Inceneratori në 2013n, emergjenca në 2014n dhe thellimi saj sot e nesër.
Dukshëm emergjenca e shpallur në Shkurt 2014 u shpall për ti hapur rrugën inceneratorit të Elbasanit, ose/edhe incenaratorëve të Fierit e Tiranës.
Në 2013, kur diskutimi i nxehtë ishte për ndalimin e importit të plehrave një lajm që nuk u besua shumë, pasi importi u ndalua me ligj, ishte ai se në Shqipëri do vinte një incenerator i përdorur nga Hollanda. A është inceneratori i Elbasanit ai i përdoruri i Hollandës? Këtu duhet filluar për të hyrë në thelbin e aferës së inceneratorëve. Dhe kjo nuk është shumë e vështirë. Thjesht duhet gjurmuar nga kanë ardhur pjesët e montuara në Elbasan, çmimi i tyre, parametrat e tyre, krahasimi me studimet e fisibilitetit dhe të dhënat e tregut ndërkombëtar për to. Ajo që mungon totalisht në debatet publike deri tani është një vlerësim teknik i inceneratorëve të Elbasanit e Fierit, nga ku mund të kapet filli i historisë së inceneratorëve.
Kush është personi i parë i Qeverisë që presantoi idenë e inceneratorëve në Shqipëri, para apo edhe pas 4 Shkurtit 2014, kur u shpall emergjenca mjedisore? Nëse është personi privat, i pari, që kërkoi të ndërtohej incinerator në Elbasan, kush është personi apo personat specialist të Qeverisë që e shqyrtuan dhe dhanë OK tekniko-ekonomik për incinerator të Elbasanit?. Sigurisht duhet të ketë një raport për këtë fazë. Pyetja kryesore është se me çfarë reference është dhënë OK? Cili do të ishte çmimi i inceneratorit të Elbasanit me kapacitet 120 ton incenerim mbetjes në ditë, të tipit WtE (me prodhim energjie) në tregun ndërkombëtar?
Inceneratorët janë rasti tipik që tregon se sistemi i filtrave të administratës shtetërore nuk fuksionon ( nga paaftësia, apo nga frika prej punëdhënësit) ose edhe më keq funksionon në favor të krimit duke bashkëpunuar më të.
Afera me inceneratorët nuk qëndron tek shpërdorimi i detyrës, apo pastrimi i parave, por qëndron tek mashtrimi në grup me qëllim vjedhje pasuri publike dhe krijim humbje ekonomike afatgjatë, për 30 vjet.
Pse emergjenca bëhet më e thellë?
Emergjenca mjedisore e shpallur në 4 Shkurt 2014 për mbetjet ka bërë situatën mjedisore edhe më emergjente tani pas 8 vitesh. Pavarësisht nga rrethimi i bërë i groposjes së mbetjeve në Elbasan, Fier e Tiranë, si dhe kapsulimi qe po bëhet në Durrës, ku djegja e mbetjeve është ndaluar (në Elbasan ka të dhëna se mund të ketë ndodhur edhe brenda rrethimit, me ose pa qellim) i gjithë vendi vuan nga akumulimi i mbetjeve nëpër brigjet e përrenjve e lumenjve e deteve. Edhe prefekturat e inceneratorëve gjithashtu po vuajnë. Shumë njësi administrative të këtyre prefekturave më parë kishin një vend depozitimi të miratuar, që përgjithsisht ishte bërë me një kriter izolimi natyral të përhapjes së ndotjes dhe ndotja ishte më e përqëndruar. Me situatën e detyrimit për të dërguar mbetjet tek inceneratorët në distanca shumë më të gjata, shumë mbetje gjejnë rrugën më të shkurtër duke u fshehur nëpër brigje, lumenjsh, përrenjsh, kanalesh, pellgjesh, anës rrugëve. Kështu mbetjet tani janë të përhapura në një territor më të madh në vend, shumë më të pakontrolluara se më parë, dhe kështu me rrezikshmëri shumë më të madhe. Dhe natyrisht nuk ka asnjë mekanizëm funksional që të ndaloj djegjet e mbetjeve, në ambient të hapur, kudo në vend, në ambjentet pranë familjeve dhe bizneseve.
Duke qënë se distancat e transportit janë shumë më të mëdha, duke qënë se çmimet për depozitimin do të rriten (në Tiranë tashmë janë të rritura), se gjoja mbetjet incenerohen do të ndodh tendenca që mbetjet të mbeten sa më afër vendit, ku ato gjenerohen. Kjo do ta bëj Shqipërinë edhe më pis, se ç’është.
A ka zgjidhje? Nuk ka zgjidhje nëse nuk anullohen kontratat konçensionare të inceneratorëve. Edhe sikur të arrestohet gjysma e Qeverisë, përsëri nuk ka zgjidhje. Vetëm nëpërmjet anullimit të këtyre konçesioneve do të ishte e mundur të rishikohet politika e menaxhimit të mbetjeve sipas standarteve të BEsë dhe specifikave të Shqipërisë.