 1 të këtij neni, përpara shpalljes së procedurës për dhënien me koncesion/PPP të një kontrate.

3. Përveç miratimit të përshkruar në pikën 2 të këtij neni, duhet të miratohen nga Ministria e Financave edhe projektet e koncesioneve/PPP-ve që pësojnë ndryshime të kontratës apo transferim të saj, në përputhje me ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat, kur ndryshimet ose transferimet ndikojnë ose krijojnë riskun e ndikimit të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë mbi buxhetin e autoritetit kontraktues, Buxhetin e Shtetit ose ndryshojnë në çfarëdo mënyre mbështetjen financiare.

Pra nga ana e subjektit kontraktues duhet të ishte marrë miratimi jo vetëm për Kontratën kryesore, por edhe për Aneks Kontratën që bën ndryshimin e vendit të ndërtimit. Toka në Portëz, ishte një tokë publike, pa kosto shpronësimi, ndërkohë që kostoja e shpronësimit të pasurisë ku po ndërtohet projekti, ka pasur një rritje të konsiderueshme të kostos së projektit. Miratimi nga Ministria e Financave duhet të ishte pjesë e dosjes së aplikimit për leje ndërtimi.

Ndërkohë edhe miratimi për kontratën është marrë pas kalimit të afati ligjor. Me shkresën Nr.19158 Prot., datë datë 26.10.2018, Ministria e Financave, na ka përcjellë Vendimarrjen e kësaj Ministrie lidhur me këtë projekt. Më datë 13.07.2016 është publikuar njoftimi i kontratës si dhe i gjithë dokumentacioni përkatës në sistemin e APP-së. Në datë 18.07.2016 është bërë publikimi në Buletinin Zyrtar. Ndërkohë me shkresën Nr.8264/4 Prot., datë 08/09/2016, pra gati dy muaj pas publikimit të njoftimit për zhvillimin e procedurës së prokurimit publik, Ministria e Financave ka pranuar në parim se dokumentacioni i paraqitur nga pikëpamja formale përmbush kërkesat e ligjit dhe shprehet dakord me mbështetjen financiare të propozuar në studimin e fizibilitetit. (Datat përkatëse të APP janë të vleftësuara edhe nga përgjigjia zyrtare e ardhur nga ky institucion, më datë 27.11.2018.)

b. KKT nuk duhet të kishte miratuar lejen e ndërtimit, duke qenë se procedura e shpronësimit është kryer përpara se të bëhej ndryshimi i aneksit të kontratës, dt.22.02.2017. Nga verifikimi dhe ndjekja hap pas hapi e procedurave të shpronësimit të pasurisë mbi të cilën do të kryhet ndërtimi, deri tek marrja e vendimit përkatës nga Këshilli i Ministrave, ka shumë mospërputhje dhe paqartësi. VKM-ja Nr.951, datë 28.12.2016, që ka kryer shpronësimin e pasurisë ku po ndërtohet inceneratori, ka kryer shpronësimin e prone të ndryshme nga ajo e përcaktuar në Vendimin e Këshillit Bashkiak Nr.89, datë 25.10.2016.

Shkresa Nr.28/1 Prot. vërteton se publikimi i kërkesës për shpronësim, është bërë në datë dt.30.11.2016, me shkresën me Nr. 5553/12 Prot. Kërkues është Bashkia Fier, bashki e cila vetëm 7 ditë më vonë, kur miraton Planin e Përgjithshëm Vendor nuk e di ende se ku do të ndërtohet Inceneratori dhe aq më tepër të ketë të identifikuar një pasuri, apo qoftë edhe pozicionim të saktë. PPV i Bashkisë Fier, në dy raste thotë lidhur me pozicionin e ndërtimit të inceneratorit “Për për t’u konfirmuar ose për t’u vendosur”.

c. Vendi i ndërtimit të objektit është ndryshuar në kundërshtim me ligjin

25

Në dokumentet e paraqitura nga subjekti për aplikim për leje ndërtimi, ka një mospërputhje lidhur me përmbajtjen e tyre në shumë elementë. Por çka është më e rëndësishme, ka mospërputhje lidhur me vendin e ndërtimit. Konkretisht,

a. Me Vendimin Nr.40, datë 26.10.2015, të Këshillit të Bashkisë Fier është vendosur:

1. Të kërkojë pranë Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve shpalljen e emergjencës mjedisore në fushën e Menaxhimit të Integruar të mbetjeve urbane në qarkun Fier.

2. Të hartohet dhe realizohet zgjidhja më e mirë teknike e nevojshme për përmirësimin e situatës së krijuar nga strukturat përkatëse të Bashkisë Fier në sipërfaqen e evidentuar me këto të dhëna:

- Njësia administrative Portëz, Fshati Plyk, Zona Kadastrale 3000, ngastra 8 dhe ngastra 6.

b. Me vendimin Nr.25, datë 26.02.2016, të Këshillit të Bashkisë Fier, u vendos, saktësimi i pikës 2 të vendimit të mësipërm, Nr.40, datë 26.10.2015, si më poshtë:

Të hartohet dhe realizohet zgjidhja më e mirë teknike e nevojshme për përmirësimin e situatës së krijuar nga strukturat përkatëse të Bashkisë Fier në sipërfaqen e evidentuar me këto të dhëna:

- Njësia administrative Portëz, Fshati Mbyet, zona kadastrale 2637, ngastrat me nr.212;221/1;222–230.

c. Vendimi Nr.89, datë 25.10.2016 i Këshillit të Bashkisë Fier, ka si objekt të tij fillimin e procedurave për shpronësimin publik të pasurive të paluajtshme që do të jenë pjesë e projektit objekt gjykimi. Referuar këtij vendimi procedurat vazhdojnë të jenë për pasuritë e ndodhura në fshatin Mbyet, zona kadastrale 2637.

Situata prek kufijtë e absurdit, pasi në VNM-në e thelluar (fq.50), i cili është hartuar në mars 2017, thuhet se ndërkohë që vendi është përcaktuar, ka rezultuar se ky vend është i papërshtatshëm. Si rezultat vijon VNM, duhet të shikohen alternativa të tjera, dhe përmenden 10 terrene alternativë. Ndër to është edhe terreni i cili me VKM të dhjetorit 2016 është shpronësuar pikërisht me objektin përkatës ndërtim të inceneratorit, por nuk është terreni i përcaktuar në tre Vendimet e Këshillit Bashkiak të Fierit, në njësinë administrative Portëz.

Ndryshe nga sa pretendohet në VNM, në fq.92 të studimit të fizibilitetit të kryer nga MIE (maj 2016, përcjellë me shkresën Nr.459/1 Prot., dt.23.01.2019 të MIE,), rezulton se toka në Portëz ishte mjaft e përshtatshme për ndërtimin e projektit: “Risqet për përshtatshmërinë e tokës: duke ju referuar studimit gjeologjik dhe atij sizmik rezulton se nuk janë konstatuar fenomene negative fiziko-gjeologjike në sheshin e ndërtimit që të rrezikojnë qëndrueshmërinë e objektit. Toka në zonën në studim nuk shfaq karakteristika të dobta dhe jo të qëndrueshme, e cila mund të përbëjë risk për ndërtimin.”

Pala e paditur KKT, në mënyrë të vazhdueshme ka pretenduar se nuk ka përse të kryejë verifikime për ndryshimin e vendit të ndërtimit, pasi ekziston një VKM shpronësimi dhe një Aneks Kontrate. Ky pretendim është i pambështetur në ligj. Së pari, është detyrë e KKT-së që të verifikojë mospërputhjet në dokumente (neni 25 (6) VKM Nr. 408, datë 13.5.2015, “Për rregulloren e zhvillimit të territorit”). Mospërputhja midis Kontratës së

26

Konçensionit, dhe Aneksit të Kontratës, është e dukshme. Konkretisht, kontrata përcakton se sheshi i ndërtimit është miratuar me Vendim të Këshillit Bashkiak, pika 5.3 e kontratës:

‘(b) në lidhje me disponimin e Sheshev, të drejtën e kalimit, gëzimit të qetë dhe të drejtat për aksesin dhe përdorimin e sheshit të miratuar me Vendim të posaçëm nga Këshilli Bashkiak.’ Sërisht, në fq.11, të Kontratës, përcakton se sheshet janë të miratuar me Vendim të posaçëm të Këshillit Bashkiak.

Si rezultat, KKT nuk duhet të kishte pranuar ndryshimin e vendit të ndërtimit, mbështetur vetëm në Aneksin e Kontratës,në mungesë të vendimit përkatës të Këshillit Bashkiak.

Një tjetër dokument i rëndësishëm pjesë e dosjes së lejes së ndërtimit dhe të kontratës, janë edhe dokumentet standarte të tenderit, (Përcjellë nëpërmjet shkresës Nr.2154 Prot., dt.18.02.2019, të MIE). Në këto dokumente përcaktohet Vendndodhja e objektit të kontratës: “Zona ku do të kryhet ndërtimi përfaqëson fundin e shpatit të fshatit Portëz, ajo është me reliev të rrafshët me diferencë të vogël kuotash.” Koordinatat gjeografike janë: 40°41’55” Veri dhe 19°34’09”. Sigurisht që pala e paditur do të pretendojë se nuk ka pasur detyrimin t’i verifikojë këto dokumente, por në fakt këto dokumente janë pjesë e Aneksit I të kontraës, pra dhe pjesë integrale e dosjes së aplikimit për leje ndërtimi.

Për të përcaktuar se cili dokument ligjor ka përparëse kundrejt të tjerëve, duke qenë se kanë përmbajtje kontradiktore, na vjen në ndihmë kontrata konçensionare, e cila në fq.14 të saj, paragrafi i fundit, parashikon: “…, nëse ka ndonjë konflikt apo mospërputhje ndërmjet dispozitave dhe Anekseve dhe/ose ndonjë shtojce të Anekseve dhe/ose çdo dokumenti tjetër, që i referohemi në këtë Kontratë, konflikti, apo mospërputhja do të zgjidhet sipas rendit të mëposhtëm të përparësisë:

a) Kërkesat e Autoritetit Kontraktues gjatë procedurës;

b) Oferta e Konçensionarit;

c) Dispozitat e kësaj kontrate;

d) Çdo aneks i tyre;

e) Çdo dokument tjetër të cilit i referohemi në këtë kontratë ose çdo dokument tjetër bashkëlidhur kësaj kontrate.”

Kjo do të thotë që kërkesat e autoritetit kontraktor të bëra nëpërmjet Dokumenteve Standarde të Tenderit, ku përcaktohet si vend ndërtimi fshati Portëz, kanë përparësi kundrejt ndryshimit të vendit me anë të aneksit të datës 22.02.2017. Si rezultat, KKT duhet të kishte refuzuar miratimin e lejes së ndërtimit, në fshatin Mbrostar, pasi vjen në kundërshtim me DST.

5. Koordinatat në lejen e ndërtimit janë gabim

Akt i ekspertimit të realizuar nga eksperti Romeo Nazarko, vërtetoi pretendimin e ngritur nga paditësit, se objekti po ndërtohet në koordinata të ndryshme, nga ato të përcaktuara në lejen e ndërtimit. Konkretisht, ky përfundim përcaktohet në mënyrë mjaft të qartë në fq.8 të aktit të ekspertimit. Vetëm ky fakt, do të mjaftonte për ta konsideruar lejen e ndërtimit të pavlefshme. Pala e paditur KKT në prapësimet që ka dhënë para gjykatës në momentin e

27

parë, ka refuzuar me ngulm çdo lloj pasaktësie në lejen e ndërtimit. Më tej u kalua në pretendimin e “gabimit një shifror”. Mbi këtë pretendim, një ndër pyetjet që ju bënë nga pala e paditur KKT, ekspertit, ishte lidhur me një ndryshim në një prej shifrave të koordinatave. Edhe pas kësaj përpjekjeje, u konfirmua, se jo vetëm një shifër, por të gjitha koordinatat, ishin gabim.

Pala e paditur KKT, pasi gabimi një shifror nuk funksionoi, paraqiti “alibinë e gabimit njerëzor të parëndësishëm”, duke prapësuar se koordinatat në lejen e ndërtimit janë një element dytësor dhe i parëndësishëm. KKT i kishte marrë të gatshme nga subjekti, pa kryer verifikimet përkatëse. Përveç faktit që një deklaratë e tillë, për një dokument të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, me nënshkrimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, është jo vetëm jo serioze, dhe cenon autoritetin e institucionit, por e vërteta është që ky pretendim nuk qëndron.

Në lejen e ndërtimit janë të parashikuar dy elementë teknikë, të cilët identifikojnë pronën ku do të zhvillohet ndërtimi: të dhënat kadastrale dhe koordinatat. Leja objekt gjykimi, njërën prej tyre e ka të saktë, tjetrën gabim. Të dhënat kadastrale janë të rëndësishme, pasi e lidhin pronën me regjistrat e pasurive të paluajtshme, që identifikojnë pronarin, llojin e tokës, etj.. Nga ana tjetër, edhe koordinatat janë thelbësore, pasi e lidhin këtë pronë, me dokumentet teknikë pjesë e dosjes së ndërtimit. Në të gjitha dokumentet teknike dhe ligjore, pjesë e dosjes së objektit, prona identifikohet me koordinata, madje në disa prej tyre, identifikimi bëhet vetëm me koordinata:

- Dokumentet Standarte të Tenderit, të publikuara nga APP, prona identifikohet vetëm me koordinata, (vënë në dispozicion të gjykatës me shkresën Nr.2154 Prot., dt.18.02.2019 të MIE). (Referuar kontratës, këto dokumente kanë përparësi kundrejt gjithë pjesëve të tjera përbërëse të kontratës).

- Në kontratë, Aneksi VII, Plani dhe koordinatat e sheshit.

- Në Aneks kontratën Nr.592 Rep., dt.22.02.2017, Neni 1, përcaktohet shprehimisht se: “Ndryshimin e Aneksit VII të kontratës së sipërcituar … sipas Planit dhe Koordinatave të reja të sheshit.

- Studimi i fizibilitetit Maj 2016, fq.13, përcakton koordinatat, në Portëz, (dokument i përcjellë me shkresën Nr.459/1 Prot., dt.23.01.2019, të MIE);

- Studim i fizibilitetit, të realizuar nga subjekti ndërtues, pa datë, fq.5, përcakton koordinatat në Portëz, pa të dhëna kadastrale, (përcjellë me shkresën Nr.13214 Prot., dt.25.10.2018, të MIE);

- Deklarata mjedisore ka të bashkangjitur planin dhe koordinatat e pronës ku do të ndërtohet objekti. Në fakt në pikën 4.2 të saj, kur përshkruhen masat që duhen marrë për të shmangur efektet negative në mjedis, thuhet: “Aktiviteti të zhvillohet vetëm brenda sipërfaqes dhe koordinatave të kërkuara në aplikim.” Aktualisht aktiviteti nuk po zhvillohet brenda koordinatave të kërkuara në aplikim.

Prania e koordinatave në të gjithë këto dokumente, dëshmon se nuk janë një element i parëndësishëm, i cili fare lehtë mund të anashkalohet, por përkundrazi provon, se objekti po ndërtohet në kundërshtim me ligjin, pasi koordinatat janë të ndryshme nga ato të përcaktuara në lejen e ndërtimit. Me pretendimin që një prej të dhënave të identifikimit është e mjaftueshme, subjekti mund të ndërtonte në koordinatat e sakta dhe të dhënat kadastrale të

28

ishin gabim. Leja e ndërtimit është një akt i rëndësishëm administrativ. Në momentin që një prej kushteve thelbësore të ndërtimit është gabim, atëhrë ky akt është i pavlefshëm.

Pala e paditur, prapësoi se koordinatat janë e ardhmja, por për momentin janë të parëndësishme dhe nuk cenohet vlefshmëria e Lejes së Ndërtimit nga pasaktësia në koordinata. Siç u theksua edhe më sipër, njoftimi nga ana e APP për kontratën publike, është bërë nëpërmjet koordinatave. Këto dokumente, kanë përparësi kundrejt dokumenteve të tjera, dhe kjo përcaktohet në kontratë. Së fundmi, nëpërmjet koordinatave është e mundur që të respektohen distancat e përcaktuara në vetë Rregulloren e Planit të Përgjithshëm Vendor, të Bashkisë Fier, i cili ka parashikuar distanca konkrete, distanca të cilat në këtë rast nuk janë respektuar, as për lendfillin dhe as për inceneratorin.

6. Nuk është respektuar distanca e përcaktuar në Rregulloren e Planit të Përgjitshëm Vendor për Bashkinë Fier, të miratuar nga KKT

Leja e ndërtimit është dhënë në kundërshtim me Rregulloren e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Fier. Sipas palës së paditur KKT, projekti në fjalë nuk ka leje zhvillimi, për shkak se është miratuar PPV për Bashkinë Fier. Ky Plan i Përgjithshëm Vendor është miratuar me vendimin Nr.100, dt.06.12.2016 të Këshillit të Bashkisë Fier dhe më pas me Vendimin Nr.5, datë 29.12.2016, të KKT-së. Krahas Planit të Përgjithshëm Vendor është miratuar edhe Rregullorja e Planit të Përgjithshëm të Territorit.

Në pikën 6.1.3, fq.39 të kësaj rregulloreje, përcaktohet: “Distancat minimale të funksioneve të mëposhtme nga kufiri përfundimtar i qendrës së banuar më të afërt sipas njësive strukturore apo i ndërtesës së banimit më të afërt”. Këto distanca, lidhur me kategoritë e objekteve që janë me rëndësi për ne, janë:

- 2,500 m për landfillin sanitar;

- 2,000 m për incineratorin.

Raporti i vlerësimit të ndikimit në mjedis, përcakton në pikën 2.3, fq.24–25 të tij, se Qendrat e banuara më të afërta, janë:

1. fshati Vërri rreth 980 m vijë ajrore në veriperëndim; …

2. fshati Kallm i vogël rreth 1,800 m vijë ajrore në verilindje;

3. Kallm i madh, rreth 1,700 m vijë ajrore në juglindje;

4. lagje të fshatit Bubullimë, rreth 1,500 m, vijë ajrore në lindje.

Sjellim nw vwmendje se kjo wshtw distanca nga qendra e secilit prej fshatrave, pasi distanca nga ndwrtesa e banimit mw e afwrt, wshtw 500–600 m. Leja e ndërtimit objekt shqyrtimi parashikon ndërtimin e një inceneratori dhe të një landfilli, me një sipërfaqe prej 60,000 m2. Siç qartësisht, vihet re, leja e ndërtimit objekt shqyrtimi, është e pavlefshme, edhe për arsyen se nuk ka respektuar distancat e detyrueshme, në bazë të vetë PPV, pjesë e të cilit është edhe Rregullorja e këtij plani, mbi të cilin, pala e paditur pretendon se është mbështetur, për të miratuar lejen e ndërtimit të objekteve.

* * *

Nisur nga sa më sipër, me gjithë argumentet dhe provat e paraqitura në gjykatë, arritëm jo vetëm të provojmë bazueshmërinë e plotë të pretendimeve tona, por të evidentojmë se për të dyja aktet administrative objekt gjykimi, janë kryer një sërë shkeljesh, secila prej të cilave sjell pavlefshmërinë e aktit përkatës. Si përfundim, kërkojmë nga Gjykata, pranimin e

29

padisë sipas objektit, duke vendosur konstatimin e pavlefshmërisë së Deklaratës Mjedisore, Nr.Identifikimi 294, Nr.3764 Prot., Nr.Vendimi 18, dt.08.05.2017 dhe të Lejes së Ndërtimit Nr.15, dt.16.10.2017, të KKT.

Paditësit