Djegësi i plehrave bën edhe më gri planin “Green City” për Tiranën.
![Djegësi i plehrave bën edhe më gri planin “Green City” për Tiranën.](/content/images/size/w2000/2020/08/1_O2sk924ouwPxRQa3tM6ZnA.jpeg)
Një konsultim publik i sforcuar u bë nga Bashkia Tiranë më 9 Mars për të paraqitur një plan veprimi të një qyteti të gjelbër për Tiranën.
Ishte i sforcuar pasi presantuesit ( si të Bashkikisë dhe kompanisë fituese Angleze, ARUP) nuk dukeshin se kishin vërtet vullnet për të marrë opinionin e publikut, qëkurse u përpoqën jo vetëm si proçedurë për të anashkaluar pyetjet e diskutimet, por edhe në përmbajtje.
As në presantim verbal, as në dokumetin shumëfaqesh të shtypur nuk shprehet se çfarë do jetë rezultantja afatgjatë midis dy korsive të lëvizjes së qytetit, korsisë gri, ku qyteti po ecën me intensifikimin e ndërtimeve dhe me djegësin e plehrave dhe korsisë “green” që po konsultohet (mbaroi konsultimi) dhe ku disa element janë demostruar tashmë, si mbjellja e pemëve apo linjat e lëvizjes me biçikleta apo me autobuza e makina elekrike.
Në lidhje me kapitullin e menaxhimit të resurseve, pjesmarrësit që u konsultuan për këtë temë i kërkuan autorëve (përfshi autoritetin e Bashkisë) të këtij plani të Tiranës, që të reflektonin në dokument që do i paraqitet për miratim këshillit bashkiak faktin që koncesioni i impiantit të djegjes së plehrave rrëzon komplet planin “green” të menaxhimit të mbetjeve.
Brenda grupit të diskutimit për menaxhimin e resurseve, Stephen Cook, drejtuesi kryesor i hartimit të Planit të Veprimit të “Green City” të Tiranës pranoi: “Madhësia e incineratorit të Tiranës ka efekt tek riciklimi”. Atij ju kërkua para auditorit që ta shkruante në raport, si çdo ekspert serioz do të bëntë, që incineratori i Tiranës kompromenton bazën e menaxhimit të mbetjeve, rciklimin.
Është fatkeqësi që shpesh ekspertët e vendit edhe të huajt në Shqipëri i formulojnë ekspertizat e raportet ashtu siç i duan vendimmarrësit, ose siç mund ti duan ata. Natyrisht ata që janë më profesionistë japin 2 qëndrime, atë professional dhe një qëndrim tjetër, që i lë shteg vendimmarrësit të interpretoj raportin sipas variantit që ai parapëlqen.
Kjo ka ndodhur në këtë raport për Tiranën të hartuar nga kompania angleze ARUP.
Në fillim vihet paragrafi që do i pëlqente Qeverisë: “Qeveria e Shqipërisë ka prokuruar një kontratë afatgjatë për të marrë përsipër menaxhimin dhe kontrollin mjedisor të landfillit së Sharrës dhe për të ndërtuar dhe vënë në përdorim një impiant mbeturinash që do të trajtojë shumicën e mbetjeve në Tiranë. Investimi do të sigurojë një zgjidhje afatgjatë për menaxhimin e mbetjeve ekonomike për bashkinë.”
Natyrisht profesionalizmi nuk ja lejon që të shkruaj se djegja e plehrave është investimi që siguron zgjidhjen afatgjatë, por thjesht e quan “impiant mbeturinash”. Sidoqoftë, kështu i mjafton Qeverisë për t’ju referuar ekspetizës, tashmë edhe të huaj, për të justifikuar vendimmarrjen arbitrare dhe të mbrapshtë të saj. Dhe kompania e eksperizës për të qënë në rregull me vehten shkruan më poshtë: “Asnjë ligj i BE-së nuk lejon që të gjitha mbeturinat të digjen..” dhe vijon me objektiva dhe mënyra se si duhet rritur ndarja në burim e mbetjeve në Tiranë deri 25 % në vitin 2020 dhe 40% deri në 2025, nga 5–8% që është sot.
Llogjika më e thjeshtë e çdo qytetari, padyshim edhe e çdo eksperti që ka hartuar këtë raport, duke ditur kapacitetin e incineratorit të Tiranës me mbi 700 ton/ ditë, sasinë prej 622 ton/ditë që hidhen në qytet e duke zbritur sasinë që do të ( duhet të ) riciklohet e nxjerr jashtë funksionin e incineratorit të konçesionuar të Tiranës, ose ai bëhet pritës i plehrave të importit, aq shumë të kundërshtuar prej 15 vitesh nga shqiptarët.
Dhe kjo është vetëm analiza e shifrave në ton, pa trajtuar në këtë shkrim shifrat shumëfish në lek që duhen të paguajnë për incineratorin qytetarët e Tiranës, shifrat e ndotësve të shtuar shumë të rrezikshëm prej djegjes së plehrave, në ajër, në tokë, në ujra, shifrat e sëmundshmërisë dhe viteve jetë të shkurtuara prej icineratorit, shifrat e vendeve të punës të humbura të grumbulluesve e ricikluesve të mbetjeve.
Përfaqësuesi i Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim në Tiranë, si financues i këtij plani dhe që e njeh mirë si po ecën Tirana, tha në fjalën përshëndetse se nuk pret të bëhet revolucion i gjelbër në Tiranë nisur nga ky projekt.
Frika është se mos ndodh ndonjë kundërrevolucion nën promovimin e një revolucioni të gjelbër prej Bashkisë së Tiranës.