Erjon Veliaj në këto 2 vjet si kryebashkiak i Tiranës ka ndërtuar shume shkolla, kopshte, rrugë, banesa për të pastrehët, sheshin kryesor të qytetit, ka mbjellë shumë pemë, e krijuar parqe, ka organizuar festa e koncerte pa fund e plot pune te tjera të mira.
Ai ka bërë dhe pak kilometra korsi biçikletash dhe ka bërë promovim jo të vogël të rëndësisë së lëvizjes me biçikleta në Tiranë.
Tash vjen një lajm shumë i mirë, gjiganti “Mobike”, kompania që zbaton me sukses në shumë qytete të mëdha të botës, si Parisi apo Firence, sistemin e biçikletave pa stacion, një mënyrë ekologjike dhe inovative për të lëvizur në qytet, këtë javë do të nisë zyrtarisht edhe në Tiranë, me 4000 bicikleta. Është thjesht një lajm me efekt deri në verën e ardhshme, apo do kemi një kulminacion të revolucionit të biçikletave, filluar vite më parë?
http://www.gazetatema.net/2014/05/03/revolucioni-i-pakthyeshem-i-bicikletave/
Nëse Erjon Veliaj do të jetë në krye të këtij revolucioni, ai do të bënte gjënë që ka më shumë nevojë Tirana jo deri në 2019, as deri 2022, por për dekada të tëra. Ky revolucion ka të bëjë me sigurimin e një jete normale, ku së pari banorët të mund të thithin ajër të pastër, që nuk e kanë sot e nuk mund ta kenë në vitet që pasojnë, në këtë qytet super të populluar.
Është vetëm drejtimmi i këtij revolucioni, që ky kryetar Bashkie të mund të mbahet mend gjatë në këtë vend. Dëshira e të rinjve për tu përfshirë në këtë revolucion është një premisë e shkëlqyer, por nëse çështja nga “komandantët” trajtohet vetëm në llogarinë e votave të zgjedhjeve të rradhës dhe mungon shpirti sfidues asgjë nuk ndodh, nuk ka as revolucion, as evolucion, por vetëm zhgënjim. Sfida është që Tirana të kthehet në kantier të ndërtimit të korsive të biçikletave, të gjitha rrugët kryesore të qytetit të kenë korsinë e dedikuar të biçikletave.
Nëse një rrugë 1 apo 2 kalimshe ka dhe një krah për parkim makinash dhe nuk ka hapsirë për korsi biçikletash, duhet hequr e drejta e parkimit të makinave në këtë rrugë dhe në vend të parkimit të ndërtohet korsia e biçikletave dhe kjo të bëhet pa pyetur për ndonjë rezistencë të pushtuesve të rrugëve publike.
Madje revolucioni i biçikletave do kërkonte edhe shkulje pemësh diku, për hir të një bilanci final me ajër më të pastër të qytetit. Financat? Është një turp të përmëndet mungesa e fondeve për korsi biçikletash.
Do të mjaftonin të ardhurat e shtuara nga turizmi prej një ambjenti me ajër më të pastër, më pak të zhurmëshëm , plot me djem e vajza të bukura që pedalojnë rrugëve të qytetit për të siguruar kompensimin e shpenzimeve të nevojshme të ndërtimit të korsive.
Edhe nëse ky revolucion merr udhë është i destinuar të dështojë nëse njëherazi vazhdon kundërevolucioni i intensifikimit të ndërtimit në Tiranën super të ndërtuar.