I kërcënuar nga hidrocentralet, lumi i fundit i egër në Europë zbulon sekretet e tij

I kërcënuar nga hidrocentralet, lumi i fundit i egër në Europë zbulon sekretet e tij

Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh ka regjistruar gjatë një ekspedite të shkurtër qindra gjallesa të reja në lumin Vjosë, dy prej të cilave të panjohura më parë për shkencën- një zbulim i jashtëzakonshëm që shton zërat për mbrojtjen e basenit të tij nga projektet për ndërtimin e hidrocentraleve.

Në prill të këtij viti, rreth 30 shkencëtarë nga katër vende europiane u zhvendosën për një javë pranë fshatit Poçem në luginën e Vjosës në jug të Shqipërisë — e cila sipas aktivistëve mjedisorë kërcënohet nga projektet e qeverisë shqiptare për ndërtimin e hidrocentraleve — për të hulumtuar biodiversitetin e pastudiuar më parë të lumit dhe për të vlerësuar transportin e sedimenteve, çfarë përcakton dhe jetëgjatësinë e digave të projektuara në rrjedhën e tij.

“Është e pabesueshme çfarë kemi zbuluar vetëm në një javë,” u shpreh Fritz Schiemer nga Universiteti i Vjenës gjatë prezantimit të gjetjeve të martën në Tiranë, duke iu referuar zbulimit të një lloji të ri peshku dhe të një insekti ujor të panjohur më parë nga shkencëtarët.

Gjatë ekspeditës së tyre, ekipi i shkencëtarëve ka regjistruar 300 lloje gjallesash të ndryshme në Vjosë, përfshirë 41 lloje speciesh që janë gjetur për herë të parë në Shqipëri, duke e renditur lumin që buron në malet e Pindit në Greqi dhe derdhet në detin Adriatik, si një prej lumenjve me rëndësi Europiane për sa i përket biodiversitetit.

Sipas shkencëtarëve, lugina Vjosës përbën një habitat për shumë lloje kafshësh dhe bimësh që janë shumë të rralla ose janë zhdukur fare nga lumenjtë e tjerë të Evropës. Megjithatë, shumë prej këtyrë gjallesave tashmë kërcënohen të zhduken nga ndërtimi i planifikuar i hidrocentralit të Poçemit dhe ai i Kalivaçit.

Pavarësisht premtimit elektoral të kryeministrit Rama për shpalljen e Vjosës park kombëtar dhe ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve, në korrik 2015, Këshilli i Ministrave i hapi rrugën procedurës për dhënien me koncesion të hidrocentralit të të Poçemit, megjithë kundërshtinë e aktivistëve mjedisorë dhe atë të banorëve që jetojnë përgjatë rrjedhës së lumit.

Në nëntor 2016, Ministria e Energjisë njoftoi dhënien e lejes për ndërtimin e hidrocentralit dhe nënshkrimin e kontratës me kompaninë turke “Kovlu Energji”.

Specia e re e peshkut e zbuluar në Vjosë | Foto nga : Wolfram Graf

Një mua më vonë, tre organizata mjedisore — EcoAlbania nga Shqipëria, Riverëatch nga Austria dhe EuroNatur nga Gjermania — ngritën një padi gjyqësore kundër projektit të Poçemit.

Në një vendim të paprecedentë në 2 Maj 2017, Gjykata e Administrative në Tiranë pranoi padinë e banorëve dhe të aktivistëve, duke gjetur se procedurat e ndjekura në dhënien e kontratës koncesionare, përfshirë procesin e konsultimit publik, qenë bërë në shkelje të ligjeve shqiptare si dhe legjislacionit të Bashkimit Europian për mbrojtjen e mjedisit.

Pavarësisht fitores së arritur nga aktivistët dhe banorët e Vjosës, tre javë pas vendimit të Gjykatës Administrative, qeveria hapi një tender të ri për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit mbi lumin Vjosë.

I projektuar gjatë peridhës së komunizmit në Shqipëri, ndërtimi i hidrocentralit të Kalivaçit iu dha fillimisht me koncesion në vitin 1997 kompanisë Kalivaçi Green Energy, e drejtuar nga biznesmeni famëkeq italian Francesco Beccheti.

Pas 20 vjetësh zvarritje dhe ndërprerje punimesh, qeveria shqiptare i hoqi licencën Becchetit dhe në 30 Maj 2017 hapi një garë të re për përzgjedhjen e një investitori të ri që do të ndërtonte hidrocentralin, ku vetëm 30 % e punime janë realizuar.

Planet e qeverisë shqiptare për të ndërtuar hidrocentrale mbi lumin Vjosë janë kritikuar edhe nga Parlamenti Europian, që i ka bërë thirrje Tiranës zyrtare të marrë në konsideratë propozimin për ta kthyer luginën në një park kombëtar.

228 shkencëtarë nga vende të ndryshme të botës iu bashkuan në shtator 2016 përpjekjes së aktivistëve dhe studiuesve shqiptarë për të mbrojtur lumin Vjosë dhe kërkuan një moratorium 3-vjeçar për t’i dhënë kohë ekspertëve të studiojnë në thelb pasuritë ekologjike të saj.

Insekti i ri i zbuluar nga shkectarët Isoperla Vjosae | Foto nga Wolfram Graf

Përveç biodeversitet të pasur të luginës që rrezikon të shkatërrohet nga ndërtimi i digave të hidrocentraleve, shkencëtarët gjithashtu kanë ngritur pikëpyetje mbi leverdinë ekonomike të ndërtimit të HEC-eve në Vjosë, duke nënvizuar se matjet e prurjeve të sedimenteve tregojnë që prodhimi i energjisë pas ndërtimit të digës së Poçemit nuk do të zgjaste më shumë se 25–30 vjet, pasi rezervuari do të mbushej plotësisht me zhavorr dhe rërë.

“Vlerësimet tona konfirmuan një situatë ku shpejt të gjithë do të dalin të humbur nëse ndërtohet hidrocentrali i Poçemit,” tha Dr. Christoph Hauer nga Universiteti i Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës (Boku) në Vjenë, i cili ka kryer për herë të parë matjet e profilit të shtratit të lumit deri në 2 kilometra gjerësi.

“Përveç zhdukjes së specieve, prodhimi i energjisë do të reduktohet në mënyrë drastike, meqenëse transporti masiv i sedimenteve të Vjosës do të mbushë rezervuarin e projektuar me zhavorr dhe rërë brenda 25–30 viteve,” shtoi ai, duke nënvizuar se i njëjti përfundim ishte i vlefshëm edhe për hidrocentralin e Kalivaçit.

Profesorët Schimer dhe Hauer nënvizuan se përpara se të merren vendimet për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë, është e nevojshme të ngrihet një program gjithëpërfshirës kërkimi shkencor, që po realizohet në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës.

“Bashkëpunimi me kolegët tanë nga Austria dhe Gjermania është një fillim shumë i mirë për studime të mëtejshme në Vjosë,” tha Profesor Aleko Miho nga Universiteti i Tiranës. “Duam ta zgjerojmë bashkëpunimin për të ruajtur këtë lumë të rrallë në Evropë,” shtoi Miho, duke nënvizuar se qeveria duhet të krijojë një park kombëtar në vend të ndërtimit të digave në Vjosë.

Prezantimi i gjetjeve nga shkenctarët në Tiranë

Profesor Fritz Schimer zbuloi se kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumin Vjosë ishe bërë tashmë një ankesë në sekretariatin e Konventës së Bernës për Mbrojtjen e Habitateve Natyrore në Europë, një konventë ndërkombëtare që është nënshkruar nga Shqipëria.

“Rezultatet tona tregojnë se një studim i vazhdueshëm i biodiversitetit dhe i transportit të sedimenteve është absolutisht i domosdoshëm,” tha ai. “Ndërkohë këto rezultate e forcojnë ankesën e ngritur në Bernë kundër ndërtimit të hidrocentraleve,” përfundoi ai.

Besar Likmeta

RRETH AUTORIT

Besar Likmeta

Besar Likmeta është redaktor për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Shqipëri — BIRN Albania. Likmeta ka punuar si gazetar që nga viti 2003, në shtypin e shkruar, online dhe në televizion, duke kontribuar shkrime për publikime si Foreign Policy, The Sunday Telegraph, Christian Science Monitor, etj. Likmeta është fituesi çmimit CEI/SEEMO për merita në gazetari investigative për vitin 2009.