KESH duhet ndihmuar për të anulluar kontratën e qiramarrjes së TECeve lundruese.
KESH është autori zyrtar që ka nënshkruar kontratën me Pronarin Fillestar offshore Excelerate Global Operations LLC dhe Ofruesin e parë të Shërbimit RENCO. S.P.A për marrjen me qira të TECit lundrues (përbërë nga 2 njësi, të quajtura Tigri1 dhe Tigri 3) në Prill të vitit të kaluar.
KESH tash është e provuar pa asnjë dyshim që ka përgjegjësi të plotë ligjore për këtë kontratë qiramarrje, duke filluar nga thirrja për tender, qartësisht e realizuar që fitues të ishte i vetëm Excelerate (që nuk i kishte, por sapo nënshkroi kontratën i bleu tigrat në Bangladesh).
Fajësia e KESH do provohet edhe në Gjykatë së shpejti sipas padisë së bërë kundër KESH dhe institucioneve të tjera në Shqipëri, prej shoqërisë civile dhe banorëve të Vlorës.
Duke qënë se në këtë padi të ngritur nuk qe e mundur të gjendej adresa e qiradhenesit të TECit lundrues në Shqipëri dhe duke qënë se aktet që rrjedhin nga kjo kontrate, e nënshkruar nga palët, do të interpretohen sipas ligjit anglez ( pra në një gjykatë në Londër) rreziku është që 68 milion EUR ose më shumë të përfundojnë offshore, njësoj si me incenratorët.
Ka akoma një mundësi që këto para të taksapaguesve shqiptarë të shpëtohen. Kjo duket se është në dorë të KESH, që të bëhet i penduar dhe të ketë guximin të akuzoj bashkëfirmëtarët e kontratës së qiramarrjes e të prishi kontratën. Argumetat janë të shumta. Mjafton mosvënia në përdorim e TECit lundrues në kohë të arsyeshme, moskryerja e testeve të nevojshme të funksionimit dhe ndotjes mjedisore, fallcifikime të të dhënave për parametra të ndryshëm etj, që KESH vetë i di më mirë se çdokush tjetër.
Juristë të qeverisë, avokatë të shtetit, avokati i popullit, shoqëria civile, edhe media të gjithë duhet të mobilizohen të shpalosin aftësitë e tyre të mos lejojnë këtë vjedhje spektakolare.
Kështu një padi e ngritur nga KESH (tashmë sipas ligjit anglez) do shpëtonte dhe vetë drejtuesit e KESH.
Nëse KESH nuk vepron kështu, por vazhdon të ushqejë vjedhjen, sic bëri tani me 7.8 Milion USD, që i dha kompanisë Petrolifera, për gjoja depozitimin e transportimin e naftës, apo do të vazhdoj me blerjen e naftës e kështu me rradhë ajo që do të ndodhë është se edhe milionat do vidhen dhe SPAKut do ti shtohet shumë puna.