Ligji për Importin e Mbetjeve Rama: Ja kur do e rikthejmë

Ligji për Importin e Mbetjeve
Rama: Ja kur do e rikthejmë

Edhe pse u miratua në Kuvend, pavarësisht presionit të Shoqërisë Civile dhe opinionit publik, ligji për importin e mbetjeve prej më shumë se një viti është pezull. Presidenti Nishani e riktheu ligjin për rishqyrtim në tetor të 2016-ës me argumentin se bie ndesh me Kushtetutës pasi Shqipëria nuk ka kapacitete të përballojë importin e mbetjeve nga jashtë, por që prej atëherë, dokumenti ndodhet në sirtarët e Kuvendit në pritje të ridiskutimit në komisionet parlamentare.

I pyetur nëse maxhoranca do ta rikthejë në Kuvend ligjin e shumëdebatuar, kryeministri Edi Rama tha te “5 pyetjet nga Babaramo” se një lëvizje e tillë nuk do të bëhet derisa opinioni publik të bindet se në Shqipëri nuk do hyjnë plehra, por mbetje të riciklueshme.

“Nuk ka ligj për plehrat, s’ekziston. Projekti që ne tërhoqëm nuk është import plehrash, mundësi importi për industrinë e riciklimit për dru, kartonë, qelq dhe alumin. E kemi tërhequr për një arsye të thjeshtë, për të mos lejuar intoksikimin deri në verbëri të një pjesë të opinionit nga të gjithë matrapazët e plehrave që bëjnë politikë me plehrat dhe pleh me politikën.

Nuk do e aktivizojmë derisa të detoksikojmë atë pikë të opinionit që ka arsye të besojë dhe dyshojë, për atë çka ka parë në këtë çerek shekull në këtë vend, që të ketë besim për një çështje kaq sensitive”, u shpreh Rama.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com