Gazifikimi vjedhje më e madhe se incenerimi.

Gazifikimi vjedhje më e madhe se incenerimi.

Incenerimi i mbetjeve që do prodhonte dhe energji elektrike nuk ndodhi.

Gropat (nëse të pëlqen – landfillet) që do sistemonin mbetjet e e reduktuara në volum nga incenerimi u ndërtuan. Duke qënë se incenerimi nuk ndodhi, volumi nuk u reduktua kështu që gropat do mbushen në një kohë disa herë më shpejt, se parashikimi. Dëmi llogaritet mbi 100 milion euro.  Të tjerë thonë dëmi ndaj buxhetit të shtetit do shkoj 400 milion euro.

Tani, Qeveria pa u ndjerë ka miratuar disa ndryshime të masterplanit të gazifikimit të Shqipërisë, për të cilin është llogaritur që ka një kosto prej 4 miliard USD. Ajo që pritet të ndodhë është një vjedhje spektakolare të ndodhë më e madhe se e inceneratorëve.

Ja pse vjedhja me gazifikimin është e paramenduar

Sapo të tregohet që u vunë në punë gjeneratorët e TECit lundrues e të prodhohet ndonjë kilowatt energji, sic u raportua në fillim për inceneratorin e Elbasanit, TECi fiket, pasi dihet se cmimi në tregun ndërkombëtar është shumë më i ulët se kosto e prodhimit me TEC lundrues. KESH mban përgjegjësi penale nëse për të siguruar të njëjtën sasi energjie për vendin zgjedh të shpenzoj miliona më tepër duke mbajtur të ndezur gjeneratorët, në vend të blerjes shumë më lirë në treg. Nga ana tjetër në momentin që vihet në punë fillon menjëherë pagesa e 70 milion eurove për kompaninë offshore.

Flitet se po bëhen përpjekjet që gjeneratorët e TECit lundrues në Vlorë të vihen në punë me gaz, që ka një kosto edhe më të madhe se teci me naftë. Në Vlorë nuk ka gaz e gazi do importohet. Këtu hyn në skenë Excelerate Energy, kompania mëmë e kompanisë offshore që ka firmos për dhënien me qira KESHit TECin lundrues. Me këtë manovër Excelerate Energy edhe justifikon 70 milion euro për bijën offshore edhe ngulet në Vlorë për planet e mëdha të terminalit të rigazifikimit për të shitur gaz në gjithë Ballkanin, e për ti bërë naftën Vlorës turistike.

Qeveria i vjen në ndihmë kompanisë Excelerate Energy. Në vendimin e Qeverisë datë 4 Tetor 2023 shkruhet se “TAP AG është e detyruar të ndërtojë të paktën një pikë daljeje me dy drejtime (bidireksionale) në Shqipëri (që gjendet në Fier), me një kapacitet prej 2-10 mmk/ditë (0,73-3,65 miliard m3/vit). Përveç Fierit, një pikë e dytë daljes është në diskutim në zonën e Kuçovës.”.

Pra, sipas vendimit të Qeverisë, pavarësisht se çfarë katrahure ndodh në Gjirin e Vlorës, nga terminali i gazit, nga të bërit të Vlorës me 3 TECe fosile, Excelerate Energy e ka të hapur portën të fus menjëherë 3.6 miliard m3 gaz në vit tek gazsjellësi TAP, aq sa është kapaciteti i terminalit të gazit të kompanisë Excelerate Energy. Dhe më pas, nga pika bidireksionale në Fier KESHi të blej gaz për TECet në Vlorë. Çfarë paradoxi!

Në këtë vendim të Qeverisë shtohet dhe “Zhvillimi i pikës së daljes dhe rrjetit të shpërndarjes Bashkia Korçë”, me qëllim gazifikimi e Korçës. Këtu është në lojë dhe qeveria e azerbajxhanit që ka financuar një studim që pritet të publikohet (duhet të publikohet) tani në Dhjetor (e të konsultohet me publikun). Sipas këtij projekti infrastrukturën e gazit do duhet ta paguajnë vetë qytetarët e Korçës. Azerbajxhani vetë do shes gazin Korçës nëpërmjet TAP. Plani është për gazifikim edhe në Fier, Ballsh, Elbasan, Tiranë dhe akoma.

Në këtë vendim shkruhet se presioni maksimal i lejuar në gazsjellës të jetë “Deri në 100 bar, për sistemin e transmetimit në Shqipëri..”, që do të thotë volum më i madh i gazit, që do të thotë edhe rrezikshmëri më e madhe.

Për të gjitha këto ndërhyrje për gazifikimin është llogaritur një investim pre 4 miliard USD. Tash është lehtësisht e parashikueshme se e gjithë infrastruktura që do bëhet me paratë e buxhetit të shtetit shqiptar do të mbetet e papërdorshme njësoj si inceneratorët, njësoj si TECi i Vlorës. Kjo se Shqipëria po ecën me trendin e kohës duke përdorur potencialin e fuqishëm të saj të energjive të rinovueshme me kosto më të lirë dhe të pastër, trend që i përjashton fosilet, duke përfshirë dhe gazin .

Vendimi i Qeverisë dhe i EREs i mbështetur në parimin e aplikuar nga TAP “Take or Pay” (merre ose paguaj) që do të thotë që do ti paguhet kompanisë TAP edhe kur nuk merret gazi nga kompanitë për të cilat është investuar shteti me ndërtimin e infrastrukturës. Dhe kjo pagese mund të jetë për 20-30 vjet sa të jete fitimi i munguar i këtyre kompanive të huaja, që kanë bërë marrveshje me Shqipërinë, të tipit të Excelerate Energy, Exxonmobil, Renco, e Co, që e kanë mjeshtëri të bëjnë lek edhe pa punuar, por duke ndëshkuar më të pafuqishmit me qeveritë më të dobëta, më të korruptuara, më servile, si Shqipëria.

Vjedhje e madhe duhet konsideruar edhe vjedhja nga mungesa e fitimit të munguar në ekonominë e turizmit, kryesish në Vlorë, mungesa e fitimit nga dëmi i shkaktuar në shëndetin e njerzve dhe të natyrës nga djegja e fosileve, si edhe humbjet nga taksat e paguara për shtimin e emetimeve të CO2 në atmosferë.

Kjo super vjedhje e gazifikimmit mund të shmanget, nëse merren vendime të guzimshme tani, ndryshe nga ajo e inceneratorëve që u la të ndodhi.

Një grup i shoqërisë civile kërkoi publikisht që Qeveria ta bëj Shqipërinë model, ku 100% e prodhimit dhe konsumit të energjisë elektrike të bëhet nga energjitë e rinovueshme.