Disavantazhet që ndihmojnë

Disavantazhet që ndihmojnë

Jemi një popull me disavantazhe të mëdha: të vegjël, të varfër, të futur tejet vonë në zhvillim...Pesimistët dhe realistët do ishin dakord me këtë por, parë në këndvështrim optimist, pikërisht këto disavantazhe mund të kthehen në bekimin tonë më të madh. Duket si paradoks por, mund të ndodhë nëse mësojmë të kthejmë disavantazhet në avantazhe.

Jemi futur vonë në zhvillim: kjo na vendos në pozita të dobta krahasuar me vendet e zhvilluara POR, me politikat e duhura dhe përkushtim përtej mandateve elektorale, mund të përfitojmë për ta kthyer këtë disavantazh në dobinë tonë. Pse? Sepse, nëse futesh vonë në zhvillim, ke mundësi të mësosh nga gabimet e të tjerëve.

Vendet e zhvilluara të botës kanë bërë gabime pafund në rrugëtimin disashekullor drejt asaj që janë sot. Këto gabime, shpesh i kanë kushtuar shtrenjtë ashtu si do i kushtonte akoma më shtrenjtë nëse do i korrigjonin. Ne, nga ana tjeter, kemi privilegjin të mësojmë e të mos i përserisim gabimet e tyre. Futja vonë në zhvillim të jep mundësinë të kapësh teknologjitë më bashkëkohore për investime si dhe të orjentosh zhvillimin drejt politikave më të mira botërore, atyre që kanë provuar tashmë se vlejnë.

Turizmi: Deri me sot, për arsye objektive dhe subjektive, kemi qenë jashtë vëmendjes së turistëve cilësorë. Sot, me stabilitetin e krijuar, infrastrukturën e përmirësuar drastikisht si dhe përmirësimin e shërbimit e shtimin dita ditës të alternativave, jemi kthyer më në fund në një vend tejet atraktiv. Shtimi i përvitshëm i turistëve e vërteton këtë.

Shqipëria konsiderohet tashme si ``Sekreti i fundit``. Megjithë propagandën anti Shqiptare të aktivizuar fuqishëm deri në produksionet e Hollivudit nga fqinjët, në sajë të internetit, ka sot më tepër që flasin pozitivisht dhe planifikojnë udhëtimet për tek ne.

Mjedisi i mrekullueshëm dhe, ndjeshëm më i pastër (duhet të mësojmë edhe të pohojmë), favorizon jetën, bujqësinë (ku bujqësia organike po fiton terren dita ditës) turizmin dhe deri zhvillimin që synon Europën... Nuk jemi perfektë dhe probleme ka pafund POR, jemi ende ndër vendet me imputet më të ulta kimike në botë, vendi që ende sot përdor 100 përqind vetëm energjitë e rinovueshme, Kjo është një përparësi që na dallon nga shumica e vendeve (sidomos ato të zhvilluara). Duhet ta ruajmë me cdo kusht të mbetet e tillë.

Sigurisht që kjo nuk është e lehtë dhe, për momentin ka kosto të lartë por, shpërblen shumë shpejt dhe përgjithmonë. Ndaj qeveritë duhet të jenë më dashamirëse ndaj zërit të ambjentalistëve e qytetarëve dhe, në vend që t`i konsiderojnë armiq e ti rrethojnë me policë, duhet të mësojnë ti pranojnë si ``oponencë konstruktive``, tejet e domosdoshme kjo për demokracinë.

Shqipëria, Sekreti i fundit. Sa e bukur është kjo!

Ka ardhur koha që, kushdo që vjen në pushtet (nga zgjedhja jonë) të kuptojë që posti i dhënë është një privilegj i madh dhe përgjëgjesi edhe më e madhe. Futja në politikë për përfitime personale është tashmë, jo vetëm jashtë kohe por edhe e rrezikshme (SPAK ka treguar me vepra që ndërshkon).

Nëse poitika do afrojë në gjirin e saj njerëz me merita dhe integritet, do bëhet më mirë. Nëse politika do nisë të punojë me plane afatgjata  dhe a-politike për të cilat të informojë publikun e të dëgjojë mendimin e personaliteteve të fushës, pa dyshim që do këtë ndikim tejet pozitiv në vend. Nëse politika do zhvishet nga vetkënaqësia dhe do nisë te dëgjojë e respektojë cdo sugjerim me vlerë, do të nderohet e nuk do shqetësohet në punën e saj nga turma të egërsuara e protesta.

Populli (pra NE), duhet nga ana tjetër të marrë seriozisht vetëm përzgjedhjen e përfaqësuesve. Pas zgjedhjeve, duhet të harrojë politikën e ti shtrohet punës në vend që të humbasë jetën në ankesa kafeneve. Në zgjedhjet pasardhëse, të gjykojë e vendosë sërish dhe më drejt.

Kemi  patur gjithmonë një disavantazh të madh e shumë të rëndësishëm historik e gjeografik: Një vend shumë i vogël, pa aleanca diplomatike të mjaftueshme me më të fortët dhe në një pozitë të lakmuar strategjike. Kjo na ka bërë të dobët e të ndikueshëm POR, nëse e shohim si avantazh dhe punojmë fort për ta kthyer në të këtillë, kushtet janë sot më tepër se kurrë që kjo të ndodhë.

Jemi të vegjël: e vogël është dhe Zvicra por e ka gjetur mënyrën për tu bërë e paprekshme. Vec kësaj, është shumë më e lehtë të ndryshosh një vend të vogël.

Nuk kemi aleanca historike të fuqishme. Kjo ka ndryshuar tashmë sepse kemi mbështetjen e shtetit më të fuqishëm të botës, SHBA, edhe për arsye strategjike. Kjo nuk do të thotë që duhet të flemë në dafina dhe as të pranojmë pa kushte cdo alternativë që na ofrohet. Një partner me integritet merret gjithmonë më seriozisht.

PRA, jemi të bekuar me të gjithë disavantazhet e duhura. Duhet vetëm të tregohemi më në fund më të mencur , më të përgjegjshëm e dashamirës. Kaq.