HECet në Valbonë mjerim konceptual

HECet në Valbonë mjerim konceptual

Para viteve ‘90-ë, për Valbonën, pak dihej e shumë flitej. Ishte zonë kufitare e Shqipërisë socialiste, ku duheshin numëruar edhe zogjtë e malit në territor me vigjilencë të shtuar si në çdo zonë kufitare të asaj kohe. Aksesi në luginë ishte minimal.

Deri në fund të viteve “90-ë, Valbona u njoh më detajisht. U peshuan resurset dhe potenciali i saj unik zhvillimor.

Hopi cilësor fillon pas viteve 2002–2003. Emigrantë, kryesisht të zonës, duke parë nga afër përvojat europiane të turizmit, konstatuan se Valbonës nuk i mungonte shumë nga çfarë kishin vëzhguar në perëndim. Duhej investuar!

Sot, i gjithë korpusi i hotelerisë, bujtinave e restoranteve, thuajse drejtohet nga ish emigrantë që me jo pak kurajo vendosën të investojnë kursimet e mundit të tyre disavjeçar pikërisht në Valbonë.

Sot që flasim, llogariten rreth 500 frymë në Tropojë që përfitojnë ekonomikisht nga hopi zhvillimor i Valbonës:

Të punësuarit në rrjetin e hotelerive dhe restoranteve.
Bujtinarët në shtëpi private.

Banorë të shumë zonave në Tropojë që shesin gjenë e gjallë, bulmetin dhe produkte autentike të Malësisë së Gjakovës.
Biznesi në qytetin e Bajram Currit. Nga hotelet tek pikat e shumicës, furnitorë të Valbonës, sidomos gjashtë muaj të vitit!

Pra, duke anashkaluar sentimentin e qëndruar në analizë të thjeshtë:
Ndërtimi i Hec-eve nuk sjell asnjë përfitim për zonën. Numri i të punësuarve në to nuk i kalon 15 persona, pa harruar faktin se energjia modeste e prodhuar, shitet për interesa të ngushta të dy-tre individëve!

Hec-et, apo bereqetin e Valbonës në ekonominë e Tropojës?

Mjerim konceptual i pashoq!

Besmir Lushaj