HEC në Parkun e Thethit — Fiton firma e ‘pezulluar’ nga gjykata për shkelje në mjedis.

HEC në Parkun e Thethit — Fiton firma e ‘pezulluar’ nga gjykata për shkelje në mjedis.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka shpallur kompanitë fituese të 2 koncesioneve për ndërtimin e hidrocentraleve ‘Shalë’ dhe ‘Gojan’. Sipas buletinit të Agjencisë së Prokurimit Publik, hidrocentrali i Gojanit do të ketë një fuqi të instaluar prej 8.9 MW, ndërsa vlera e investimit do të jetë mbi 1.9 miliard lekë.

Ndërkohë që, hidrocentrali i ‘Shalës’ do të ketë një fuqi të instaluar prej 83.45 MW dhe parashikohet që prodhimi i energjisë të jetë mbi 321 milion kwh në vit. Ky hidrocentral do të vendoset mbi lumin me të njëjtin emër, i cili është pjesë e Parkut Kombëtar të Thethit.

Ndërkohë që një nga kompanitë fituese është firma ‘Çinar San’, e cila ishte pjesë e bashkimit të operatorëve ‘Kovlu Energy’, që është shpallur fituese për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, mbi lumin Vjosë.

Por, punimet në këtë hidrocentral janë pezulluar nga Gjykata Administrative, e cila në argumentimin e vendimit është shprehur se procedura për deklaratën mjedisore nëpërmjet Vlerësimit të Ndikimit të Mjedis nuk ishte ndjekur sipas legjislacionit në fuqi.

Po ashtu, gjatë hartimit të VNM-së së paraqitur nga kompania dhe miratuar nga Ministria e Mjedisit nuk janë ndërmarrë studime në terren, ndërsa raporti nuk përmban të dhëna lidhur me prezencën e specieve apo ndikimeve të mundshme në ujërat nëntokësor.

Ndërkaq, përmes një njoftimi për shtyp Ministria e Energjisë ka bërë me dije se në Termat e Referencës, është kujdesur që përveç shfrytëzimit optimal të potencialit hidroenergjetik të këtij pellgu, të ketë në konsideratë edhe ndikimin e tij minimal në mjedis.

“Në këtë kontekst është konsideruar me shumë vëmendje prezenca e zonave të mbrojtura në Alpet e Veriut dhe shmangia e tyre nga projekti”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Gjithashtu, ky dikaster bëri me dije se ky nuk është një projekt i ri, por që është rishikuar duke reduktuar numrin e hidrocentraleve nga 6 në 3.

Sipas projektit të ri fitues, investimi i përgjithshëm për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Shalë është rreth 84.5 milion euro, ndërsa afati i parashikuar për ndërtimin e tij është 36 muaj.

Ola Mitre/SCAN