“Java Europiane e reduktimit të mbetjeve” filloi mirë me Voltanën dhe përfundoi keq me Shallarin.
Aktivitete të shumta në mbarë Europën bëhen qysh prej vitit 2009 në atë që quhet “Java Europiane për Reduktimin e Mbetjeve”, java e fundit e Nëntorit, që për vitin 2021 filloi më datë 20 dhe mbaroi më datë 28 Nëntor. Kjo javë është fushata më e madhe për të rritur ndërgjegjësimin për parandalimin e mbetjeve në Evropë. Komiteti drejtues Europian shkruan; “Të nxitur nga autoritetet publike lokale dhe rajonale, ne bashkojmë të gjitha llojet e aktorëve të tjerë – qytetarë, shkolla, biznese, OJQ, shoqata – të cilët organizojnë aktivitete për të rritur ndërgjegjësimin për reduktimin e mbetjeve”.
Dhe filloi mirë kjo fushatë më datë 20 Nëntor në Shqipëri, kur në takimin me kryetarët e bashkive, kryeministrin dhe ministren e turizmit dhe mjedisit, Voltana kryetarja e bashkisë Shkoder u angazhua për ndarjen në burim të mbetjeve për vitin 2022 dhe ky angazhim u mbështet nga z. Rama.
Keq dhe shume keq përfundoi Java e reduktimit të mbetjeve me një tryezë të rrumbullakët që konfirmoi vazhdimin e mosreduktimit të mbetjeve.
Në këtë tryezë, që sipas konceptmit të fushatës europiane normalisht duhej të organizohej nga Bashkia e Tiranës, apo institucione të tjera publike, e ka marrë inciativën për organizimin e saj kompania konçesionare, Integrated Energy BV, që operon në landfillin e Sharrës dhe që është pjesë e hetimit nga SPAK për korrupsion të organizuar kriminal. Kjo kompani konçesionare ka kohë që ka joshur profesorë duke i ftuar që të vizitojnë së bashku me studentët e tyre të vizitojnë rrethimin e Sharrës, ku i tregojnë disa parcela të kapsuluara të mbjella me jonxhë, e më pas rosa që notojnë në një pellg të krijuar enkas për reklamim, lepuj, sorkadhe dhe kuaj që bredhin hergjele pranë landfillit. Pas vizitës së “kopështit” të Sharrës konçesionari është kujdesur ti vendos mikrofonin profesorëve. Këta profesorë janë nga Universiteti Shtetëror, Universiteti Bujqësor, universiteti Polis etj. Ku në të gjitha rastet profesorët kanë thënë fjalët më të mira për punën e konçesionarit.
Ndër këta profesorë shquhet profesor Seit Shallari i universitetit Bujqësor, Tiranë, i cili shpesh bën zëdhënësin e konçesionarit të Sharrës.
Kapakun ja vuri dje profesor Shallari kur tha “Kontributin e IntegratedEnergy doja ta përgëzoja për këtë tryezë. Ky problem për Tiranën është i zgjidhur”.
Pra sensibilizim i reduktimi i mbetjeve që kërkohet nga Java Europiane në Tiranë qënka i zgjidhur, sipas prof. Shallarit.
Në realitet problemi i reduktimit jo vetëm që nuk është i zgjidhur por është koklavitur në mënyrë të pazgjidhshme, pasi konçesionari ka kontrat që për 30 vjet të mos i reduktoj mbetjet, por mundësisht ti shtoj ato, që të siguroj më shumë të ardhurat nga groposja e tyre, me tarifën sikur do prodhoj energji, nëpërmjet inceneratorit, i cili nuk egziston. Me këta profesorë Shqipëria do mbetet të paktën edhe për 30 vjet në fund të piramidës së përmbysur të menaxhimit të mbetjeve, qartësisht në kundërshtim edhe me ligjin e menaxhimit të integruar të mbetjeve, miratuar 10 vjet më parë.
Kush do ti ndaloj këta profesorë të shpërdorojnë titullin që kanë, jo rrallë në shërbim të veprimeve kriminale?. Mbase SPAK duhet të merret edhe me profesorët, që mos të shërbejnë si promovues me ose padashje të krimit të pa ose të organizuar.