Vjedhja më e madhe në 3 dekadat e fundit në Shqipëri, e që po konkretizohet projektimi i saj edhe për 3 dekada të tjera është pa dyshim në sektorin e energjisë.
A nuk është vjedhje e madhe, vjedhja me TECin e Vlorës, me mbi 130 milion Euro, e ku vazhdohet të vidhet nga taksa paguesit, gjoja me mirëmbajtjen e TECit? A nuk është vjedhje e madhe kjo e inceneratorëve, që gjoja do prodhonin energji, për 20-30 vitet e ardhshme e që qytetarët po paguajnë e do paguajnë, sikur prodhohet energji, rreth 400 milion Euro? A nuk është vjedhje e madhe kjo e TECeve lundruese, që gjoja do prodhonin energji eletrike dhe pronarët e tyre do marrin rreth 70 milion Euro, për parkimin, në vënd që ata të paguajnë për parkimin? A nuk është vjedhje, vjedhja e ujit të qindra fshatrave, nëpërmjet qindra kilometrash tubacione, prej HECeve të vegjël, duke shtuar këtu dhe subvencionin e paguar nga Qeveria për këtë lloj vjedhje e masakrim të ekosistemeve?
Vjedhja më e madhe quhet gazifikim
Gazifikimi i Shqipërisë është një manovër e korporatave ndërkombëtare, për të vjedhur çfarë të munden në territorin shqiptar dhe për ta përdorur atë si trampolinë për të shitur gaz e maksimalizuar fitimet e tyre në vendet Ballkanike, Shqipëria si vend mesdhetar, por vend shumë i pasur me burime ujore nuk ka një infrastrukturë gazi egzistente. Gazifikimi i Shqipërisë, në vendin me më më shumë rezatim diellor në rajon, tash në kohën që energjia fotovoltaike rezulton edhe ekonomikisht më e leverdisshme, përveç dobisë së madhe mjedisore e sociale, në vendin me lëndë të parë të importit, qoftë nga Amerika apo Azerbajxhani, në vendin me mungesë ekspertize si në anën teknike dhe juridike të sistemeve të gazifikimit, në vendin me institucione të dobëta, me qeversije autokratike është veçse një çmenduri. Gazifikimi presupozon miliarda euro qarkullim dhe miliarda fitime për korporatat dhe ku një pjesë, jo e vogël prej këtyre fitimieve do i vidhet Shqipërisë. Kjo vjedhje po pregatitet e ka filluar të konkretizohet.
Ngjarje të planifikimit dhe fillimit të konkretizimit të vjedhjes në heshtje.
Më 1 Korrik ishte lajm (po nuk u bë lajm): Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar Udhëzuesin e vitit 2023 për Testimin e Tregut të Gazsjellësit Trans Adriatik, që synon zgjerimin e kapacitetit në pikat e interkonjeksionit të vendeve ku kalon tubacioni e ku përfshihet edhe Shqipëria.
Më dt 20 Qershor ishte lajm (po nuk u bë lajm): Gjatë raportimit në Komisionin paralamentar të Veprimtarive Prodhuese, anëtarët e bordit të Entit Rregullator të Energjisë dhanë detaje mbi disa nga projektet që pritet të zbatohen në drejtim të gazifikimit të vendit, terminal gazi në Vlorë, gazsjellsa të rinj në territorin Shqiptar, depozita në Elbasan, gazifikim, Korcë, Fier, Tiranë, Durrës etj.
Vepra më e madhe e gazifikimit të Shqipërisë ka bërë një ndër hapat kryesorë. Për këtë pati një lajm (po nuk u bë lajm) më dt 15 Qershor: Pranë institucioneve shqiptare është dorëzuar përmbledhja joteknike e Vlerësimit të Ndikimit të Thelluar në Mjedis për projektin “Impiant Energjitik me Cikël të kombinuar Roskovec, Shqipëri, me kapacitet të instaluar 170 MW, një nga kushtet kryesore për të marrë miratimet e nevojshme dhe lejet.
Heshtja e frikëshme
Kush është i interesuar që këto plane miliardash, që sapo ka fillu zbatimi të kalojnë në heshtje të plotë? Përgjigja është e qartë: Ata që duan të vjedhin dhe ata që presin të marrin diçka, duke ofruar heshtjen.
Për të provuar heshtjen mund ti referohemi motorit të kërkimit të google.
Sejcili mund të provoj të hyj me fjalët kyçe:
“TEC Roskovec”, “Impianti energjitik Roskovec”, “Projektet për gazifikimin e vendit” etj., çfarë do fjalë kyçe që dikush do dëshironte.
Ajo që mund tyë merrej si rezultat është vetëm ndonjë njoftim nga Skan TV, ku operon një gazetare që është më e lidhur me mjedisin, dhe ndonjë artikull apo podcast tek media sociale Mjedisi.al.
Me qindra orë në ditë nga dhjetra TV në vend, TV kombëtare dhe lokale, jo çuditërisht edhe nga qindra portale, asnjë lajm për gazifikimin, asnjë debat, asgjë. Kjo është heshtja e frikshme e Duopolit Qeveri-Media. Nëse do fusnim dhe heshtjen e opozitës është një Oligopol i pa imagjinueshëm në vendet demokratike, me pasoja ekstremisht të rënda për të ardhmen e Shqipërisë.