Kaskada e Lumit Shala, ministria sqaron procedurën koncesionare

Kaskada e Lumit Shala, ministria sqaron procedurën koncesionare

Në kuadër të transparencës për opinionin publik, Ministria e Energjisë dhe Industrisë sqaron se në vitin 2009, Qeveria kishte firmosur një kontratë për ndërtimin e 6 hidrocentraleve në lumin e Shalës. Totali i fuqisë së instaluar për këto HEC-e parashikohej të arrinte në 127.600 kW ndërsa prodhimi mesatar i energjisë do shkonte në 530.350.000 kWh.

Gjatë auditimit që Ministria e Energjisë dhe Industrisë u bën kontratave koncesionare në fuqi, rezultoi se në këtë rast ishin shkelur disa aspekte proceduriale mes të cilave: projekti ishte jo i plotë dhe në përmbatje të tij mungonin një sërë raportesh e dokumentash si skema e shfrytëzimit hidroenergjitik; raportet hidroenergjitike e hidroteknike; raportet e vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe raportet e planit të biznesit. Koncesionari, gjithashtu nuk kishte përmbushur detyrimin për sigurimin e kontratës siç përcakton legjislacioni. Për këto arsye, Ministria e Energjisë dhe Industrisë vendosi në mënyrë të njëanshme zgjidhjen e kontratës së koncesionit.

Nisur nga potenciali hidroenergjetik që paraqet ky pellg ujëmbledhës, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, në cilësinë e Autoritetit Kontraktor vendosi ta rihapë procedurën për shfrytëzimin e tij, tashmë me propozim të kërkuar. Njoftimi për shpalljen e procedurës është bërë publik në përputhje me kërkesat e legjislacionit dhe në përfundim ka rezultuar si pjesëmarrëse në garë bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Çinar-San Hafriyat Nakliyat Insaat Turizm Sanayi Ve Ticaret LTD.STI”, “Shala Energy PLC” dhe “Falak Properties LLC”. Pas shqyrtimit të dokumentacionit kompania është shpallur fituese e kësaj gare.

Në Termat e Referencës, Autoriteti Kontratës është kujdesur që përveç shfrytëzimit optimal të potencialit hidroenergjetik të këtij pellgu, të ketë në konsideratë edhe ndikimin e tij minimal në mjedis. Në këtë kontekst është konsideruar me shumë vëmendje prezenca e zonave të mbrojtura në Alpet e Veriut dhe shmangia e tyre nga projekti.

Projekti i ri parashikon reduktimin e numrit të hidrocentraleve dhe fuqisë së instaluar krahasuar me atë të projektit të mëparshëm. Nga 6 që parashikoheshin në projektin fillestar të revokuar, tashmë projekti ka 3 hidrocentrale prej të cilave 2 me derivacin dhe 1 me digë nivelngritëse. Sipas projektit të ri fitues, investimi i përgjithshëm për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Shalë është rreth 84.5 milion euro për fuqi te instaluar prej 83.45 MW dhe prodhim mesatar te energjisë elektrike prej 321.5 MWh/vit. Afati i parashikuar per ndërtimin e këtij projekti është 36 muaj.

Projekti i ri i paraqitur nga ofertuesi fitues, sipas VNM-së së paraqitur, nuk ka asnjë ndikim në zonat e mbrojtura pasi ndodhet në disitancë të konsiderueshme prej tyre. Pavaresisht kësaj, Autoriteti Kontraktor do të jetë i kujdesshëm që gjatë negocimit të kontratës koncesionare me ofertuesin fitues, të kushtëzojë deri në revokim të saj, eleminimin ose minimizimin brenda kushteve teknike mjedisore të ndërhyrjeve të koncesionarit.

Impakti social i projektit është i kufizuar pasi nuk kemi zhvendosje të popullatës dhe preket një sasi mjaft e vogël toke bujqësore. Ky impakt pritet të jetë pozitiv përsa i përket punësimit, përmirësimit të infrastrukturës rrugore, transportit, mundësia e rritjes së ekonomive të peshkut, sigurimi i qëndrueshmërisë së furnizimit me energji elektrike etj.

Në projekt është planifikuar që me zbatimin e planeve të rehabilitimit dhe në planifikimin e punimeve rehabilituese, sistemuese dhe pyllëzime, organizimin e punës gjatë ndërtimit dhe teknikat që do të përdoren për ndërtimin e veprave të marrjes, tuneleve të derivacionit dhe tubacionit të presionit, rrugët e kalimit të peshqve dhe godinave të centraleve do të minimizohen impaktet negative.

Punimet rehabilituese do të ndikojnë në përmirësimin e mjedisit pasi do të rehabilitohen sipërfaqet e degraduara. Trajtimi i materialeve të ngurta që dalin nga gërmimet gjatë fazës së ndërtimit të veprave, për ndërtimin e veprave të marrjes dhe kanalit të derivacionit është planifikuar të bëhet në përputhje me rregullat teknike dhe duke respektuar kërkesat për menaxhimin e integruar të mbetjeve e Mbrojtjen e Mjedisit.

Me nënshkrimin e kontratës koncesionare, ndërtuesi ka detyrimin të pajiset me leje mjedisore sipas legjislacionit në fuqi, dhënë nga autoritetet përkatëse, në të cilën do duhet të përcaktohen konkretisht detyrimet dhe penalitetet në aspektin mjedisor të projektit.