‘Kryqëzata’ e fundit ndaj parqeve kombëtare
Po përdor këtë fjalën ‘kryqëzatë’ se duket si më e përshtatshme për atë që pritet të ndodhë me zonat tona të mbrojtura. Kryqëzata e parë u finalizuar me “vrimosjen” e parqeve tona, duke i hapur rrugë batakçinjëve të natyrës, që kishin gjithë atë epsh për të urbanizuar zonat më të mira natyrore të vendit. Aktualisht hartat tona të zonave të mbrojtura duken si ato çarçafët e grisur dikur…
Tashmë, kryqëzata e dytë duket se është më agresive dhe më fatale se e para.Një draft-ligj (me siguri i propozuar nga lavazhistët e parave informale), synon jo vetëm të shkelë me këmbë krejt frymën e ligjit aktual 81/2017 ‘Për zonat e mbrojtura’, por edhe të tallet hapur me krejt kuadrin aktual ligjor për mbrojtjen e natyrës.Nuk është shaka, por tashmë në parlament është depozituar draf-ligji “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin 81/2017” (nënkupto; përdhunimi e zonave të mbrojtura natyrore). Le të fillojmë me një analizë të thjeshtë se çfar është propozuar konkretisht, dhe më tej të parashikojmë (jo të hedhim fall) se cilat do jenë pasoja përkatëse;1. Në nenin 1, pika d thuhet…’Kategoria e një zone të mbrojtur duhet të ndryshohet nëse nga vlerësimi në një kohë të dhënë rezulton se objektivat e përcaktuara dhe menaxhimi afatgjatë nuk përputhen me ato të kategorisë së përcaktuar’. Nëse ky nen miratohet, ateherë i gjithë sistemi i zonave të mbrojtura në Shqipëri bie menjëherë. Kjo pasi një zonë që të kryejë një funskion të caktuar ekologjik a social, duhet investuar në të. Nëse nuk investohet (siç nuk është investuar thuajse në asnjë zonë të tillë), zona i nënshtrohet nenit të mësipërm. Nga gjendja aktuale e zonave tona të mbrojtura, duhen sëpaku 5-10 milion euro për sejcilën prej tyre si investime fillestare, për të gatantuar vetëm disa nga objektivat e tyre menaxhuese (përmbushja e të gjitha objektivave menaxhuese ka kosto akoma më të lartë). E nëse ne kemi rreth 40 zona të mbrojtura, i bie që investimi fillestar të jetë nga 200-400 milion euro, gjë që është krejtësisht e pamundur. Një vlerësim krejtësisht subjektiv i bazuar në këtë nen të propozuar, do bënte që ne të mos kemi më asnjë Park Kombëtar psh. Për ta thjeshtuar akoma më shumë kuptimin e këtij neni – nëse një person që don të ndërtojë kulla e palate, te hapte gurore të reja etj.etj. në Malin e Dajtit psh. mund të aktivizonte këtë nen për t’ja hequr statusin si Park Kombëtar dhe të bënte çfar të donte aty. Më tej, neni 7 i draft-ligjit e humbet menjëherë vlerën pasi siç u theksua më sipër, përmbushja e funksioneve ekologjike, rekreative e sociale të zonave të mbrojtura nuk mund të bëhet pa investuar më parë në to.
2. Në nenin 9 të draft-ligjit propozohet që hiqet fare neni 13 i ligjit ekzistues (81/2017) i cili bën fjalë për zonimin e brendshëm të një zone të mbrojtur. Kjo është katastrofike për vlerat ekologjike të zonës së mbrojtur pasi psh. Ishulli i Pelikanit në Parkun Kombëtar ‘Divjakë-Karavasta’ dhe që është zona më e rëndësishme e parkut, të barazohet për nga niveli i rëndësisë dhe mbrojtjes me një sipërfaqe toke bujqësore që përdor çdo lloj kimikati që don fermeri. Më tej, duke u hequr ky nen, një qendër urbane barazohet me një zonë të virgjër natyrore në të cilën mundet të ndërtohet pa asnjë problem më tej.3. Në nenin 10 propozohet të hiqen kufizimet aktuale të aktiviteteve ekonomike që bien ndesh me objektivat menaxhuese të zonës së mbrojtur. Pra me ndryshimet e propozuara - në zonën e mbrojtur mundet të lejohet ndërtimi e çdo lloj aktiviteti që dëshiron ai që ka lekun në dorë. Gjithashtu në këtë nen propozohet që edhe bizneset të cilat kanë një miratim nga bashkitë e tyre të zhvillojnë aktivitete ekonomike në zonën e mbrojtur. Një tjetër e keqe e madhe këtu është që ‘lejohet zënia e tokës dhe shfrytëzimi i sajë’ pavarësisht se ai aktivitet është kundër objektivave të zonës së mbrojtur. Po ashtu, aktivitete të tjera të cilat më parë ndaloheshin, tashmë lejohen me leje të administratës së zonës së mbrojtur (ski, kampingje, vendosje reklamash, ndezje zjarri etj…)4. Në nenin 13 propozohet që bazuar në planin e menaxhimit (plani mund të ndryshojë në varësi të kërkesave të zhvilluesve pa asnjë lloj problemi), duke lejuar zhvillime urbane, industriale etj etj. duke ruajtur karakterin e zonës së mbrojtur. Por nëse ndërton një fshat brenda zonës së mbrojtur apo vendos aty një kompleks industrial, si ruhet pastaj karakteri i zonës së mbrojtur?! Besoj se as propozuesit e famshëm të ligjit nuk ja kanë idenë dhe as e kanë lexuar fare atë që ju është vënë përpara e shkruar prej dikujt tjetër.5. E njëjta gjë propozohet edhe në nenet 15, 16, 17, 18 e 20. Pra të lejohen sa më shumë ndërtime dhe veprimtari ekonomike brenda zonave të mbrojtura. 6. Në nenin 20 thuhet që Plani i menaxhimit të zonës së mbrojtur mund të rishihet në çdo rast (pavarësisht se ligji e thotë çdo 10 vjet). I bie që pas çdo kërkese për ndertime dhe aktivitet ekonomik, ndryshohet plani i menaxhimit dhe çdo gjë rregullohet sipas dëshirës së zhvilluesit.Në thelb pra, ndryshimet e ligjit kanë vetëm një synim; të fusin brenda zonave të mbrojtura gjithëçka që deri sot nuk lejohej; ndertimet dhe aktivitetet ekonomike. Vetë aktiviteti ekonomik nuk është i definuar dhe nuk ka asnjë lloj kufizimi nëse është intensiv apo ekstensiv. Si i tillë ai përfshin por pa u kufizuar; kombinate, fabrika lëkure, fshatra turistikë, sisteme trajtimi ujrash të zeza, landfille etj.etj.Nëse ky ligj miratohet, nuk ka asnjë pengesë që në mes të Malit të Dajtit, në Theth, në zonën e Rrajcës dhe Gashit (zona të trashëgimisë botërore të UNESCO), në mes të lagunës së Divjakës a Liqenit të Shkodrës, liqenit të Ohrit e Prespës mund të ndërtohen pa asnjë lloj kufizimi kulla, fabrika lëkure, apo dhe kombinate metalurgjike. Madje meqenëse Beratin e kemi pa aeroport, mundet të bëjmë një aeroport mu në majë të Malit të Tomorrit, pa asnjë lloj problemi.Dihet që zonat e mbrojtura janë mjaft të lakmuara nga bizneset këtu tek ne. Por me sa duket biznesi është aq i fuqishëm sa dikton ligje të tilla në favorin e vet duke garantuar shkatërrimin e aseteve tona natyrore.Amendimet ligjore të propozuara janë krejtësisht kundër frymës së ligjit aktual, dhe po ashtu kundër çdo lloj direktive të BE-së, si dhe kundër konventave ndërkombëtare ku Shqipëria është palë.Pyejtja është, në cilin vend të botës biznesmenët nuk do donin të ndërtonin brenda parqeve kombëtare apo zonave të mbrojtura?!. Biznesit i interesojnë vetëm fitimet dhe asgjë tjetër, por bota ndaj ka vënë rregulla dhe e ka ndalur këtë gjë njeherë e mirë. Edhe bota e zhvilluar e ka ndaluar, edhe ajo botë që është krejt e pazhvilluar nuk lejon marrëzi të tilla. Mesa duket ne nuk jemi pjesë e kësaj bote, por një bote tjetër imagjinare që projektohet të shihet e reklamohet vetëm përmes syzeve të gangsterëve me xhepa plot.Këta që mundohen të na japin leksione se po “zhvillojnë” zonat e mbrojtura duke futur industrinë brenda tyre, le ti kursejnë lloqet. Ata zhvillojnë dhe mbrojnë vetëm pasurinë e tyre personale, asgjë tjetër.Nëse ky ligj ndodh të miratohet vërtet, nuk ka më asnjë lloj kuptimi te ketë harta në letër me zona e parqe. Nuk ka pse të ketë edhe administratë që merr rrogën kot kur nuk ka se çfarë të bëjë, pasi janë zhvilluesit ata që i bëjnë të gjitha. Shqipëria bën aq shumë kujdes për mjedisin sa na vjen turp për çdo italian, slloven, kroat a grek që takojmë se gjënë e parë që na thonë janë mbeturinat tona që kanë pushtuar brigjet dhe detet e tyre. Asnjë vend tjetër në evropë nuk jep një kontribut kaq domethënës për qelbësinllikun e mjedisit, jo vetëm tonit po krejt rajonit.Sa kohë që testet e edukimit na lëshojnë poshtë e më poshtë në renditjen e dijes, lart e më lart do ngrihen shkopinjtë e flamurëve të injorancës dhe babëzisë për të grabitur gjithëçka, mbi e nën dhé.Te gjithë progres-raportet e KE-së që bëhen për Shqipërinë, cdo vit bëjnë thirrje për forcimin e legjislacionit dhe përmirësimin e menaxhimit të zonave të mbrojtura, por mesa duket kjo përkthehet në ‘shthurje’ të plotë në gjuhën shqipe. Paradoksalisht na rezulton se zonat e mbrojtura ishin më të mbrojtura kur nuk kishte ligj për to. Nuk pati asnjë llon dëmtimi të tyre; as HEC-e, as ndërtime, asgjë. Sa u bë ligji për ti mbrojtur, ju janë vërsulur nga të gjitha anët tani… Pritet që parqet tona (në letër) ti kemi brenda oborreve të fabrikave apo lulishtet e fshatrave turistike, se nuk do mbesë asgjë tjetër prej tyre. Ndaj ligjet nuk bëhën për të mbrojtur por për të grabitur.Po formalizohet kështu kryqëzata e dytë dhe e fundit (pas kësaj skanë çfar të bëjnë më keq se kaq) ndaj natyrës sonë, aq shumë e dhunuar deri tani.Donatorët e mbrojtjes së natyrës do të tërhiqen tërësisht nga mbështetja për zonat tona të mbrojtura pasi nuk ka asnjë lloj kuptimi që të investosh në diçka që do rrënohet menjëherë. Vetë buxheti i shtetit është po ashtu inekzisten në drejtim të mbrojtjes së natyrës dhe mjedisit. Për rrjedhojë, ditën pas miratimit të ligjit, Shqipëria nuk do ketë më ansjë lloj zone të mbrojtur (de facto). Unë shpresoj shumë që logjika e shumicës së deputetëve nuk do pranojnë të miratojnë një draft të tillë. Veç nëse kanë vendosur të gjithë sëbashku që të mos jetojnë më këtu.