Energjia e rinovueshme, Shqipëria përfiton investimin më të madh energjitik amerikan në rajon

Energjia e rinovueshme, Shqipëria përfiton investimin më të madh energjitik amerikan në rajon

Vizioni largpamës i kompanisë amerikane CWP për vendin dhe industrinë shqiptare të energjisë, ripërtërin edhe njëherë shpresën për një ekonomi lëvruese dhe atë të një mjedisi të jetueshëm, me ajër të pastër. Dita e premte bëri bashkë në tryezë të Ngarkuarin me Punë David Wisner dhe zyrtarë të tjerë të Ambasadës Amerikane në Tiranë, me përfaqësues të kësaj kompanie lider.

Diskutimi ishte i gjatë, intensiv dhe mjaft produktiv; me kryefjalë Shqipërinë, si destinacionin me potencialin më të madh investues në rajon kur flitet për panoramikën energjitike. Palët diskutuan për të mirat që premton projekti me investim mbi 1. 2 miliardë € i CWP për marrjen e energjisë nga era dhe dielli - për qendrueshmërinë që ajo garanton në sektorin e energjisë, ekonomisë dhe mjedisit, si dhe për ndihmën e jashtëzakonshme që pritet të japë në krijimin e plot 1,546 vendesh pune. "Takime të shkëlqyera biznesi këtë javë", - një vlerësim i tillë vjen pikërisht nga Ambasada Amerikane në Tiranë, përmes një postimi në profilin e saj zyrtar.

Turbinat e para me erë, plot 106 në numër, do të rrotullohen në Veriun e Shqipërisë, Bashkinë Tropojë, në vendet më piktoreske të saj, si: Berisha, Luzhë, Tplan, Degë, Pac dhe Viçidol. Përpara se helikat të vihen në punë, CWP do të kryejë një fushatë monitorimi mjedisor, si dhe do të masë vazhdimisht e me saktësi shpejtësinë e erës, falë instrumenteve meteorologjikë si anemometri.

Çfarë parashikohet CWP parashikon zhvillimin e Fermës së Erës Tropojë-Viçidol. Turbinat e fermës do të lidhen nëpërmjet linjave të tensionit të mesëm me një nënstacion të projektit që, nga ana tjetër, do të lidhet me rrjetin shqiptar të transmetimit. Panelet diellore PV do të instalohen në grupe në kreshtat dhe zonat ngjitur, për të minimizuar ndikimin në terren dhe për të siguruar prodhim maksimal të energjisë. Këto grupime nuk do të kalojnë kapacitetin e prodhimit 190 MW.

Ferma e erës dhe impiantet diellore PV do të lidhen me njësinë e ruajtjes së baterive të projektit prej rreth 100 MW. Ai do të ndërtohet pranë nënstacionit që lidh njësitë gjeneruese të projektit dhe rrjetin e transmetimit të OST-së. Kush është CWP CWP është kompani amerikane, pionere e energjisë së rinovueshme në Evropën Juglindore.

CWP ka zhvilluar, financuar dhe ndërtuar me sukses projekte të shumta që arrijnë në 4 miliardë dollarë investime, përfshirë këtu Fermat më të mëdha të Erës në Serbi dhe Rumani. Misioni i kësaj kompanie është të përshpejtojë tranzicionin e energjisë në rajon duke rritur pjesën e burimeve të rinovueshme në përzierjen e energjisë, rrjedhimisht duke rritur pavarësinë energjetike dhe ulur emetimet e gazeve serrë.