Guxim prej të cmenduri të ndërpresësh rrymën e Vjosës për rrymë elektrike

Guxim prej të cmenduri të ndërpresësh rrymën e Vjosës për rrymë elektrike

Në kohën e sotme është e paimagjinueshme që për të prodhuar energji elektrike të mos konsiderosh alternativën e energjisë diellore dhe të energjisë së erës, kostoja e së cilave tashmë është më e ulët se energjia e gjeneruar nga lëndët fosile.

Në Europë ka ngelur vetëm një lumë i madh i egër dhe ky lum quhet Vjosa. Europianët po kërkojnë që kjo pasuri Europiane të ruhet sic është dhe të hiqet dorë nga ndërpreja e rrjedhjes së lirë të Vjosës prej masiveve të stërmëdha të betonit të digave për të prodhuar energji, e cila mund të prodhohet prej paneleve fotovoltaike apo eolikëve në mënyrë mjaft më eficente, për më tepër po të llogariten edhe kostot mjedisore dhe sociale.

Një mëndje vizionare në rastin e Vjosës mund të ofronte vetëm dhënien e një statusi të vecantë mbrojtje si Park Kombetar, gjë që do ishte dhe një vlerë e shtuar ekonomike së pari për banorët e luginës më të populluar në vend.