Edhe të vjedhur, edhe krenar.

Vjedhja e freskët u deklarua në 30 Shtator 2024 në seancën gjyqsore për TECin lundrues nga juristi i KESH. Ai tha se KESH e morri në dorzim (çelësin e vjedhjes), TECin lundrues. Me këtë çelës është hapur kasaforta e buxhetit të shtetit shqiptar dhe ka filluar menjëherë transferimi i të paktën 70 milion USD diku në offshore.
TECi lundrues i sjellë nga Bangladeshi 2 vjet më parë tejet i lodhur, pasi ka punuar 20 vjet në Bangladesh dhe ka ndenjur 6 vjet në regjim shtrati atje dhe në Vlorë u ngjall në Gusht dhe bëri një sforco duke punuar 3 ditë me hile të mëdha, sa për ti treguar KESHit se vlen e të pranohej. Dhe KESH e pranoi. Sapo u pranua se është i gjallë, TECi ngordhi. Pasuria e shumfishuar e pronarit të TECit nga marrveshja me KESHin, mbi 70 milion dollar, nën bekimin e Qeverisë shqiptare kalon menjëherë tek pronari offshore. KESH është krenar që lejoi (në fakt e projektoi në bashkpunim) vjedhjen 70 milionësh të ndodhte, por ama kufoma e TECit mbeti në Shqipëri në portin turistik te Vlorës dhe KESH pagoi për këtë vetëm 1 EUR. Lexuesi e di se u tha 2 vjet më parë nga Qeveria, që ka qënë shumë krenare për këtë vjedhje me këtë TEC lundrues, me të cilin Qeveria u përlesh edhe me Gjermaninë që TECin lundrues ta merrte Shqipëria, pasi do prodhonte 15% të nevojave të Shqipërisë për energji elektrike.
Tani ndoshta Qeveria nuk është aq krenare, por ka bërë krenarë një mori të madhe njerëzish që punojnë në institucionet e saj, ka bërë krenarë dhe mediat, madje edhe avokatë e gjyqtarë.
Në seancën e dt 30 Shtator në Gjykatën administrative në Tiranë vërshuan prapsimet ndaj padisë së bërë nga organizata të shoërisë civile dhe nga qytetarë të Vlorës, ku institucionet e Shtetit, duke filluar nga avokatura e Shtetit, nga Agjensia Kombetare e Mjedsit, Ministria e Turizmit dhe Mjedist, ERE dhe sigurisht KESH kërkuan rrëzimin e padisë ndaj tyre pse kanë lejuar vjedhjen. Këto institucione duhet të ruanin pasurinë e përbashkët, në këtë rast buxhetin e shtetit që të mos vidheshin këto 70 milion usd, a më shumë, nga ata që përdorën TECin lundrues për vjedhjen. Jo vetën që nuk bënë rojen që kanë detyrë, por tani krenohen me prapsimet ndaj padisë bërë ndaj tyre, në vend që të ulnin kokën e të krijonin një shans që vjedhja të mos ndodhte. Në morinë e këtyre institucioneve të habit avokati i shtetit, i cili ne vend që të mbroj shtetin, në këtë rast buxhetin e shtetit vepron me krenari duke i hapur rrugën hajdutit.
Krenar duket dhe gjykatësi, që ka mbi 1 vit që pret, që vjedhja të ndodh dhe që nuk ka pranuar masën e sigurisë të kërkuar nga paditësit e vjedhjes. Në fakt injorimi i mases së sigurisë, për pasuritë e vendit është sëmundje e përhapur gjërësisht ndër gjyqtarët. Por pritshmëria se barriera e ndalimit të vjedhjes prej gjykatës mund të ndodhë egziston. Kjo do te ishte krenari e vërtetë.
E pashpjegueshme (jo aq e pashpjegueshme) mbetet krenaria e mediave, për mos transmetimin e lajmit të vjedhjes 70 milonëshe tashmë e konfirmuar, ndërsa detyra e tyre është minimalsht njoftimi se vjedhja ndodhi.
Krenarë janë dhe këta ekspertët, që paguhen nga vjedhësi, që vjedhja të ndodhi pa pengesa. Ekspertët janë krenarë që me monitorimin e tyre për ndotjen vinë në konkluzion se ndotja nga TECi lundrues pas 27 vitesh është më e vogël, se sa kur doli nga fabrika.
Këta persona në institucione të shtetit, që me dashje a padashje ndihmojnë të vidhet pasuria kombëtare janë gjithashtu të vjedhur nga mungesat që shkaktohen në jetën e tyre e të familjeve të tyre nga vjedhjet e mëdha, vjedhje që ata ndihmojnë që këto vjedhje të ndodhin.
Më të vjedhurit janë qytetarët e thjeshtë. Që qytetarët të jenë edhe të vjedhur edhe krenarë është pa kuptim. Qytetarët janë barriera e fundit që mund të ndalojnë ata që projektojnë vjedhjet, ndihmojnë në vjedhjet dhe krenohen me vjedhjen.
Qytetarët duhet të dalin në shesh e të bëjnë të dridhen hajdutët e mbështetësit e hajdutëve. Qytetarët duhet të shkojnë e të votojnë e të zgjedhin jo ata që vjedhin më pak, por ata që japin besim që do thyejnë krenarinë e hajdutëve e bashkëpunëtorëve të tyre dhe shqiptarët të jenë krenarë por jo të vjedhur.