E bukura, e shkreta, Zall-Gjoçaj
Zall-Gjoçaj është një ndër fshatrat më të izoluar të vendit tonë. Gjendet në veri-lindje të malit të Dejës (bashkia Mat) dhe afër liqeneve të Lurës. Fshati dhe pyjet e tij janë pjesë e Parkut Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”.
Aktualisht zona e Zall-Gjoçaj është ndër më të bukurat, por edhe më me vlerë që kemi nga pikëpamja e burimeve natyrore (diversitet i lartë biologjik dhe peizazh).
Pas apokalipsit ekologjik që ka ndodhur kudo në Shqipëri me prerjen dhe djegien e pyjeve (ka ndodhur edhe këtu), fshati përballet me katër probleme kryesore;
Sw pari, ndërtimi i një HEC-i (brenda parkut) ka bërë që uji i lumit të thahet krejtësisht pasi ai nuk rrjedh më nëpër shtratin e tijë, por nëpër tuba e tunele. Nuk ka asnjë pikë të vetme uji në lum. Dikur banorët kapnin troftë aty, ndërsa sot nuk ka asnjë pikë uji në lum, as për njerëzit, as për bagëtinë e madje as për faunën e florën. Institucionet që kanë detyrë monitorimin e rrjedhjes ekologjike apo monitorimin mjedisor në lum nuk janë dukur gjëkundi dhe zor se do të shihen ndonjëherë këtu. Fshati Melth dhe fshatrat poshtë HEC-it tashmë duhet të shpërngulen nga mungesa e ujit.
Sw dyti, bashkia Mat ka vendosur që burimin kryesor të ujit (livadhi i Gjonit), i cili ndodhet sërish brenda parkut Kombëtar, ta marrë për ujë të pijshëm. Marrja e ujit do kërkojë hapje rrugësh nëpër pyjet më të bukura që kemi dhe hapje tuneli në malin e Dejës. Përveç tjerash marrja e ujit nga ujësjellësi dhe ai më poshtë nga HEC-i, do e shkatërrojnë përgjithmonë lumin e fshatit dhe gjithë ekosistemin natyror aty. Ky burim uji është pika më e largët me qytetin e Burrelit. Burreli ka patur dhe ka shumë burime ujore, mjaft të mira, por paaftësia për të menaxhuar si duhet ujësjellsin aktual ka gjetur zgjidhjen në burimin më të largët të mundshëm. Ndoshta vlera e tenderit është ajo që nxit bashkinë të insistojë për këtë burim. Bashkia duhet të përmirësojë menaxhimin e ujit nga ujësjellsi aktual dhe jo të shkatërrojë Parkun Kombëtar, vetëm për shkak se duhet bërë një tender.
Sw treti, ndërtimi i HEC-it, dhe ndërtimi i mundshëm i ujësjellësit, do shkatërrojnë pyjet e zonës. Ato pyje që kanë mbetur. Dhe pyjet që kanë mbetur janë pyje të vjetër shekullore Ahu (250-300 vjeçare), më të mirat që janë në Shqipëri. Këto pyje janë të rrethuara me rrugë tashmë dhe aksioni për ti prerë ato është gati. Nuk dihet se me çfarë leje janë hapur rrugët ekzistuese (me shumë mundësi asnjë lloj leje), por fakti është që te takulta e tyre i janë afruar pyllit aktualisht.
Sw katwrti, pozicioni gjeografik i fshatit dhe rruga e hapur nga HEC-i bëjnë të mundur që vendi të aksesohet me makinë vetëm nga Mirdita. Bashkia Mat ka pranuar që hapja e rrugës të mos bëhet nga Dukagjini (Mat) dhe do ta vuajë përjetësisht këtë zgjidhje të gabuar. Komuniteti do e vuajë akoma më shumë. Tashmë administrata e zonave të mbrojtura nga ku varet parku kombëtar në të cilin bën pjesë edhe Zall-Gjoçaj (AdZM Dibër), bashkia Mat, ARM dhe inspektoriati i mbrojtjes së territorit (Dibër), duhet të kalojnë nga Mirdita për të ardhur këtu me makinë. Praktikisht duhet një ditë vetëm për të ardhur… Pamundësia për të aksesuar territorin, e bën të pamundur kontrollin dhe menaxhimin e tij. Kjo ka qenë një ndër arsyet pse u shkatërrua Lura dhe pyjet në këtë zonë. Nëse nuk do ketë një person të punësuar nga administratat e mësipërme (të jetë banorë i përhershëm i zonës këtu), pyjet e zonës këtu do shkatërrohen përfundimisht. Nëse administratat do vazhdojnë menaxhimin nga zyra, këtu do të ketë prerje e zjarre dhe jo më pyje.
Shpresohet shumë që qeveria nërmjet katër institucioneve të mësipërme të marrin seriozisht punën dhe prezencën e tyre në këtë zonë, përndryshe Shqipëria do humbë në mënyrë të përhershme zonën më të bukur natyrore që i ka mbetur.
Shteti duhet ta vlerësojë seriozisht situatën pasi jo vetëm që humben miliona euro nga lënda drusore, por do shkaktohet një katastrofë e madhe mjedisore si kurrë më parë.