HECi në Parkun Kombëtar të Valbonës dhe çatia.
28 Mars 2018 në gjykatën administrative jepet vendimi për padinë e 27 banorëve të Dragobisë dhe shoqatës Toka kundër lejes së ndërtimit të KKT-së për 2 HECe në Parkun Kombëtar të Valbonës.
Në filmin e vjetër Italian “çatija” njeriu që po bënte shtëpi të jashtëligjshme ja doli ta ndërtonte shtëpinë përgjatë gjithë natës e kur erdhi policia të nesërmen çatija kish mbuluar shtepinë e re dhe policia u tërhoq, pasi ligji në rastin se çatija kish përfunduar nuk mund të vepronte. Njeriu që po bën në mënyrë të jashtëligjshme HECin në Parkun Kombëtar të Valbonës dhe që është paditur që kur ka shpërthyer mina e para në Park, jo vetëm që nuk ka shkuar kush prej mbrojtësve të ligjit e ta ndalojë, por përkundrazi i jepen leje pas leje prej vetë shtetit, që ta mbaroj ndërtimin e paligjshëm. Kompanisë GENER 2 ju dha leje ndërtimi me afat deri në Prill të vitit 2016 nga shteti për ndërtimin e 2 HECeve në Valbonë në kundërshtim me ligjin, që qartësisht shpreh që nuk mund të bëhen ndërtime në Park Kombëtar. Ligji Nr. 8906, datë 6.6.2002 për Zonat e Mbrojtura shkruan qartë në nenin 6 pika2 nga gërma a) në gërmën dh), një gamë ndërhyrjesh që ndalohen të kryhen në Park Kombëtar. Në pikën d) shkruhet se ndalohet “ndërtimi i rrugëve, autostradave, hekurudhave, zonave urbane, linjave të tensionit të lartë dhe sistemeve të naftës dhe gazit me shtrirje të gjatë”. Pra ndalohen edhe linjat e tensionit të lartë, që llogjika më e thjeshtë kupton që nuk mund të ndërtohen HECe në një vend që nuk lejohen linjat e tensionit të lartë. Po në këtë nen ligji shkruan se në këto zona duhet marrë leje edhe për të mbledhur kërpudha, edhe për të mbledhur bimë medicinale, edhe për të kaluar në to kafshët shtëpijake, edhe për të vozitur me kanoe, etj. Haptazi, në mënyrë abusive binomi. deri tani i pathyeshëm, qeveri-konçesionar thotë se unë jam tek kjo ‘etj’.
Ligjvënësi duke parë edhe maskaradën shqiptare me pasurinë lumore të vendit në ligjin e ri 81/2017 që ka hyrë në fuqi më 7 Qershor 2017 është e shprehur qartë se në zonat e mbrojtura ,në Park Kombëtar, ndalohet ndërtimi i hidrocentraleve (neni 16, pika 2, c) dhe në nenin 73 ka edhe fuqi prapavepruese, ku përcaktohet edhe mënyra ligjore e veprimit.
Jo çuditërisht edhe pse ligji e ndalon në mënyrë eksplicite ndërtimin e HECeve në Park Kombëtar,Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), si të ishte një sportel çertifikatash familjare, ri-jep leje më 10.11 2017 kompanisë GENER 2 për ndërtimin e HEC në Valbonë, sikur të mos egzistonte një ligj që ndalon ndërtimin e HEC në Park Kombëtar. Në seancën e fundit të gjyqit, ku 27 banorë të Dragobisë dhe shoqata Toka kanë kërkuar rrëzimin e vendimit të KKT, Gjykatësi pyeti avokatin e shtetit se ”Cilat janë argumentat tuaja për rrëzimin e padisë së banorëve dhe shoqatës TOKA”? Avokati I Shetit nuk tha dot një argument dhe vetëm tha “kërkojmë rrëzimin e padisë”.
A jemi në një kohë ndryshe, kur ligjet për mbrojtjen e natyrës nuk konsiderohen si deri tani, pa interes, res nullius.”?