Gratë korçare, të parat që po ndërtojnë standardin e ri të riciklimit të mbetjeve

Gratë korçare, të parat që po ndërtojnë standardin e ri të riciklimit të mbetjeve

Tradita e pastrimit të rrugicave me kalldrëm në qytetin e Korçës, ndikoi në hartimin e projektit të riciklimit të mbetjeve nga Bashkia e Korçës. 5 lagjet karakteristike qytetit, të cilat njihen jo vetëm për kalldrëmet e tyre por edhe për shtëpitë historike, u kthyen në promotorët e para të projektit që synon të shtrihet në gjithë qytetin. Një vit më parë, Bashkia e Korçës kërkoi mbështetjen e nikoqireve korçare për zbatimin e projektit të riciklimit, si një projekt pilot i cili do të implementohej fillimisht në 5 lagjet historike të qytetit, ku gratë korçare në mënyrë vullnetare grupojnë mbetjet sipas përbërjes që në burim.

Viktori Nini, 78 vjeç është një prej atyre zonjave korçare e cila e sheh me sy pozitiv këtë nismë. “. E mirëpritëm sepse bëhet fjalë për një gjë që bota e bën prej vitesh. Pastërtia është e para në shtëpitë tona, ndaj nuk është aspak e vështirë për t’u menaxhuar. Kur vjen firma e pastrimit ne i nxjerrim tek porta qeset e mbushura me këto materiale dhe ajo na sjell qeset e reja. Është diçka që bëhet rregullisht dhe them se na vlen të gjithëve. Ne kemi edhe shtëpi private dhe kjo na favorizon, pasi kemi më tepër hapësirë dhe mundësi ku ti mbajmë qeset e mbeturinave”, tregon e moshuara.

Ndërtimi i Landfillit të Maliqit, u pasua edhe me vazhdën e projektit pilot të riciklimit. Një grup të rinjsh vullnetarë morën përsipër që të trokisnin në çdo derë dhe të prezantonin këtë nismë, që shpejt u kthye në një ritual të çdo shtëpie në lagjet karakteristike. “Diferencimi i mbetjeve ishte një kërkesë që u mirëprit nga komuniteti dhe që po ndërton një model të ri për menaxhimin e mbetjeve në qytet. Synimi është që ne të zgjasim jetëgjatësinë e Landfillit të Maliqit, i cili është një investim mjaft i rëndësishëm dhe që ka impakt në cilësinë e jetës së banorëve të Korçës. Gjetëm një frymë bashkëpunimi nga familjet në këto lagje dhe synojmë që ta shtrijmë në çdo lagje të qytetit, duke krijuar kështu një model të ri në vendin tonë”- tha Drejtori i Menaxhimit të Kontratave Bashkia Korçë, Leonard Gjançi

Impakti i këtij projekti në sytë e specialistëve të mjedisit shihet nga disa këndvështrime duke vendosur theksin jo vetëm në aspektin mjedisor por edhe atë ekonomik. “Menaxhimi i integruar i mbetjeve ka disa hallka dhe riciklimi është një prej tyre. Aksioni prioritar është ai i kompostimit të mbetjeve organike, e thënë ndryshe kthimi i tyre nga mbetje në një produkt të përdorshëm. Ndërtimi i Landfillit të Maliqit dhe riciklimi i mbetjeve kanë një efekt mjedisor shumë të madh, nga ana tjetër ka impakt pozitiv edhe në rritjen e punësimit sepse nëse kjo etapë bëhet e mirëorganizuar i jep mundësi zhvillimit të kësaj industrie. Bashkimi i disa faktorëve përveç mekanizmave të mësipërm shoqërohet edhe me një efekt ekonomik të drejtpërdrejtë. Ajo që mbetet për tu vlerësuar është ndërgjegjësimi dhe bashkëpunimi i komunitetit, që në rastin e Korçës nuk ka munguar.”- tha Mihallaq Qirjo, Ekspert Mjedisor Lokal.

Një ditë në javë, në pragjet e portave banorët nxjerrin qeset me logon “Korça Riciklon” ndërsa firma e pastrimit mbledh këto qese dhe ua zëvendëson me të reja. Atje ku fillon zanafilla e qytetërimit, gratë po ndërtojnë një standard europian të menaxhimit të mbetjeve.

Botuar nga PortaVendore.al me 30 August 2018.