Gjykata thyen rrezistencën e bashkisë Tepelenë kundër HEC-it në Nivicë

Gjykata thyen rrezistencën e bashkisë Tepelenë kundër HEC-it në Nivicë

Pas gati një viti rezistence, një vendim i Gjykatës Administrative në Gjirokastër e ka urdhëruar bashkinë e Tepelenës t’i kalojë një sipërfaqe nga fondi pyjor kompanisë ‘Kendervica Energy,’ e cila ka marrë një kontratë koncesionare për ndërtimin e HEC-it Driza 1 — projekt që sipas bashkisë dhe aktivistëve mjedisorë kërcënon kanionin e Nivicës.

Bashkia e Tepelenës refuzoi për më shumë se një vit që t’i kalonte në pronësi një sipërfaqe me pyje dhe kullota kompanisë “Kendervica energy”, e cila ka një licensë për ndërtim hidrocentrali në zonën e Nivicës, në vendin e quajtur Përroi i Ademit. Bashkia thotë se hidrocentrali, i pagëzuar “Driza 1” prek Kanionet e Nivicës që janë monument natyror, cënon potencialin turistik të zonës dhe se projekti nuk është konsultuar me banorët.

Por në qershor të këtij viti Gjykata Administrative e Gjirokastrës vendosi në favor të “Kendervica Energy”, e cila kishte paditur bashkinë për mos kryerjen e procesit, dhe urdhëroi Bashkinë e Tepelenës që të kryente veprimet administrative të kalimit të tokave, pyje dhe kullota, në shërbim të kompanisë koncesionare.

Gjykata tha se dokumentet tregonin që kompania, kishte marrë prej vitit 2014 deri në mesin e 2016-tës, miratimin e Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë e Energjitikës, disa agjencive vartëse të tyre që vlerësonin projektin dhe ndikimin e tij në mjedis. Po ashtu Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë dhe ai i Restaurimeve, lëshuan raporte ku thuehj se zona nuk ishte “prioritet për turizmin” dhe se HEC-i nuk prekte monumentet kulturore aty apo zonat me potencial arkeologjik.

E mbetur e vetme në kundërshtimin e projektit, Bashkia e Tepelenës i tha BIRN përmes zëdhënësit Aleksandër Toti se “po e rishqyrton gjithë dosjen për këtë HEC dhe për HEC-et e tjera në Luginën e Bënçës”.

Toti tha se krahas kundërshtimit publik dhe shprehjes së vullnetit për ta kthyer këtë zonë në një Park Kombëtar Natyror Bashkia e Tepelenës pritet të ndërmarrë edhe iniciativa të tjera ligjore për mbrojtjen e luginës së Bënçës, ku janë dhënë 8 leje për ndërtime hidrocentralesh të vegjël dhe më gjerë luginën së lumit Vjosë, që po ashtu preket nga këto koncesione.

Kontrata koncesionare për HEC “Driza 1” u nënshkrua nga qeveria me kryeministër Sali Berishën në gusht të 2013, pasi kishte humbur zgjedhjet dhe bëhej gati për trasferimin e pushtetit në shtator të atij viti.

Kryeministri Edi Rama dhe disa figura të rëndësishme të Partisë Socialiste patën premtuar t’i prishnin koncesionet qe u dhanë në periudhën pas zgjedhore, por siç gjeti Gjykata Administrative gjatë shqyrtimit të çështjes kundër bashkisë Tepelenë, njëra pas tjetrës ministritë e kontrolluara nga koalicioni i ri qeveritar që erdhi në pushtet në 2013-tën mes PS dhe LSI, aprovuan lejet e nevojshme për ndëtimin e këtij HEC dhe të tjerëve, e në rastin konkret këmbëngulën që Bashkia e Tepelenës të kryente veprimet administrative që i nevojiteshin koncesionarit.

HEC-et si ‘Driza-1,’ në pellgun ujëmbledhës të Vjosës” që konsiderohet si një nga lumejt e fundit të egër në Europë dhe ato në Luginën e Valbonës, kanë hasur në kundërshtimin e banorëve, pushtetit lokal dhe organizatave të mbrojtjes së mjedisit brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë edhe Parlamenti Europian i kërkoi Shqipërisë krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës përmes një rezolute.

“Ne deri tani kemi zhvilluar një takim me banorë të fshatrave Progonat e Nivicë dhe u kemi shpjeguar humbjet dhe përfitimet që banorët mund të kenë nga ndërtimi i HEC-eve”, tha për BIRN Drejtori Egzekutiv i Qendrës “EcoAlbania”, Olsi Nika. “Janë disa organizata të njohura mjedisore që kanë shprehur kundërshtimin e ndertimit te HEC-eve në Luginën e Bënçës,” shtoi ai.

Megjithatë, përtej kundërshitisë së pushtetit vendor dhe mjedisorëve, vendimi i Gjykatës Administrative të Gjirokastrës e gjeti “të pabazuar në fakte dhe prova refuzimin e Bashkisë së Tepelenës për t’i hapur rrugën ndërtimit të HEC-it. Nëpërmjet provave shkresore u provua, se sipërfaqja në të cilën do të ndërtohet HEC “Driza 1” nuk shtrihet në zonën e mbrojtur”, shprehet gjykata.

Ndër faktet e provuara në seancë gjyqësore gjykata përmend një vendim të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, në varësi të Ministrisë së Kulturës, i marrë në mars të vitit 2014, nëpërmjet të cilit është vendosur të miratohet raporti i plotësuar i vëzhgimit intensiv arkeologjik përgatiur nga Agjensia e Shërbimit Arkeologjik.

Gjykata vlerëson si prova edhe një shkresë të Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dërguar Ministrisë së Mjedisit për oponencën teknike të ndërtimit të HEC-it, si dhe një letërkëmbim mes Ministrisë së Mjedisit dhe Bashkisë Tepelenë, ku e para kërkon kalimin e fondit pyjor në shërbim të koncesionarit.

Po ashtu si prova në favor të kompanisë janë paraqitur edhe raportet e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe disa insititucioneve të tjera. Gjykata citon edhe një shkresë të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit ku pohohej se zona ku do të ndërtohej hidrocentrali nuk përfshihej në listën e zonave që kanë përparësi zhvillimin e turizmit.

Por Nika i tha BIRN se, pavarësisht nga qëndrimi i Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit në vitin 2015-të që nuk shihte potencial në këtë zonë, Agjensia Kombëtare e Bregdetit, e cila u krijua si drejtori në varësi të kësaj ministrie është angazhuar së tepërmi në promovimin e turizmit familjar aty, duke bashkëpunuar me komunitetet në Nivicë, Lekdush, Progonat, Gusmar, Rexhin.

Auron Tare, drejtues i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, është shfaqur publikisht si një prej kundërshtarëve për ndërtimin e HEC-eve në këtë zonë, duke akuzuar institucionet e tjera të qeverisë ku bën pjesë për vendime “që kërkojnë të shkatërrojnë një nga zonat më të bukura të Shqipërisë”, siç shkroi ai në profilin e tij në Facebook në janar 2016.

Brenda shumicës qeverisëse po ashtu ka pasur zëra të tjerë që e kundërshtonin projektin. Gjatë një mbledhje të Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në shkurt të vitit 2016-të, ku u ngrit shqetësimi rreth këtij HEC-i, deputeti i PS i asaj legjislature Fatmir Toçi tha se ishin “të gjitha gjasat që ky hidrocentral nuk do të bëhet”. Ai tha se Kanionet e Nivicës mund të kishin zhvillim parësor të turizmit. Por në të njëjtën mbledhje Ministria e Kulturës mbrojti vendimin e agjencive në varësi të saj duke theksuar se HEC-i nuk prekte zona të mbrojtura dhe se në gjurmën e tij nuk kishte monumente kulturore.

reporter.al

Rajmond Kola, Birn Gjirokaster