Ikën Kalivaçi, Vjosa Park Kombëtar - Gëzohuni

Katër vjet më parë Edi Rama deklaroi në miting në Përmet se Vjosa do bëhej Park Kombëtar, që më së pari kupton se nuk do ndërtohej asnjë HEC në Vjosë. Nuk do ndërtohej as Kalivaci që kish marrë lejen për ta ndërtuar qysh në vitin 1997. Dhe ja tani pas 20 vitesh anullohet kontrata për HEC të Kalivacit.
Edi Rama po e mban fjalën. Edhe Lulzim Basha është deklaruar publikisht kundër HECeve në Vjosë.
E si mund të jetë ndryshe? Të gjithë kryetarët e bashkive të sotëm dhe të bashkive e komunave, para reformës territoriale, të luginës së Vjosës nga Carshova deri në Novosel janë shprehur publikisht me shkrim e me gojë kundër ndërtimit të HECeve në Vjosë, natyrisht duke reflektuar qëndrimin e qartë të komuniteteve që përfaqësojnë.
E pa dëgjuar më parë është, që për një çështje mjedisore specifike, të ketë deklarata politike në nivel Europian si deklarata e këshillit Europian e vitit të kaluar për lumin Vjosë pa diga, apo disa deklarata të eurodeputes Lunaçek, e cila u vu edhe në pozicionin e aktivistes në Vjosë, krahas kajakistëve nga Europa që vozitën përgjatë Vjosës në Maj të vitit të kaluar.
Europianët e quajnë Vjosën pasuri Europiane, pasi është i vetmi lum i madh me rrjedhje të lirë në mbarë Europën, pa pjesën e Rusisë. Shqiptarët e mirë nuk mund të mos kuptojnë që ruajtja e një pasurie natyrore Europiane do të krijonte pa mëdyshje dhe një pasuri të shtuar ekonomike për gjithë Shqiptarët e sidomos të atyre që jetojnë ndër shekuj në këtë luginë të mrekullueshe.
Vetingu do të japë një impakt të fuqishëm në mbrojtje të mjedist. Ja, shembulli i parë, vetëm disa ditë më parë, kur gjykata vendosi që vlerësimi i ndikimit në mjedis për HEC të Poçem në Vjosë është jo i ligjshëm, pra HEC në Poçem nuk mund të ndërtohet. Ministri Gjiknuri e ka të kot apelimin në shkallë tjetër. Mjafton të konsiderohet vetëm fakti, që ujrat e burimeve të Poçemit e kanë në 2/3 e sasisë së tyre origjinën nga ujrat nëntoksore të Vjosës, të cilat në rastin e ndërtimit të digës do të kontaninoheshin duke i bërë ato të pa pishme. Nga ana tjetër është në rastin më të mirë dritëshkurtësi, tani kur globalisht energjia nga panelet fotovoltaike jo vetëm që është me ritmet e rritjes më të mëdha se çdo energji tjetër dhe energjia absolutisht më e pastër, me thuajse zero ndikim në mjedis, por edhe energjia që punëson më shumë njerëz se të gjitha të tjerat. Madje vetë Gjiknuri ditët e fundit ka dhënë një tufë me leje për ndërtim impjantesh diellore.
Ka ikur koha që lumi shihej vetëm si burim energjie. Vjosa dhe ne jemi me fat. E gjithë Vjosa do bëhet Park Kombëtar, ta gëzojnë Shqiptarët dhe Europjanët.