Dhjetor 2017- Revolucioni i gjelbër në prag

Është lajmëruar një protestë masive më 2 Dhjetor nga ata që quhen Friends of Valbona dhe që po shtohen me shpejtësi. Vitet e fundit ka filluar në Shqipëri një lëvizje qytetare në mbrojtje të natyrës Shqiptare. Është lajm i mirë, se janë të rinjtë që janë pjesa më e revoltuar dhe aktive në mbrojtje të natyrës. Tashmë egzisiton një situatë ku jo vetëm evidentohet dëmtimi i natyrës dhe shprehet keqardhje për të, por edhe reagimi ka filluar.
Të rinjtë kanë filluar të dalin në sheshe e në rrugë për të mbrojtur natyrën, vec ngritjes së dallgëve të forta në rrjetet sociale dalë prej një zëmërimi të arsyeshëm shkaktuar nga dhunimi permanent i mjedisit në cdo cep të teriritorit. Revoltën e ka nxitur fort në mënyrë të natyrshme një lloj lëvizje shtetërore antimjedisore shpërthyer në 2009, që shpërndau në formë epidemie qindra leje për të ndërprerë me masive betoni rrjedhjet e lira të lumenjve e për ti devijuar ato në tuba e tunele.
Ky shpërthim që u etiketua si lëvizja që do e bënte Shqipërinë superfuqi energjitike në rajon ishte dhe mbetet një lëvizje degraduese e territorit të vendit që nuk është gjë tjetër vecse një lëvizje sekseriste e përmasave të mëdha korruptive dhe me pasoja negative mjedisore e social-ekonomike që do zgjasin shumë . Sekseri i HECeve i kudo ndodhur kishte një favor të madh se shiste pasurinë natyrore të gjithë Shqiptarve, duke tundur tek blerësi lejen e marrë.
Kështu agresiviteti i lejeve të dhëna për HECe nuk kurseu dhe nuk po kursen as Parqet Kombëtare, ku ligji ndalon dhënien e lejeve. Reagimi qytetar, duke shikuar percudnimin e një prej bukurive simbol të bukurisë Shqiptare, atë të Parkut Kombëtar të Valbonës po kalon në revolt. Një revolt të ndrydhur edhe më të madhe gati të shpërthej e kanë dhe banorët e pakë të Valbonës e të mbarë malësisë së Gjakovës, jeta e të cilëve është pazgjidhshmërisht e lidhur me vitalitetin e ekosistemit të Valbonës. Revolta e këtyre banorve ka dhe rrënjë historike, pasi është derdhur shumë gjakë ndër shekuj për të mbrojtur këtë territor të cmuar të kombit Shqiptar.
Qytetarët po e shohin Valbonën si një precedent tepër negativ e të rrezikshëm, ndërsa po gëlon përgatitja për pushtim edhe të parqeve kombëtare kudo nga bregdeti përallor Jonian e Shebeniku në Jug, tek Parku Kombëtar i Divjakës në Qendër e sipër tek Alpet e Veriut, nëpërmjet emërtimit “investim strategjik”dhe spekulimit gjigand me të.
Në javën e kaluar protestuesit për lirinë e Valbonës patën një simbol mjaft domethënës, një flamur të madh në ngjyrën e gjelbër të praruar, si ngjyra e Valbonës.
Një revolucion i gjelbër po nis. Po nis me clirimin e Valbonës së kapur. Vala e këtij revolucioni pa dyshim do rritet e do të rrëzoj edhe kështjella të korrupsionit e krimit mjedisor në vend.