Energji nga dielli, Vlora me parkun më të madh fotovoltaik
Vlora do të ketë parkun më të madh të prodhimit të energjisë nga dielli. Ministria e energjisë ka çelur tenderin për ndërtimin e impiantit të parë fotovoltaik me kapacitet prodhues 50 megavat, në zonën e Akernisë, që njihet si një nga zonat me rrezatimin më të lartë diellor.
Vlera e investimit arrin në 70 milionë euro. Ky është projekti i parë me këtë kapacitet në fushën e energjisë së rinovueshme në vendin tonë dhe synon të jetë një nga investimet më të mëdha në rajon në kapacitete të reja të prodhimit të energjisë.
Të gjithë investitorët privatë të interesuar për këtë projekt kanë kohë deri në 17 shtator për të dorëzuar ofertën e tyre pranë ministrisë së energjisë.
Sipas projektit, parku diellor i Akërnisë do të ndërtohet nga një kompani private, e cila do të ketë të drejtën e shfrytëzimit të tij për 30 vite. Nga këto, qeveria i garanton blerjen e energjisë nga OSHEE për 15 vite, ndërsa për pjesën e mbetur privati do ta shesë energjinë në treg të lirë.
Çmimi me të cilin OSHEE-ja do të blejë energjinë nga parku diellor do të përcaktohet në ankand. Kompanitë që do të ofrojnë çmimin më të ulët marrin më shumë pikë. Po kështu, e njëjta skemë do të aplikohet edhe për kapacitetin. Kompanitë që ofrojnë ndërtimin e parkut me kapacitet me të madh fitojnë më shumë pikë.
Parku i Akërnisë është impianti i parë diellor me kapacitet të madh prodhues. Shumica e lejeve që janë dhënë deri tani kanë qenë për impiante kryesisht të vogla, deri në 2 megavat.
o.j/dita