Hesht incineratori i Elbasanit për ti dhene zë atij të Fierit e Tiranës

Drejtuesit e Incineratorit te Elbasanit thirren zyrtarisht ne Këshillin Bashkiak të qytetit dhe nuk shkojnë.
Në Website të kompanisë gjen vetëm një foto të bukur dhe 1 video të periudhë së inagurimit. Z. Rama premtoi javë përpara se do dërgonte persona të flisnin për incineratorët ne debat televiziv, pasi ju kërkua nga drejtuesi i emisionit, dhe kjo nuk ndodhi. Heshtje e frikshme.
Pika e fortë që justifikonte investimin miliona eurosh nga buxheti i shtetit ishte se ky impiant do riciklonte mbetjet dhe nga djegja e atyre të pariciklueshme do të prodhohej energji me fuqi 2.85 MW, prej së cilës vetëm 0,35MW do përdorej për vetë furnizim dhe pjesa tjetër do hidhej në rrjetin kombëtar.
Duket se as riciklimi nuk ka ndodhur as energji është prodhuar.
Kaloi viti i punës së incineratorit të Elbasanit dhe sipas ish ministrit të Mjedisit z. Lefter Koka prodhimi neto i energjisë prej 2.5 MW rreth 17250MWh në vit do ti kalonin Bashkisë si të ardhura që llogaritur me 50 euro/mwh do të thotë që Bashkia e Elbasanit të ketë marrë rreth 862,000 euro. Bashkia nuk ka marrë asnjë cent.
Po a ka një marrveshje për blerjen e energjisë midis konçesioniarit te incineratorit të Elbasanit dhe KESH? A ka çmim të miratuar? Ajo që rezulton është se egziston një marrveshje e tipit “netting off”, që nuk egziston në kontratë, dhe që sipas të cilës incineratori shkëmben energji me rrjetin kombëtar, jep dhe merr pa çmim dhe diferenca kompesohet në periudhën pasardhëse me të njëjtin mall deri sa të mbyllet bilanci në zero, ose në debi të vlerësuar të njërës palë.
Në këtë lloj marrveshje ka të ngjarë që incineratori të ketë marrë më shumë energji se sa ka dhënë energji në rrjet. Dhe më e keqja është që marrja mund të vazhdoj progresive për të gjithë vitet e konçesionit.
Fakti që incineratori punon me më pak se 50% të kapacitetit, e konfirmuar kjo pak javë më parë nga vetë ministri i linjës z. Damina Gjiknuri si dhe fakti i ditur se fuqia kalorifike e mbetjeve në Shqipëri, si në shumë vende në zhvillim është e ulët dhe kërkon më shumë burim energjie apo lëndë kalorifike të shtuar, të cojnë në supozimin bindës që incineratori i Elbasanit është “net importer”.
Deri tash ky konçesionar i pa kërkuar ja ka dalë të krijoj një opinion të rremë në publik dhe në Qeveri ( nëse Qeveria nuk ëshë njësh me koneçsionarin) , duke punuar me më pak se gjysmën e kapacitetit e kështu edhe duke krijuar përshtypjen se nuk ndot. Por me këtë sistem “stunning” konçesionari po synon të marri këstet e majme të incineratorëve në Fier e Tiranë.
Dhe duket se po ja del. Në një moment koneçesionari do dorzohet, por ai ka projektuar të jetë fitimtar pas dorzimit. Humbësit neto do jenë Shqiptarët, jo aq për milionat e marra prej tyre, se sa prej helmit shpërndarë me shumicë mes tyre.