Ekonomia gëlon, Tirana rënkon.
Dje u promovua nga kryebashkiaku Veliaj kulla mbi stadium, pa e përmendur atë, por duke e bërë publikun të shohë nëntokë mrekullinë e gropës ( së pakingut ). Edhe kamerat u kujdesën të mos fokusoheshin tek mrekullia e nënkuptuar e kullës mbi stadium, por tek mrekullia e gropës.
Qëllimi i vërtetë i promovimit të gropës tek stadiumi ishte promovimi i kullave tek Teatri, por pa permendur asnjeherë fjalën kullë. Për të shmangur fjalën kullë, për të cilën së fundmi ka një alegji të skajshme nga qytetarët e Tiranës, u përdorën togfjalëshit “vatër ekonomike”, lezetuar me termat e pëlqyer prej qytetarëve “shesh pedonal”, “qëndër argëtimi”, “qëndër komerciale”, “qëndër kulinare”. Veliaj, duke pasur si qëllim ti japë kredite planit të kullave tek Teatri nëpërmjet krahasimit të nënkuptuar me kullën tek stadium bën një gafë, që dhe politikani më diletant nuk do ta bënte.
Ai thotë: “Teatri i ri ka potencialin që të përsërisë të njëjtën vatër ekonomike, si stadiumi i ri..” Që një vepër kulturoro-historike, për më tepër e një rëndësie kombëtare, akoma për më tepër në qendrën historike të vendit të kthehet në vatër ekonomike është jo vetëm e papraueshme, por është një turp kombëtar.
Kjo është e ngjashme me shëmtinë e qëndrës së Tiranës me kioskat e qebaptoret përgjatë parkut Rinia e sheshit Skenderbej në vitin 2000, por me ndryshimin se në variantin e “Teatrit te Ri” kioskat do ngrihen vertikalisht bashkë me “Teatrin e Ri “ e me kullat tek sheshi historik i Teatrit Kombetar. Në variantin me kulla situata bëhet alarmante. Ja pse.
Veliaj siguroi se në fund të mandatit të parë, Tirana do të ketë …një qytet shumë më të jetueshëm e ku ekonomia gëlon.
Dhe këtu vjen shumë natyrshëm një pyetje: mirë, që Veliaj siguron në mënyrë kaq të shpejtë të bëj që ekonomia të gëloj, por a do jetë qyteti shumë më i jetueshëm, jo vetëm brenda 1 viti, por edhe për dekadat e brezat që vijnë? Kjo pyetje natyrisht është thelbësore dhe kërkon një përgjegjësi të madhe politike dhe qytetare.
Gjasat janë që ekonomija të gëloj dhe qyteti të rënkoj. Tirana sot rënkon. Në të ardhmen mund që rënkimi të kthehet në lëngim dhe shkaktar mund të jetë gëlimi.
Sot Tirana është qyteti me më pak gjelbërim për frymë në Europë me rreth 1 m2 për frymë. Qytetet Europiane e kanë këtë sipërfaqe 20–120 m2 për frymë. Tirana rritet cdo vit me rreth 20,000 banorë dhe dendësia e popullsisë së qytetit të Tiranës është mbi 15.000 banorë për km2, ndërsa kryeqytetet e tjera Europiane e kanë dëndësinë e popullsisë 2000–6000 banorë për km2, pra Tirana është afro 4 herë më e dëndur.
Të dy këto parametra jetësorë kanë tendncë të përkeqësohen si rrjedhojë e intensifikimit të ndërtimeve dhe shtimit të popullsisë në Tiranë.
Ajri i qytetit të Tiranës është i ndotur. Organizata Botrore e Shëndetsisë, në një publikim të saj në vitet e fundit e ka përcaktuar ndotjen e ajrit në kufijtë e rrezikshmërisë për jetën.
Dhe nëse vijmë tek projekti i kullave tek Teatri Kombëtar ( propaganda e Bashkisë e quan projektin “Teatri i Ri”) lind pyetja: këto kulla në qëndër të Tiranës (duke konsideruar edhe kullat ku ka filluar ndërtimit, si tek “7 Xhuxhat”, “Filologjiku” etj.) a e bëjnë më të jetueshëm qytetin, sic pretendon Veliaj? Përgjigja normalisht do të ishte se këto kulla do ta bënin qytetin më pak të jetueshëm dhe ndoshta të pabanueshëm sipas standarteve te pranuara botërisht. Kullat do të funksiononin si një manjet gjigand, duke rritur akoma më tepër dendësinë e popullsisë së qytetit të Tiranës super të dendur, duke inkurajuar lëvizjen nga periferia e qytetit në qendër të tij dhe nga qytetet e vogla dhe zonat rurale drejt periferisë së qytetit.
Bashkë me këtë lëvizje qyteti do përfshinte në vorbullën e vet më shumë ndotje të ajrit, thjesht prej shtimit të padiskutueshëm të emesioneve prej makinave të shtuara ( pa llogaritur ndotjen prej fazës së ndërtimit të kullave), qyteti do bëhej më i zhurmshëm, më i vështirë për të garantuar furnizim me ujë të pishëm dhe shërbime të tjera infrastrukturore, menaxhim të mbetjeve etj.
Nëse kësaj situate i shtojmë dhe megaprojektin e djegjes së përqëndruar të plehrave të Bashkisë Tiranë, Durrës, Kamëz në incineratorin e kontraktuar në hyrje të qytetit rezultantja për jetushmëri më të mirë në Tiranë do të konvertohej në pajetueshmëri.
Në mënyrë që Tirana të mos kthehet në qytet i pabanueshëm, qytetarët e saj duhet të fitojnë 2 beteja të tanishme; betejën kundër “Teatrit të Ri” (mendo kundër kullave) dhe betejën sapo të filluar kundër superdjegësit të plehrave.