Kriza që po riformëson sektorin e energjisë

Kriza që po riformëson sektorin e energjisë

Kriza e energjisë ka përshpejtuar investimet në sektor, në kuadër të diversifikimit, si dhe politikave mbështetëse të ndërmarra nga qeveria, siç ishte ligji i ri për energjitë e rinovueshme. Por ritmi me të cilin po ecin sipërmarrjet private, kërkon që kompanitë shtetërore të energjisë të angazhojnë financime jo të vogla për kapacitete transmetimi dhe shpërndarjeje. OST dhe OSSH kërkojnë parashikime realiste, në mënyrë që të bëjnë ndërhyrje në rajone, ku zhvillimet janë më dinamike. Impianti i Karavastasë që po zhvillohet nga Voltalia pritet të prodhojë energji brenda vitit 2023. Ankandi për eolikët, i shpallur nga qeveria, do të ketë emrat e kompanive fituese brenda majit. Në këtë vrull zhvillimesh, BERZH rekomandon të bëhet kujdes nga investimet spekulative të atyre që nuk kanë informacion mbi sektorin dhe kanë hyrë, të nxitur vetëm nga çmimet e larta në tregje gjatë këtyre kohëve.

Sektori i energjisë, që cilësohet strategjik në çdo dokument qeveritar, është shoqëruar gjithmonë me probleme madhore. Siguria e furnizimit, fuqia më e madhe që mund të ketë një vend, nuk është e garantuar, për shkak të hapave të dobët drejt diversifikimit për vite me radhë.

Kompanitë publike kanë vuajtur vazhdimisht nga një zinxhir borxhesh mes njëra-tjetrës dhe këtu nuk janë vetëm ato të sektorit energjetik. Reformat e nisura me vrull në fillim, kanë humbur ritmin gjatë rrugës, duke e zbehur efektin.

Kriza e energjisë që nisi në fund të verës 2021, nuk ishte si çdo krizë tjetër me të cilën ishte përballur vendi. Importet në periudha të caktuara gjatë vitit nuk kishin munguar asnjëherë, pasi prodhimi i energjisë vetëm përmes hidrocentraleve, na ka ekspozuar gjithmonë në tregje në vite jo të mira hidrike.

Por këtë herë, kriza nuk ishte vetëm e jona, por e të gjithëve dhe këtu ishte sfida e vërtetë. Sigurisht që edhe në këtë kohë krize, energjia u sigurua dhe askush s’mund të thotë që kjo nuk u arrit. Pyetja këtu është me çfarë kostoje u sigurua kjo energji?

Së pari, shpenzimet për importe llogariten gati gjysmë miliard euro në vitin 2022 për të siguruar energji. Kompanitë publike të energjisë po kryejnë vetëm investime riparuese dhe të domosdoshme prej kohësh, për shkak të situatës së vështirë financiare.

Kriza përveçse avulloi qindra miliona euro duket se, më në fund, shkundi edhe strategjitë që flinin në sirtarë prej kohësh, duke kërkuar hedhjen e hapave konkretë.

Bursa e Energjisë për të cilën flitet prej vitesh, tashmë ka nisur regjistrimin e anëtarëve. Ligji për burimet e rinovueshme u rishikua, duke miratuar një ligj të ri që reflekton disa ndryshime pozitive, si për projektet e pavarura, ashtu edhe për vetëprodhuesit.

Disa projekte të rëndësishme në fotovoltaikë po avancojnë, teksa ato eolike, nëpërmjet ankandit, pritet të miratohen brenda këtij viti.

Të gjitha këto do të kërkojnë investime në rrjet dhe operatorët publikë kërkojnë projeksione realiste për t’ju përgjigjur zhvillimit. Kriza, me gjithë vështirësitë e saj, ka riformësuar sektorin dhe zhvillimin e tij, duke përshpejtuar hapat në thuajse çdo aspekt, duke u dhënë përparësi çështjeve më emergjente.

Panairi dhe Forumi Ndërkombëtar i Energjisë, i organizuar së fundmi në Expocity Albania, bëri bashkë të gjithë palët, ku theksi u vu te sfidat dhe planet e reja të sektorit në ritmin e ri të zhvillimit që i ka dhënë kriza e energjisë.

Rritja e sigurisë energjetike kalon në plan të parë

Prej vitit 2021, vendi është në gjendjen e emergjencës së furnizimit me energji elektrike, e cila parashikohet të zgjasë deri në qershor të këtij viti. Tregjet, që duket sikur kanë rënë në një moment qetësie, kanë sërish çmime më të larta sesa para fillimit të krizës dhe askush nuk thotë me siguri se rreziku ka kaluar.

Teksa dimri që lamë pas u përballua mirë, për shkak të një situate të përmirësuar hidrike tek ne dhe rezervave të rritura të gazit në Europë, sfida tjetër mbetet vera dhe si do të përballen të gjithë me këtë stinë.

Mjaft të kujtojmë këtu gushtin e shkuar, kur në fasha të caktuara orare, çmimet në Bursën e Hungarisë që Shqipëria ka si referencë arritën 130 lekë/kWh pa shtuar këtu kosto transmetimi dhe shpërndarjeje. Çmimet e çmendura dhe në disa raste, vështirësia për të gjetur sasi të disponueshme energjie, pavarësisht kostos së saj, duket se kanë bërë që siguria energjetike të shihet si përparësi më afatshkurtër në axhendë.

Enea Karakaçi, Drejtor i Përgjithshëm për Politikat dhe Zhvillimin e Energjisë dhe Industrisë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, gjatë forumit të energjisë, theksoi se ku është fokusi momental.

“Sektori energjetik është në një moment dinamik. Është përshpejtuar për shkak të krizës. Edhe ne, sikurse të gjithë vendet e rajonit, jemi fokusuar te rritja e kapacitetit. Për Shqipërinë, kjo është disi më hiperaktive edhe për shkak të kushteve që kemi sa i takon potencialit të diellit.

Në vitin 2021 dhe 2022, për shkak të kushteve hidrike, ne u jemi drejtuar eksporteve, pasi jemi të varur nga energjia hidrike. Thënë këtë, fokusi ynë është rritja e sigurisë energjetike të vendit dhe zgjidhja për këtë është diversifikimi, pra maksimizimi që mund të vijë nga dielli dhe era, duke qenë se në të dyja kemi potencial.

Ne kemi në zhvillim disa projekte të rëndësishme me kapacitet jo të vogël, siç është për shembull Karavastaja me Voltalian me 140 MW të instaluar, ku një megavat e përfitojmë me çmim 24.89 euro/MWh që shpresojmë sipas planeve të përfundojë në shtator të këtij viti”, – tha Karakaçi.

Sipas tij, edhe ligji i ri për burimet e rinovueshme të energjisë që kaloi në Parlament vjen me një sërë të rejash, ku masat mbështetëse janë sa më afër bursës, ndërkohë që përveç netimit vjetor për vetëprodhuesit, krijohen lehtësi për pikat e lidhjes dhe aksesin në rrjet, ndërkohë që krijohet edhe Operatori i Burimeve të Rinovueshme, i cili do të jetë një hallkë e rëndësishme e sektorit.

Përfaqësuesi i MIE tha se paralelisht do të vijojnë të mbështeten projektet në tregun e lirë me sistemin aktual. Pra investitorët që duan të zhvillojnë një projekt për të shitur energji në treg të lirë, pra nuk kanë blerje të garantuar nga shteti, mund të vazhdojnë të paraqesin aplikimet. Hapi i radhës ku ka vëmendje janë ankandet për energjinë eolike.

“Në muajin maj, ne mbyllim ankandin për parqet eolike me kapacitet 150 – 200 MW, ku të paktën gjashtë kompani kanë kaluar fazën e parë dhe presim të shpallim fituesit. Në fund të vitit 2023, parashikojmë ankandin për 300 MW kapacitet në eolikë, por këtë herë në një formë tjetër, ku subjektet do të jenë vetë përgjegjës për të siguruar tokën dhe projektet dhe do të aplikojnë pranë ministrisë me çmim.

Kriza na ka vënë në një pozitë të vështirë, por ka përshpejtuar procese dhe reforma, që mund të kërkonin kohë më të madhe dhe këto janë disa nga masat që kemi planifikuar si ministri”, – pohoi Karakaçi.

Energjia nga era
Në muajin maj, mbyllet ankandi për parqet eolike me kapacitet 150 – 200 MW, ku të paktën gjashtë kompani kanë kaluar fazën e parë dhe presim të shpallim fituesit. Në fund të vitit 2023, parashikohet ankandi për 300 MW kapacitet në eolikë, por këtë herë në një formë tjetër, ku subjektet do të jenë vetë përgjegjës për të siguruar tokën dhe projektet dhe do të aplikojnë pranë ministrisë me çmim.

Investimet, raport i drejtë mes shfrytëzimit dhe mbrojtjes së mjedisit

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë e sheh pozitive kërkesën për investime në energji. Kjo nuk lidhet vetëm në investimet në hidrocentrale apo impiante fotovoltaikë dhe eolikë por çdo formë investimi në sektor, si hidrokarbur apo gaz.
Sipas tij, rëndësi për çdo hap që do të hidhet, merr ruajtja e raportit të drejtë për shfrytëzimin dhe njëkohësisht mbrojtjen e mjedisit. Shqipëria ka një territor të vogël dhe sipërfaqet nuk janë të pafundme.

“Investimet në energji kanë qenë aktive. Bankat kanë rol të rëndësishëm, duke angazhuar produkte të dedikuara dhe ka qenë një aleancë që ka funksionuar. Në aspektin e diversifikimit vlerësoj se nisma private është shprehur e gatshme të bëjë kërkesa konkrete. Do të sugjeroja që këto kërkesa të jenë miqësore me mjedisin. Shqipëria nuk ka luks që vetëm të shfrytëzojë mjedisin dhe territorin, por duhet ta bëjë këtë, duke e mbrojtur”, – tha Bejtja.

Ai nënvizoi se tashmë janë disa projekte që do të ndikojnë te rritja e sigurisë energjetike, të cilat nuk lidhen vetëm me hidron apo fotovoltaikët, por me një kompleksitet burimesh. “Prania e gazit sigurisht jo vetëm për Kosovën, por edhe më gjerë. Energjia përfshin gjithçka – karburantet, të rinovueshmet, eficiencën, por përfshin dhe sovranitetin, forcën madhore që përfaqëson për një ekonomi.

Duhet ta garantojmë nga forma të ndryshme, duke dhënë hapësirën e duhur për investitorët dhe nuk mund të garantohet siguria nga një burim, por nga tërësia e disa prej tyre. Ne e garantojmë nga vetja, por edhe nga rajoni dhe për këtë na duhet të investojmë që të kemi lëvizshmëri të disponueshme dhe lidhje me rajonin. Kemi bërë investime në transmetim dhe lidhje me rajonin”, – tha Bejtja.

Rritja e kapacitetit kërkon investime në rrjetin e transmetimit

Teksa projektet e reja në prodhimin e energjisë kanë marrë një tjetër vrull dy vitet e fundit, ajo që shqetëson kompanitë publike të cilat janë përgjegjëse për rrjetin është sfida me të cilën përballen për t’ju përgjigjur këtij ritmi.

Administratori i OST, Skerdi Drenova, tha gjatë forumit të energjisë në Expocity Albania, se aktualisht po zhvillohen disa projekte të rëndësishme ndërlidhjeje me rajonin, por sa i takon rrjetit të brendshëm, kompanitë duhet të sjellin parashikime më realiste.

“Detyra jonë e parë si Operator i Sistemit të Transmetimit është që të sigurojmë kapacitetin e nevojshëm për lëvizje të lirë të energjisë. Për këtë janë zhvilluar disa projekte të rëndësishme. Më i fundit që po zbatohet është ai me Maqedoninë e Veriut. Në Fier, ku kemi një pikë të rëndësishme, do të ketë një investim që shkon drejt Greqisë.

Po punojmë me Malin e Zi për një linjë 220 kv. Rritja e këtij kapaciteti na bën të mundur plotësimin e çdo kërkese. Kjo është e harmonizuar edhe me pjesën e reformës, ku OST po vijon të punojë me prioritet, për forcimin e linjave në zonat ku kemi kërkesën më të madhe”, – tha
Drenova.

Sipas tij, sistemi i brendshëm i transmetimit përballon kërkesat aktuale për kapacitet sa u takon projekteve të investimeve, por në vazhdim kërkoi që parashikimet të jenë sa më të sakta, në mënyrë që edhe planet e kompanisë për investime të jenë sa më pranë këtij parashikimi, duke e bërë më efektive punën.

“Sistemi ynë është aktualisht i aftë të përballojë kërkesat në zonat ku bëhen investime. Kërkesat për prodhimin e energjisë të jenë sa më reale dhe jo futuristike, sepse kërkesa reale do të bëjë që investimet tona të jenë më të shpejta.

Kjo është një nga pyetjet që ne kemi sa u takon kapaciteteve që duhet të zhvillohen. Duhet të gjejmë një balancë mes kërkesës për diellor dhe mundësive që kemi apo aftësinë ta akomodojmë atë. Optimizimi dhe rritja e investimeve të KESH dhe aftësia jonë për të rritur interkonjeksionin janë të rëndësishme.

Me rritjen e interkonjeksionit shtojmë vlerën e investimeve që janë bërë. Çdo investim serioz që kryet në prodhim do të jetë partner dhe do të ketë mundësi të transmetojë energjinë”, – tha Drenova.

Vetëprodhuesit, kapaciteti 109 MW, OSSH: Kërkesa e lartë, nevojë për maturim

Vetëprodhuesit e energjisë janë kthyer në një grup të rëndësishëm në sektorin e energjisë. Këtu bëjnë pjesë të gjithë ato subjekte që prodhojnë energji nga impiantet fotovoltaikë për konsum dhe jo tregtim.

Bledian Dalipi, nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, pjesë e OSHEE Group, nënvizoi se janë mbi 1100 instalime për vetëprodhim në rrjet dhe kapaciteti i tyre ka arritur 109 MW. Kërkesa nga ky grup vazhdon të mbetet e lartë, duke e vënë nën presion kompaninë për planet e investimit.

“Kriza e energjisë ka rritur interesin e konsumatorit në lidhje me gjetjen e mënyrave për të ulur faturat e konsumit të energjisë dhe në këto kushte, ne jemi duke u përballur me një numër të lartë kërkesash. Falë procedurës së lehtësuar, çdo konsumator mund të paraqesë aplikim pranë Operatorit të Shpërndarjes dhe brenda pak ditësh jepet miratimi. Ne si OSSH jemi përgjegjës për plotësimin e kushteve të sigurisë.

Në vlerësimin tonë, vetëprodhuesit kanë ndihmuar pjesën operacionale, pasi impiantet janë të instaluara kryesisht në qendrat e ngarkesës. Industria ka zhvilluar pjesën më të madhe të projekteve dhe kjo na ndihmon për të ulur flukset e ngarkesës.

Sa i takon sistemit të matjes, çdo përdorues instalon matës me dy drejtime dhe lexohet në distancë, duke netuar energjinë, sipas udhëzimit në fuqi. Në bazë të kërkesave jemi duke zhvilluar vazhdimisht analizat tona për orientimin e flukseve dhe jemi duke parë mundësinë për rritjen e kapaciteteve në rrjetat e shpërndarjes, në atë zona ku kërkesa për impiante është më e lartë.

Kemi një numër të lartë kërkesash, por që në planin praktik, nuk na lehtëson të jemi sa më efektivë dhe koncizë në planifikim. Do të donim maturim të kërkesave që të përgjigjemi me sa më efektivitet për këtë kategori”, – tha Dalipi.

Miratimi i një netimi vjetor nga ai mujor pritet sipas kompanive instalatore të fotovoltaikëve t’i japë rritje edhe më të shpejtë kërkesës nga grupi i vetëprodhuesve. Gjithsesi, zbatimi i plotë i ligjit dhe përfitimet e tij reale do të mund të shihen qartë pas miratimit të akteve ligjore për të cilat është lënë një vit afat.

Vetëprodhuesit
Kriza e energjisë ka rritur interesin e konsumatorit në lidhje me gjetjen e mënyrave për të ulur faturat e konsumit të energjisë dhe në këto kushte, ne jemi duke u përballur me një numër të lartë kërkesash. Falë procedurës së lehtësuar, çdo konsumator mund të paraqesë aplikim pranë Operatorit të Shpërndarjes dhe brenda pak ditësh jepet miratimi

Bursa e Energjisë bën anëtarësimet e para, e nis me kompanitë publike

Teksa dëgjon që Bursën e Energjisë e ndajnë disa ditë nga fillimi i funksionimit sërish të krijohen rezerva si një nga projektet më të zvarritura të sektorit të energjisë, por që tashmë duket se ka marrë rrugë.

Të paktën kështu konfirmoi publikisht gjatë forumit të energjisë, administratori i ALPEX, Sokol Dishnica. Ai nënvizoi se është miratuar paketa e rregullave nga Enti Rregullator i Energjisë dhe janë regjistruar anëtarët e parë të bursës, që janë kompanitë shtetërore të sektorit.

“Bursa është një institucion apo hallkë e rëndësishme brenda sektorit. Sot që flasim jemi në përfundim të back-up të të gjithë platformave. Janë miratuar setet e rregullave dhe kemi nisur procesin e anëtarësimit të FTL, OSSH dhe KESH. Kemi kërkesa dhe aplikime nga kompani të huaja për bursën.

Në ditët në vazhdim do të ofrojmë ankandin e parë të bursës që do të jetë publik. Me zbatimin e bursës, Shqipëria bëhet një vend i ngjashëm me një nga vendet e BE-së, në kuptimin që çdo llogaritje e bursës do të shkojë sipas algoritmeve të bursave të Europës.

Nëpërmjet bursës do të ofrohet fillimisht tregu i energjisë i ditës në avancë dhe pas një viti, edhe tregu brenda ditës. Bursa, me të gjithë hapat e hedhur deri më tani, mbyll paketën që ofrohet sot në bursat europiane. Shqipëria dhe Kosova po marrin një nismë ambicioze dhe ky mund të jetë i pari i bashkuar në Ballkanin Perëndimor dhe kjo më pas do të vazhdojë me Greqinë dhe me Serbinë e Malin e Zi.

Procedurat e tjera e ndihmojnë dhe lehtësojnë procesin. Kemi përfshirë edhe sektorin bankar, për t’u dhënë oksigjen anëtarëve të bursës, por edhe për ta bërë një model automatik, ku shmangen gabimet”, – tha Dishnica.

BERZH mbështet sektorin, por këshillon për kujdes nga investitorë pa përvojë

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është një nga institucionet financiare ndërkombëtare që ka pasur fokus të vazhdueshëm te projektet e energjisë. Marçela Mehmeti, përfaqësuese e Bankës në forumin dhe panairin e energjisë, bëri një përmbledhje të portofolit dhe projekteve të bankës, por e vuri theksin te tendenca për të investuar edhe nga biznese që s’kanë njohuri mbi sektorin.

“BERZH ka angazhuar në portofolin e saj 650 milionë euro në sektorin e energjisë, në një numër të konsiderueshëm projektesh gjatë historikut të bashkëpunimit me Shqipërinë. Po mbështesim KESH për projektin e diversifikimit të prodhimit të energjisë me një park fotovoltaik lundrues mbi Vaun e Dejës, që është një infrastrukturë tërësisht inovative dhe më i madhi në Europë pasi të përfundojë.

Një park mbi liqen zgjidh njëkohësisht atë problemin që kemi folur mbi mungesën e tokës. Ndryshimet klimatike kanë dhënë ndikimet e tyre, duke sjellë thatësira e për rrjedhojë, rritje të importeve që janë kosto. Në këtë pikë merr rëndësi diversifikimi i burimeve gjeneruese”, – tha znj. Mehmeti.

Sipas saj, politikat mbështetëse shtrihen në programe që zbatohen edhe nëpërmjet bankave të nivelit të dytë me të cilat BERZH ka një marrëdhënie të vazhdueshme, duke ndarë rrezikun në projekte ku bankat kanë pak përvojë.

“Ne kemi marrëdhënie huaje me disa banka të nivelit të dytë në disa komponentë. Kemi projekte për energjinë dhe eficiencën. Një nga sfidat që shohim në këtë sektor, në këndvështrimin e një banke, është vështirësia për të siguruar një blerës në projekte të mëdha të energjisë, që janë aktualisht ato në fotovoltaike.

Projektet solare janë në qendër të vëmendjes dhe kemi vënë re që një faktor është rritja e çmimit që ka tërhequr shumë investitorë me pak informacion apo informacion të kufizuar. Shpresojmë që rënia e çmimeve në tregje të dekurajojë ata që mund të investojnë në mënyrë spekulative, në këtë sektor”, tha përfaqësuesja e BERZH

Revista Monitor;  https://www.monitor.al/kriza-qe-po-riformeson-sektorin-e-energjise-2/