Krenaria e Ramës për inceneratorët i ka dhënë flatra dyshimit të thellë për çdo vendimmarrje të tij.
Rama ka thënë vazhdimisht e publikisht se është krenar me vendimin e marrë për inceneratorët. Njerëzit kanë filluar të kuptojnë se inceneratorë nuk ka dhe Qeveria jep lek, sikur inceneratorët janë duke punuar. Rama do bëhej qesharak nëse do vazhdonte të thoshte se jam krenar me vendimin e marrë nga Qeveria ime për inceneratorët. La shije të keqe edhe i dërguari i Ramës, z. Arapi, administratori i shtetit i inceneratorëve të Fierit e Elbasanit, i cili u tregua krenar për punën që po bën me inceneratorët e vjedhur, për të mbuluar vjedhjen.
Çfarë duhet të bëjë tani Rama për këtë vendimmarrje, që për çdo njeri është provuar që është një skandal i pa dëgjuar në këto 30 vjet?
Le të shohim më parë skemën më të mundshme të kësaj grabitje të buxhetit të shtetit.
Përtej vjedhjeve tashmë të qartësuara me inceneratorët, njerëzit po binden se skema është bërë që në fillim me qëllimin për të vjedhur, jo se vjedhja ndodhi në rrugë e sipër.
Nga hetimi i çeshtjes së inceneratorëe akoma nuk është treguar se kush ka qënë individi, apo grupi që ka inincuar skemën e vjedhjeve dhe cili ka qënë thelbi i skemës se vjedhjes.
Individi apo grupi “inteligjent” i formimit të skemës e ka pasur të qartë në vetvehte se për të rrëmbyer paratë e buxhetit do duhej të shkruante një projekt që do dukej innovativ, pra që do ndërtoheshin inceneratorë, që do prodhonin dhe energji elektrike, por edhe me çmim shumë të arsyeshëm për tu pranuar nga autoritetet, duke pasur të qartë në vehtvete se në vend të inceneratorëve funksional do të ndërtonin karabina të ngjashme me inceneratorët, që më pas nuk do viheshin në funksion si të tillë me justifikime të ndryshme, si përshembull ai i caktimit të cmimit prej EREs për energjinë elektrike të prodhuar nga inceneratorët etj. Për të shmangur skandalin e mundshëm iniciuesit e skemës do ndërtonin vetëm landfillet, për të akomoduar plehrat, që kanë realisht një kosto ndërtimi, disa herë më të vogël se sa i kërkohej Qeverisë për inceneratorët. Nga ana tjetër është bërë kujdes që propozimi i pakërkuar të bëhej i pranueshëm, nga autoritetet, duke ofruar një çmim, shumë herë më të vogël për gjoja inceneratorët se sa çmimi real i ndërtimit të inceneratorëve në tregun ndërkombëtar. Do të mjaftonte qysh në ditën e paraqitjes së projektit zyrtarisht të verifikohej që çmimi inceneratorëve për tu sjellë në Shqipëri rezultonte disa herë më i ulët i krahasuar me çmimin e tregut ndërkombëtar, që projekti i inceneratorit të ishte rrëzuar menjëherë.
Shpikësi i skemës, që me shumë të ngjarë duhet të jetë një njohës i mirë i inceneratorëve, ndonjë italian apo hollandez, pasi ka gjetur dhe partnerin biznesmen, shqiptar në vjedhjen e përbashkët i është dashur të korruptoj një autoritet vendimmarrës në Shqipëri i gatshëm për të lobuar për koncesionin (pra skemën) në nivelin e kryeministrit. Autoritetit i korruptuar mund edhe të ketë besuar se skema ka qënë funksionale dhe ka lobuar me zellin e të korruptuarit tek vetë kryeministri, nëse autoriteti nuk ka qënë vehtë kryeministri, që duket më pak e mundshme.
Me akuzat e shtuar ndaj Bllakos, për inceneratorin e Elbasanit dhe komunikimin me të kërkuarin rishtaz për ta arrestuar, z. Mërtiri, me arrestimin e supervizorit Arben Dervishaj etj, duket se SPAK po penetron tek thelbi i vjedhjes “spektakolaro-vulgare” për të cilën zinxhiri i filtrave institucionale të shtetit nuk ka funksionuar, madje është inkurajuar mosfunksionimi i tyre. Qeveria dhe vetë personalisht z. Rama ka një përgjegjësi të madhe, që është rënduar edhe më shumë me mbrojtjen që i është bërë vjedhjes “spektakolaro – vulgare” deri edhe sot.
Tash Qeveria dhe Edi Rama, vetëm prej precedentit të inceneratorëve janë bërë në sytë e publikut të gjërë të pabesueshëm në vendimmarrjet e ndryshme.
Përmasat e skandalit të inceneratorëve janë të tilla, që në mënyrë të vetvetishme ka krijuar në publik mendimin se Rama merr vendime të gabuara, sidomos kur i merr ato me procedurë të përshpejtuar dhe pa i diskutuar më parë me publikun, sic e kërkon dhe ligji për informimin dhe pjesmarrjen e publikut në vendimmarrje.
Kështu sot ka dyshime të forta të opinionit publik për vendimet e kohëve të fundit prej Qeverisë Rama; për Parkun e Butrintit, për Durrës Yacht Marina, për anijet me naftë, që do prodhojnë energji elektrike në Gji të Vlorës, për gazifikimin e vendit, për investitorët strategjik, për koncesionet për rrugët etj.
Duhet reflektim i thellë me masa drastike. Kryeministri Edi Rama meqënëse nuk e konsideron dorëheqjen për skandalin e inceneratorëve, i duhet një Mea culpa e madhe publike, nominale për vendimmarrjen e inceneratorëve.