Durrësi, një “bombë” e plehrave; mbi 70 mijë tonë në qiell të hapur

Durrësi, një “bombë” e plehrave; mbi 70 mijë tonë në qiell të hapur

Në venddepozitimin e mbetjeve urbane në Durrës derdhen çdo ditë 200 tonë, ose 70 mijë tonë mbetje në vit. Ky vend shërben si për Bashkinë e Durrës edhe për atë të Shijakut. Vendgrumbullimi eshte kthyer dhe në një vatër ushqimi për kafshët e shpezët që përfundojnë më pas në tryeza. specialistët e mjedisit shpjegojne se si kjo fushe po i rrezikon banoret. “Këtu vijnë mbetjet e pa asnjëlloj ndarjeje. Plastika nën efektet e diellit degradohet dhe përhapen nëpërmjet ajrit, apo ujit përfundojnë në det. Zjarri dhe djegia e tyre çliron substanca kancerogjene, ndaj duhen ndarë mbeturinat.

Nuk mund të jemi qytet turistik nëse nuk ndajmë dhe trajtojmë mbeturinat”, thotë Prof.Dr. Magdalena Cara, eksperte mjedisi.

Landfilli i miratuar për ndërtim në Manzë të Durrësit, i cili synonte zgjidhjen e kësaj situate emergjente mbeti një projekt në letër. Tarifat e depozitimit u konsideruan të papërballueshme nga Bashkia Durrës.

Vetëm grumbullimi dhe depozitimi i mbetjeve në fushën e Porto Romanos u kushton 50 mijë euro në vit. Deri në gjetjen e një zgjidhjeje që i kalon kompetencat e kësaj bashkie, banorët e Durrësit do të vazhdojnë të ekspozohen çdo ditë, jo vetëm ndaj mbetjeve urbane që prodhojnë vetë, por dhe të turistëve që kalojnë fundjavat dhe pushimet në qytetin me kapacitetin akomodues më të madh turistik në vend.

Botuar nga Top Channel me 21 December 2017.