“Energjia e erës do kapërcejë hidrocentralet” - Raporti i BB për Shqipërinë: Dekarbonizimi i sektorit është i realizueshëm
Nga Ola Mitre
“Përshpejtimi i tranzicionit të energjisë për të arritur emetimet neto zero në të gjithë ekonominë në Shqipëri deri në vitin 2050 është i realizueshëm, por do të kërkojë transformim rrënjësor dhe hapa të vendosur”, kjo sipas Raportit të Grupit të Bankës Botërore për Klimën dhe Zhvillimin për Shqipërinë, të publikuar pak ditë më parë.
Sipas analizës së kryer për vlerësimin e skenarëve për dekarbonizimin e sektorit elektroenergjetik, në skenarin e referencës pa një synim neto-zero, emetimet deri në vitin 2050 do të rriteshin, me më shumë mbështetje të gazit natyror, energjisë diellore dhe të erës, për shkak të kostos së tyre konkurruese.
Ndërkohë që, me një ambicie neto-zero për Shqipërinë, hidroenergjia, energjia diellore, e erës dhe biomasës do të përbënin burimet kryesore të energjisë elektrike në Shqipëri dhe nuk do të kishte më asnjë rol për gazin natyror në një kuadër më afatgjatë.
Sipas raportit, era do të kapërcejë energjinë hidrike si burimi kryesor i energjisë elektrike falë potencialit të madh në terrene.
“Ky diversifikim i prodhimit të energjisë elektrike, i cili aktualisht është shumë i varur nga hidrocentralet, do të përmirësonte fleksibilitetin dhe elasticitetin e sistemit aktual. Termocentrali i Vlorës do të mbetej produktiv në një periudhë afatmesme, por funksionimi i tij pas vitit 2030 do të bëhej jorentabël”, thuhet ndër të tjera në raport, duke shtuar se zerimi i emetimeve të gazeve me efekt serrë deri në vitin 2050 do të kërkonte gjithashtu përmirësime të rëndësishme të efikasitetit energjetik dhe elektrifikim në të gjithë ekonominë, veçanërisht në sektorët e transportit dhe ngrohjes.