Gjyqi për Valbonën është historik

Gjyqi për Valbonën është historik

Valbona është gjymtuar rëndë. Valbona është duke vdekur, por ka akoma shumë shpresë të shpëtoj. Bota ka gjetur terapinë për të luftuar dëmet në natyrë, pra edhe të njerzve që janë pjesë e natyrës, pa dyshim. Terapia janë vetë njerëzit që tashmë edhe me ligje ndërkombëtare dhe kombëtare janë pjesë e vendimmarrjes dhe me plot legjimitet për t’ju drejtuar gjykatës për vendimmarrje të gabuara. Për, Shqipërinë, jo gjeografikisht periferike, aplikimi i kësaj terapie shënon moment historik, pikërisht me Valbonën. Dihet se ka dhe të interesuar për vdekjen e Valbonës, jo se urrejnë atë, por se mund të përfitojnë prej vdekjes së saj. Këta janë shumë pak, por kanë fuqi, janë dhe arrogantë.

Kryegjyqtarja e çështjes së Valbonës, Ilvana Cicolli, në arsyetimin ligjor në fillim të proçesit, lidhur me pranimin e kërkesës së banorëve të Valbonës dhe shoqatës Toka për pavlefshmërinë absolute të konçesionit të HEC në Valbonë konkludoi se ata legjitimohen në këtë kërkesë. Përtej legjimitetit perifrazimi i saj në një çështje gjyqsore reale shqiptare është padyshim historik. Përveç referencës ligjore ajo si kurrë më parë në Shqipëri i referohet dhe një marrdhënie të re globale, jo vetëm teorike, të vendimmarrjeve qeveritare në raport me mjedisin. Ajo shprehet: “ Deri në momentin që burimet natyrore konsideroheshin të pakufizuara meritonin garanci vetëm të mirat me karakter ekonomik. Kriteri për ligjshmërinë e një të mire ishte ai i “përvetësimit” Legjislacioni juridik garantonte dhe mbronte para së gjithash pronën private ndërsa të mirat me karakter natyror konsideroheshin të pakufizuara, pra pa interes, res nullius.

“Situata aktuale është e ndryshme, pasi të mirat me karakter natyror janë kthyer në burime në zhdukje e sipër e si rrjedhojë kanë nxitur konkurencën e bashkësisë njerëzore. Në këtë perespektivë mjedisi ka si nevojë një garanci të plotë të ofruar nga korpusi juridik”- përfund ajo.

Duke interpretuar perifrazimin e mësipërm në situatën e Valbonës, pikërisht për të kufizuar zhdukjen e të mirave me karakter natyror njerëzit, nëpërmjet të zgjedhurëve të tyre e kanë përcaktuar Valbonën zonë të mbrojtur, Park Kombëtar, që do të thotë se disa zona duhet të mbeten natyrore, ku të mos veproj kriteri i “përvetësimit”. Dhe ligji thotë se në këto zona duhet marrë leje edhe për të mbledhur kërpudha, edhe për të mbledhur bimë medicinal, edhe për të kaluar në to kafshët shtëpijake, edhe për të vozitur me kanoe, etj. Por ja që del ndonjë i fuqishëm e arrogant që thotë une jam tek kjo “etj.”, dhe kam edhe leje për HEC që hyn tek “etj”. Por tek “etj” mund të hyn gjithë industritë ndotëse të planetit. Në fakt në Botë ka dhe indusri ndotëse edhe industri më pak ndotëse, por ama njerëzit kanë vendosur që disa pjesë të Botës të jenë Park Kombëtar, as park industrial, as Park Energjitik, as Park (resort) turistik ( si duan tani me kete “etj” të shkatwrojnë Parkun Divjak- Karavasta).

Këtë devijim të madh duhet ta zgjidhi korpusi juridik Shqiptar. Natyrisht dihet si është gjëndja e këtij korpusi, prandaj është edhe vendimi për Valbonën historik. Korpusi ka bërë çudira me prona e me kriminelë, e pa mbarim mbrapësira me natyrën, që nuk ka gojë të flasë. Dihet që edhe legjislacioni, jo i integruar siç duhet në Shqipëri, me dashje apo pa dashje e lë ndonjë shteg për abuzuesin. Psh në rastin e Valbonës, pala e paditur, nuk flet për ligjin e mjedisit, por për ligjin e koncesioneve e pyet: ku në ligjin e konçesioneve thuhet se njerëzit që preken nga demtimi i mjedisit ( se vetë mjedisi nuk ka gojë të ankohet por dikur hakmerret) kanë të drejtë të ankohen në gjykatë për konçesionin? Kurse pala paditëse, në emër të njerzve dhe natyrës të pazëshme, thotë se është shkelur ligji për mjedisin, ligji që është formuluar nga njerëzit, tani në kohën kur të mirat me karakter natyror konsiderohen jo të pakufizuara, jo res nullius, dhe i ka dhene pikërisht vetë njerëzve një fuqi që nuk e kanë pasur më parë, fuqinë rrëzuese të konçesioneve të gabuara.

Pyetja që shtrohet sot: Valbona është Park Kombëtar, apo Park Energjitik, apo siç tha plaku i Valbonës është djalë apo është çikë ? Nuk mund të jetë gjysma djalë- gjysma çikë. Nuk mund të jetë hetero.