Deklaratë nga AKIP: Kërkon ndalimin e menjëhershëm të kontratave koncesionare të incineratorëve

Deklaratë nga AKIP: Kërkon ndalimin e menjëhershëm të kontratave koncesionare të incineratorëve


Aleanca Kundër Importit të Plehrave kërkon ndalimin e menjëhershëm të kontratave koncesionare të incineratorëve dhe fillimin e punës për menaxhimin e integruar të mbetjeve sipas parimeve të Bashkimit EvropianTiranë më 25 shkurt 2022

Aleanca Kundër Importit të Plehrave vëren me trishtim se si qeveria shqiptare po djeg miliona euro të taksapaguesve në projekte korruptive në Tiranë, Fier dhe Elbasan, të cilat nuk e bëjnë Shqipërinë një vend më të pastër dhe shkelin logjikën elementare të menaxhimit të mbetjeve të formuluara në legjislacionin evropian dhe atë shqiptar.

AKIP i bën thirrje qeverisë shqiptare të ndërpresë menjëherë kontratat koncesionare për ndërtimin e incineratorëve si projekte të panevojshme, të kushtueshme dhe të dëmshme për mjedisin dhe të nisë punën për zhvillimin e një kuadri të përshtatshëm ligjor dhe institucional për menaxhimin e integruar të mbetjeve sipas parimeve Evropiane, të cilat, sicc e dinë të gjithë, nuk mbështeten te djegia, por te riciklimi.Faktet e bëra publike deri më sot tregojnë se incineratorët janë të kushtueshëm, janë projekte të realizuara përmes ryshfeteve të majme për zyrtarët ndërsa ndihmesa e tyre në menaxhimin e mbetjeve është e papërfillshme.

AKIP inkurajon prokurorët të hetojnë deri në fund dhe të vendosin nën sekuestro projektet e Tiranës dhe të Fierit dhe të hetojë jo vetëm aspektet financiare të aferës por edhe shkeljen e parimeve ligjore të hierarkisë së menaxhimit të mbetjeve nga zyrtarët.

AKIP është një lëvizje qytetare pa anëtarësi dhe pa strukturë drejtuese e lindur me nismën e qytetarëve në vitin 2004 për të kundërshtuar planet më të hershme të një qeverie për ndërtim impiantesh për djegien e plehrave (Projekti i Francesco Becchetti-t) në Kashar.AKIP ka kundërshtuar me sukses ligjin për importin e plehrave në vitete 2011-2013 të qeverisë demokratike si dhe ligjin tjetër për importin e plehrave në vitin 2016 të qeverisë socialiste.

AKIP beson se rruga drejt Shqipërisë si vend i pastër duhet të kalojë përmes ndarjes dhe riciklimit të mbetjeve, sicc është e përcaktuar nga legjislacioni dhe eksperienca evropiane në këtë fushë dhe jo në djegien e plehrave.

AKIP nxit qytetarët të kërkojnë ndarje në burim dhe riciklim të mbeturinave si rruga më efikase dhe me kosto më të ulët në menaxhimin e mbetjeve.Incineratorët djegin paratë e taksapaguesve por nuk ndihmojnë për një mjedis të pastër.