‘Kanë lekun dhe shtetin’: Rafineria e naftës në Elbasan akuzohet për ndotje
Banorët e fshatit Balldren në periferi të Elbasanit kallëzuan në polici rafinerinë e kompanisë R.B.H Belinë për ndotje të ajrit pas problemeve të vazhdueshme mjedisore në zonë. Administratori i kompanisë, i cili po procedohet në gjendje të lirë, pretendon se akuzat janë të pabazuara.
Mëngjesin e së hënës së 26 qershorit, banorët e fshatit Balldren në të dalë të Elbasanit, thonë se u zgjuan të mbytur nga era e keqe dhe tymi, që sipas tyre vinte nga kompania R.B.H Belinë. Të dëshpëruar dhe mërzitur nga situata, tre prej tyre iu drejtuan policisë së Elbasanit dhe kallëzuan kompaninë për ndotje të ajrit.
Njëri prej denoncuesve, i identifikuar në komunikatën e policisë si Sh.A, 50 vjeç, i tha BIRN se ata iu drejtuan policisë pasi kishin humbur shpresat tek institucionet e tjera.
“Ne i kemi humbur shpresat që dikush mund të reagojë për këtë gjendje, por vendosëm të bëjmë një përpjekje. Institucionet nuk e di më ku janë, si janë dhe vendosëm t'i drejtohemi policisë,” tha ai, duke refuzuar të identifikohet me emrin e plotë.
Pas marrjes së kallëzimit, policia e Elbasanit deklaroi përmes një njoftimi për shtyp se kishte referuar në Prokurori një procedim në gjendje të lirë për administratorin e rafinerisë, Dionis Likometa, 32 vjeç. Ky I fundit i mohoi akuzat e banorëve.
“Komenti im i vetëm në lidhje me pretendimin e një banori se ka ndotje, fakt që ngelet për t'u provuar, është se ky pretendim është i pabazuar dhe jo realist,” tha Likometa në një përgjigje me shkrim për BIRN.
Ai pretendoi gjithashtu se kompania zotëron të gjitha lejet mjedisore dhe kryen monitorime te vazhdueshme, siç edhe “parashikon legjislacioni ne fuqi”.
Për banorët që jetojnë pranë rafinerisë në Balldren të Elbasanit, mjedisi është qartazi i ndotur.
“Fëmijët tanë mbetën sëmurë. Sa kohë ishim në Greqi, nuk kishin probleme shëndetësore. Sa erdhëm këtu situata është katastrofë. Ngrihemi në mëngjes e nuk marrim dot frymë,” ankohet Pranvera M, 40 vjeç, ndërsa kthehet me të birin përdore nga supermarketi i lagjes.
Gruaja thotë se banorët po vuajnë nga një sërë sëmundjesh dhe se askush nuk merr masa për t'i ndihmuar. “E di që nuk do hiqen nga këtu e nuk do mbyllen, por të paktën t'i kontrollojnë dhe të vendosin filtra, të minimizojnë zhurmat e të na lenë të jetojmë,” shtoi ajo.
Rafineria e përpunimit të naftës bruto nisi të ndërtohej në vitin 2014 në fshatin Balldren të Elbasanit nga kompania “R.B.H Belinë”, e cila më parë e ushtronte aktivitetin e saj në fshatin Zharrëz të Fierit.
Kompania zotërohet në 67% të aksioneve nga bashkëshortja e biznesmenit të ndjerë, Rebani Likometa dhe 33% nga Halil Gashi. Më 8 nëntor 2016, “R.B.H Belinë” fitoi licensën koncesionare për 30 vjet nga Këshilli i Ministrave për rafinerinë e saj të “përpunimit, transportimit dhe tregtimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tjera”.
Rafineria e kryen aktivitetin në një zonë të populluar nga kompanitë e industrisë së rëndë në periferi të Elbasanit – e cila vuan gjithashtu nga një ndotje historike.
Banorët që BIRN takoi në fshatin Balldren, mes të cilëve edhe denoncuesit, thanë se kallëzimi ishte reagimi i tyre për të mos e toleruar situatën, ndonëse kanë pak besim tek institucionet. Ata refuzuan gjithashtu që të identifikoheshin nëpër intervista nga frika e ndonjë presioni të mundshëm.
“Unë nuk dua të dal publikisht, pasi këtu je nën presion. Ka ndodhur që janë kërcënuar pse kanë folur, kanë ngritur zërin apo janë ankuar për ndotjen. Nuk dua ta pësojnë fëmijët apo të afërmit e mi,” tha njëri prej tyre, ndërsa shtoi se puna në rafineri ishte ndalur pas kallëzimit të tyre.
“Ne i kemi humbur shpresat që dikush mund të reagojë për këtë gjendje, por vendosëm të bëjmë një përpjekje,” shtoi një nga denoncuesit.
Kompania R.B.H Belinë ka qenë edhe më herët e kallëzuar penalisht për ndotje, por hetimet e Prokurorisë së Elbasanit për atë rast u pushuan në vitin 2021, duke mos gjetur përgjegjësi.
“Ne kemi bërë edhe protesta. Jemi ankuar. Kemi folur për gazetarët, por asgjë nuk është bërë. Ata që kanë lekun, kanë edhe shtetin,” thotë 40-vjeçarja Pranvera M.
Ndikimi i rafinerisë mbi mjedisin e zonës nuk është problemi i vetëm i banorëve, të cilët ankohen se e gjithë industria aty është përgjegjëse për ndotjen.
“Këtu ferrokromi bën namin. Mjafton të ndiqni procesin kur e kanë ata shkrirjen e gurëve për të parë tymin dhe zhurmën që mbulon këtë vend,” thotë një burrë rreth 60-vjeç që identifikohet si Zaim. Ai tregon se sapo ishte kthyer nga Elbasani ku kishte marrë ilaçet e azmës prej të cilës vuan prej vitesh.
Në një shkrim të botuar nga BIRN në shkurt të këtij viti, rezultoi se Agjencia Kombëtare e Mjedisit i merrte të mirëqena raportet e vetëmonitorimit të kompanive të industrisë së rëndë në zonë.
Në këto raporte, ku bën pjesë edhe kompania R.B.H Beline, nivelet e ndotjes paraqiten gjithmonë poshtë limitit të caktuar nga qeveria shqiptare – një fakt ky që kundërshtohet nga ekspertët e mjedisit.
Banorët e zonës thonë se ndotja është me intervale. Ata pretendojnë se kompanitë i ndezin motorët apo fikin filtrat kryesisht natën dhe se në mëngjes situata në zonë është e padurueshme.
“Çdo herë është i njëjti avaz. Një herë në ditë apo edhe me intervale kohe ajri këtu bëhet i padurueshëm. Hajdeni në mëngjes këtu e do të kuptoni që nuk jetohet,” përfundoi njëri prej kallëzuesve të rafinerisë.
BIRN