Emergjenca Klimatike kërkon veprim të shpejtë dhe të integruar

Emergjenca Klimatike kërkon veprim të shpejtë dhe të integruar

Ne, përfaqësuesit e 66 Organizatave të Shoqërisë Civile, institucioneve akademike-kërkimore që kontribuojnë në fushën e studimeve për klimën, të mbledhura më 28 Mars 2023, në Tiranë në “Forumin për Klimën 2023”, diskutuam mbi emergjencën klimatike dhe cenueshmërinë e vendit tonë, shkallën e përgatitjes për t’u përballuar dhe përshtatur me pasojat e një klime në ndryshim. Shoqëria civile mjedisore në Shqipëri vëren me shqetësim ndikimin në rritje të ndryshimeve klimatike me pasoja të drejtpërdrejta mbi shëndetin dhe sigurinë e komuniteteve të ndryshme, mbi ekonominë dhe mjedisin në përgjithësi. Me rritjen e temperaturës me +1.09 gradë celsius në periudhën 2011-2020 krahasuar 1850-1900, ndryshimet klimatike janë një realitet global. Ky fenomen paraqitet si kërcënim i shtuar ndaj vendeve të vogla si Shqipëria, ku është rritur frekuenca e ngjarjeve ekstreme të motit si përmbytjet, thatësira e tejzgjatur, valët e të nxehtit, zjarret në pyje, etj. Rreth 55% e popullsisë së vendit tonë , kryesisht e përqendruar në Ultësirën Perëndimore, vlerësohet të jetë e ekspozuar ndaj rreziqeve të lidhura me klimën, një shifër më e lartë se vlerësimi global prej 40-45%. Grupet si gratë dhe vajzat , të rinjtë dhe të rejat , fëmijët dhe të moshuarit janë ndër më të cenuarat në këto komunitete. Vetëm gjatë tre muajve të këtij dimri, disa komunitete në Qarkun e Shkodrës janë gjendur tre herë të përmbytura nën vërshimin e ujrave të lumit Drin dhe Buna, sipërfaqet e pyjeve dhe zonave të djegura kërcënuan në jo pak raste edhe vetë sezonin turistik, sikundër thatësirat e zgjatura kanë vënë nën presion sektorin energjitik dhe atë bujqësor. Ndikimi i këtyre fenomeneve ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi ekonominë, pasi prek prodhimin e energjisë nga burimet hidrike, rritjen e konsumit të energjisë, përdorimit të ujit, prodhimin bujqësor e blegtoral, duke cenuar drejtpërdrejtë sigurinë dhe mirëqenien e popullatës. Infrastruktura urbane, përfshirë transportin, sistemet e ujësjellës-kanalizimeve dhe ato të furnizimit me energji gjenden nën presionin e shtuar të ngjarjeve ekstreme të motit, duke cenuar cilësinë e shërbimeve dhe furnizimit, deri në ndërprerjen e tyre, me humbje ekonomike dhe ndikim më të shprehur mbi shtresat e varfra të popullsisë. Sipas raporteve të Komunitetit të Energjisë, kriza energjitike në vitin 2022 ka rritur në 37% pjesën e popullsisë shqiptare që përballet me varfërinë energjitike . Ndryshimet klimatike, sidomos me rritjen e temperaturës kanë sjellë ndryshime në habitatet natyrore dhe biodiversitetin duke rritur presionin mbi habitatet dhe llojet më të kërcënuara, sidomos ato lagunore dhe bregdetare, dhe shtimin e llojeve aliene dhe invazive . Së fundi, por jo nga rëndësia, zonat urbane janë ato të cilat përjetojnë agresivitetin e plotë të këtyre fenomeneve, pasi në tre dekada tranzicion, betonizimi dhe ndërtimi ka krijuar koracë në mbi 90% të sipërfaqes së tyre. Tjetërsimi i elementeve natyrore në qytete detyron shumë qytetarë të ekspozohen, kundër dëshirës së tyre, në temperatura më të larta se ato që regjistrojnë qendrat meteorologjike, në zona me përqendrim të lartë të ndotësve në ajër, duke rrezikuar shëndetin e tyre. Vlerësojmë qëndrimin e vendit tonë krahas vendeve të tjera për të adresuar këtë sfidë globale duke marrë angazhime konkrete për uljen e shkarkimeve të gazeve serë me 20.9% deri në vitin 2030 dhe renditur krahas vendeve që synojnë të jenë me shkarkime zero në vitin 2050. Pavarësisht progresit të bërë gjatë viteve të fundit lidhur me plotësimin e kuadrit ligjor dhe dokumenteve strategjike për klimën, energjinë dhe zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë natyrore, si dhe zhvillimeve institucionale më të fundit në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, vendi mbetet në shkallë të ulët përgatitjeje për të adresuar emergjencën klimatike dhe arritur objektivat e shprehura për vitin 2030. Çështjet e klimës përbëjnë një ndër angazhimet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, të cilat nën Axhendën e Gjelbër, po kryejnë një ndryshim transformues të të gjithë ekonomisë evropiane. Në këndvështrimin e detyrimeve që lindin prej procesit të integrimit evropian, shohim me shqetësim progresin e ngadalshëm në adresimin e çështjeve të klimës kundrejt dinamizmit dhe zhvillimeve të vrullshme në vendet anëtare të Komunitetit Evropian. Po kështu, vendi ynë nuk po arrin të përdorë efektivisht mundësitë ende të pashfrytëzuara të burimeve të rinovueshme dhe teknologjitë e pastra, si dhe mundësitë financiare për të zvogëluar impaktin e ndryshimeve klimatike mbi popullatën dhe sektorët e ndryshëm të vendit. Së fundi por jo për nga rëndësia, nënvizojmë se impakti i ndryshimeve ka përkeqësuar pabarazitë ekzistuese gjinore në Shqipëri duke rritur ndjeshëm barrën për gratë në lehtësimin e këtyre ndikimeve qoftë brenda bërthamës familajre por edhe dimensione më të gjëra socio-ekonomike. Është me rëndësi që politikat dhe programet që zhvillohen në vëndin tonë të lehtësojnë këto ndikime, të cilat aktualisht as njihen dhe as pranohen si të tilla. Aktivistët e shoqërisë civile mjedisore dhe ekspertët e mjedisit dhe të energjisë konstatojnë se: 1. Kuadri i dokumenteve strategjike për klimën mbetet i papërditësuar dhe paharmonizuar me zhvillimet në vend, rajon, dhe Bashkimin Evropian. Strategjia Kombëtare për Ndryshimet Klimatike e miratuar në vitin 2019 vlerësohet se nuk mbështet prioritetet zhvillimore të vendit në mbrojtje të klimës, duke listuar ndërhyrje dhe masa të vjetëruara, pa një vlerësim financiar dhe pa një reflektim të detyrimeve institucionale për përmbushjen e tyre. 2. Çështjet e klimës ende mbeten të paintegruara në të gjithë sektorët dhe politikat zhvillimore të vendit. Ndonëse të përfshira në dokumentet strategjike si Plani Kombëtar për Klimën dhe Energjinë, sektorët e tjerë që përballen me pasojat e ndryshimeve klimatike, si Bujqësia, Blektoria, Transporti, Turizmi, Shëndetësia nuk i kanë të integruara çështjet klimatike, duke fragmentarizuar ndërhyrjet dhe ndikuar mbi eficiencën e masave kryesisht përshtatëse. Objektivat e vendosura për t’u arritur deri në 2030 apo edhe më tej deri në vitin 2050, nuk reflektohen dhe integrohen në planet sektoriale të veprimit. 3. Adresimi i çështjeve të klimës duhet parë i lidhur me ndërhyrjet transformuese në sektorët kyçë të ekonomisë shqiptare, ku planifikimi dhe mbështetja e deritanishme është parë e palidhur me klimën, por me faktorët e tjerë shtytës, si kriza energjitike, rritja e çmimit të produkteve bujqësore, fatkeqësitë natyrore, etj. Pas një periudhe të gjatë në vendqendrim apo me zhvillime të paqëndrueshme, si ato të ndërtimit të HEC-eve të vogla apo të prodhimit të energjisë nga impiante të lëvizshme me djegie të lëndëve fosile, sektori energjitik duket se është i detyruar të hapet drejt energjive të rinovueshme. Komuniteti i Energjisë ka kritikuar për ngadalësi në marrjen e masave dhe investime për të rritur kontributin e këtyre energjive në totalin e energjisë së prodhuar në vend. Sektorët e tjerë kontribues në shkarkimet e gazeve serë të vendit tonë, si transporti dhe mbetjet, mbeten ende pa një fokus të qartë të lidhur me klimën. Zhvillimi i tyre ende shihet si zgjidhje e problemeve afatshkurtra, prej së cilave do të ketë përfitim edhe mbrojtja e klimës. Ende pak vëmendje kushtohet për eficiencën e energjisë. 4. Burimet financiare për të adresuar çështjet e klimës dhe pasojat e ndryshimeve klimatike janë të pamjaftueshme dhe nuk garantojnë arritjen e objektivave për zvogëlimin e shkarkimeve të gazeve serë apo marrjen e masave përshtatëse deri në vitin 2030. Shqyrtimi i kostove për të adresuar masat për klimën të listuara në Strategjinë Kombëtare për Ndryshimet Klimatike kundrejt buxhetit të dhënë për vitet 2020-2021, paraqet një nevojë financiare të pambuluar deri në 7 herë. Vërejmë me shqetësim se vlerësimi i efektivitetit të përdorimit të burimeve financiare të buxhetit të shtetit apo fondeve të huaja është pothuajse i paidentifikueshëm për shkak të pamundësisë së gjurmueshmërisë se fondeve të dedikuara për klimën në sistemin e llogarive të vendit. 5. Burimet njerëzore në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe agjencive mbeten tepër të kufizuara dhe pakualifikuara. Problematika është edhe më e mprehtë në nivelin vendor ku kërkohet avancimi lidhur me plane të ndryshme vendore që do të adresojnë çështjet e klimës. Ky aspekt është referuar në mënyrë të përsëritur për disa vite radhazi edhe në raportet e Komisionit Evropian për vendin tonë. 6. Tranzicioni drejt një ekonomie neutrale për shkarkimet e karbonit, nëpër të cilin duhet të kalojnë komunitetet në vendin tonë do të ketë ndikim social dhe financiar. Parimi i tranzicionit të drejtë kërkon së paku sigurimin e një procesi transparent. Si aktivistë të Shoqërisë Civile vlerësojmë se qasja e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe e hapur. 7. Ministria dhe Agjencitë nën varësinë e saj nuk e zbatojnë kuadrin ligjor në fuqi, sa i takon monitorimit, gjurmimit dhe penalizimit ndaj shkeljeve lidhur me shkarkimet ndotëse në mjedis. Ne, përfaqësuesit e Organizatave të Shoqërisë Civile, kërkojmë nga institucionet përgjegjëse politikë-bërëse dhe ligjzbatuese që të vlerësohet me seriozitetin më të lartë emergjenca klimatike me të cilën përballet vendi dhe rajoni. Kjo nevojë për trajtim të shpejtë, të integruar dhe koherent me politikat evropiane bëhet më e shprehur prej pamundësisë së vendit tonë për t’u përballuar me këto pasoja për shkak të rritjes së frekuencës së tyre dhe kufizimeve që kanë institucionet dhe ekonomia e vendit tonë. Për të adresuar këto problematika, ne kërkojmë: (i) rishikimin e Strategjisë Kombëtare të Ndryshimeve Klimatike dhe avancimin më të shpejtë të përgatitjes së dokumenteve të tjera strategjike, si Plani Kombëtar për Përshtatjen, Planet Vendore për Energjinë dhe Klimën, Planet Vendore për Zvogëlimin e Risqeve ndaj Fatkeqësive Natyrore. (ii) rishikimin e vendimit të Qeverisë për Masterplanin e gazit, duke marrë në konsideratë edhe shkarkimet e CO2, si dhe masat për balancimin e tyre. (iii) plotësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator për monitorimin e shkarkimeve të gazeve serë dhe nxitjen e përdorimit të energjive të rinovueshme dhe teknologjive të pastra në masë të gjerë. Në këtë kuadër, të rishikohet edhe kontrata e nënshkruar midis KESH dhe kompanive Excelerate Energy dhe Renco, meqë VNM e thelluar për TEC lundrues referon rritje me 7-13% të shkarkimeve të CO2 krahasuar me 2016. (iv) Plotësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator për zbatimin e monitorimit të ndotjes së krijuar nga sektorët kyç të ekonomisë, si ato të industrisë ushqimore dhe asaj nxjerrëse, bujqësisë, transportit dhe turizmit. (v) rritjen e përfshirjes së publikut në diskutimin për çështjet klimatike dhe adresimin e problematikave të lidhura me pasojat klimatike duke vlerësuar me përparësi nevojat e shtresave më të varfra dhe të cenuara të popullsisë që përballen me këto pasoja për të rritur sigurinë e tyre dhe mundësuar ofrimin e shërbimeve ; (vi) rritjen e transparencës lidhur me fondet dhe investimet e dedikuara apo që ndikojnë mbi klimën, sidomos në sektorët kyç të ekonomisë, si ato të energjisë, bujqësisë, blektorisë transportit dhe menaxhimit të mbetjeve. (vii) planifikimin dhe programimin e fondeve që adresohen për klimën në programet e BE-së, me fokus përshtatjen dhe parandalimin e pasojave klimatike, sidomos për komunitetet e cenuara dhe ato në nevojë. (viii) mbështetjen për ngritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale për adresimin e çështjeve të lidhura me klimën në institucionet përgjegjëse, përfshirë njësitë e qeverisjes vendore dhe shoqërinë civile (ix) mbështetjen e programeve specifike të edukimit dhe nxitjen e aktivizmit në mbrojtje të klimës përmes nismave konkrete në nivel komunitar. Pasojat e ndryshimeve klimatike nuk njohin kufij shtetërorë apo administrativë; ato nuk përzgjedhin se cilët komunitete do të prekin. Si përfaqësues të shoqërisë civile jemi të ndërgjegjshëm për kontributin që duhet të japim, krahas të gjithë aktorëve të tjerë të shoqërisë shqiptare, ndaj shprehemi të gatshëm për të qenë pjesë aktive e diskutimit dhe veprimit për klimën.