Deri në vitin 2020 Shqipëria, vendi më i gjelbër në rajon
Data 23 dhe 24 shkurt të çdo viti, shpallen Ditët Kombëtare të Pemëve ndërsa të gjitha shkollat dhe universitetet në mbarë vendin do të bëhen pjesë e këtyre ditëve kushtuar gjelbërimit dhe pyllëzimit. Për realizimin e kësaj fushate të përvitshme dhe mbi baza vullnetare, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe ajo e Arsimit, Lindita Nikolla nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në prani të nxënësve të gjimnazit “Partizani” në Tiranë.
Ministri Klosi kërkoi mbështetjen e çdo nxënësi, mësuesi dhe prindi që të mbjellin pemë për të rigjeneruar mjedisin dhe jetën në vendin tonë. Vetëm me përfshirjen e të gjithë qytetarëve dhe bizneseve, do të arrihet që Shqipëria të bëhet vendi më i gjelbër në rajon. “Sot nënshkruam me ministren Nikolla një pakt i cili nuk u takon në fakt institucioneve tona, por i takon të gjitha shkollave të Shqipërisë për të marrë pjesë në aksionin e madh të mbjelljes së 20 milionë e 200 mijë pemëve deri në vitin 2020 duke e bërë Shqipërinë një nga vendet më të gjelbëruara në rajon”, tha ministri Klosi.
Edhe ministrja Nikolla siguroi mbështetjen e plotë të ministrisë së Arsimit për mbarëvajtjen e aksionit të mbjelljes së pemëve duke përsëritur apelin për përfshirjen vullnetare të të gjithë nxënësve dhe stafit pedagjogjik.
I drejtpërdrejtë ishte edhe mesazhi i njërës prej mësuesve të biologjisë së shkollës “Partizani” e cila theksoi se kush mbjell një pemë nuk mund ta presë kurrë atë. Në fund të takimit ministrat e Mjedisit dhe Arsimit, së bashku me mësues e nxënës mbollën fidanët për kurorën e gjelbër të shkollës “Partizani”.
Memorandumi midis dy ministrive, synon organizimin e ditëve të mbjelljes së pemëve për çdo vit nga shkollat dhe universitetet, kryesisht në territoret e shkollave dhe përreth tyre në bashkëpunim me autoritetet vendore, si dhe nxitjen e bizneseve për të dhuruar fidanë pyjorë dhe dekorativë për institucionet shkollore.
Botuar nga Arlinda Gjonaj, Agjencia Telegrafike Shqiptare me 05 February 2018.