Degradimi i pyjeve në Kosovë

Degradimi i pyjeve në Kosovë

Dr. i Shkencave të Kimisë - Valdet Teneqja

Marrë parasysh rrethanat të cilat e karakterizojnë zhvillimin shoqërisë Kosovare dhe atë ekonomik si në të kaluarën por edhe tani, mbrojtja e mjedisit mbetet çështje e neglizhuar dhe në të shumtën e rasteve e nënshtruar ndaj interesave të ngushta biznesore, kështu fatkeqësisht duke mbetur objekt shkatërrimi. Ky shkrim i imi në kuadër të angazhimit tim në Organizatë OMM “GJETHI”, në Kaçanik, ka për qëllim që tani, në rrethanat e reja të krijuara, mbrojtja e mjedisit në Kosovë të filloj të formësohet në një koncept të mirëfilltë dhe afatgjatë zhvillimor. Ku pas një periudhe të mbishfrytezimit dhe keqadministrimit të burimeve natyrore, pyjore e kullosore, çoft për motive politike e socialekonomike, konsiderojm që duhet të merret shumë seriozisht shqetësimi për mbrojtjen e pyjeve tona, përshkak edhe të trendit në rritje të ndryshimeve klimatike si pasoj e shkatërrimit, shpyllëzimit dhe djegies së pyjeve, si njëra ndër pasuritë më të rëndësishme të planetit, dhe duke qenë me një vlerë dhe të një rëndësie të tillë, ato duhet të mbrohen për të ardhmën e planetit dhe njerëzimit. Në fakt, ne flasim shumë për pyjet dhe burimet tona natyrore, por të dhëna të mirëfillta mbi gjendjen aktuale të mjedisit akoma nuk kemi, si dhe veprime konkrete të prekshme në teren akoma nuk shihen. Prandaj ne si shoqëri civile në kuadër të Organizatës sonë, synojmë që të hapim tema dhe të ngrisim shqetësimet tona se si të arrihen dhe gjenden alternativa për një mjedis të mbrojtur, duke marrë parasysh sfidat e mëdha që kemi përpara për një angazhim të gjithanshëm, sepse krahasuar me vendet fqinje, aty ku edhe ne si shtet që synojm partneritetin me Evropën. Vendi ynë, është relativisht i pasur me pyje e burime natyrore, por për arsye që edhe njihen dhe theksohen shpesh, nga fotografimet apo imazhet satelitore, fondi ynë pyjor në shumë pjesë t ë vendit duken vetëm shkurra dhe djerrina, pra shumë larg përmbushjes së kërkesave dhe standardeve të mbrojtjes dhe kultivimit të pyjeve. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) është autoriteti më i lart përgjegjës për pylltari në Kosovë. Në nivelin qendror janë dy njësi kryesore përgjegjëse për pylltari: - Departamenti i Pylltarisë (DP) dhe, - Agjencioni i Pyjeve të Kosovës (APK). Bazuar në të dhënat e ofruara nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes publikimit të “STRATEGJIA PËR ZHVILLIMIN E PYLLTARISË 2010 – 2020”, për resurset pyjore të Kosovës, është paraqitur vlerësimi i resurseve pyjore në të gjithë Kosovën, i quajtur Inventarizimi i Pyjeve:  Rreth 379 200 ha janë klasifikuar si toka pyjore përmes interpretimit të aerofotove dhe anketimeve në terren. Ndërsa, 85 600 ha janë klasifikuar si toka pyjore përmes interpretimit të fotove, por nuk janë anketuar për shkak të pengesave nga minat dhe pengesave tjera logjistike. Prej sipërfaqes totale të tokave pyjore që kanë qenë të anketuara dhe jo të anketuara, 278 880 ha janë klasifikuar si toka pyjore publike dhe 185 920 ha si toka pyjore private. Kjo sipërfaqe totale (464 800 ha) është pak më e madhe (6-8%) krahasuar me matjet e mëparshme;  Pyjet me specie fletore mbulojnë më shumë se 90 % të tokave pyjore. Llojet dominuese të fletorëve janë bungu dhe ahu. Pyjet me specie halore mbulojnë 7 % të tokave pyjore dhe aty dominojnë breu, hormoqi dhe pisha;  Vëllimi total në këmbë në pyjet publike është vlerësuar të jetë rreth 33.5 milion m3 . Prej këtij vëllimi, 25.9 milion m3 janë drunj me diametër >7 cm, në lartësi të gjoksit. Në pyjet private, vëllimi total në këmbë është vlerësuar rreth 19.5 milion m 3 prej të cilave 14.5 milion m 3 janë drunj me një diametër >7 cm;  Rritja vjetore e drunjve në sipërfaqet e anketuara dhe të cilët janë me diametër >7 cm, në lartësi të gjoksit, është kalkuluar të jetë 1.165 milion m3 . Ndërsa për sipërfaqet e paanketuara (85 600 ha) që në masë të madhe gjenden afër fushave të minuara apo pjesëve të pavizituara, duket e arsyeshme që të mos përfshihet kjo rritje në bazat për prerje të lejueshme vjetore; Është një sipërfaqe e konsiderueshme e tokave pyjore të zhveshura (20 000 – 30 000 ha). Disa prej këtyre sipërfaqeve janë të eroduara dhe kanë një shtresë të rrallë në krye të dheut. Përpos një fertiliteti të dobët, një pjesë e konsiderueshme është e përshtatshme për pyllëzime;  40% e tokave pyjore publike dhe 29% e tokave pyjore private u janë nënshtruar aktiviteteve të pakontrolluara apo ilegale të shfrytëzimit. Krahasuar me të gjitha standardet e aplikuara, këto shifra janë mjaft të larta. Situata është shumë kritike sidomos në pyjet halore, ku ekzistenca e sipërfaqeve të gjera pyjore është vënë në rrezik, nëse nuk merren masa të menjëhershme. Rezultatet e inventarizimit gjithashtu konfirmojnë që pyjet e ulëta, veçanërisht ato publike i shtrohen një shfrytëzimi të tepërt. Po ashtu, rezultatet tregojnë, që shumë pyje të reja dhe ato me moshë mesatare të mesme kanë nevojë urgjente për intervenime menaxheriale, duke filluar prej pastrimit/rrallimeve parakomerciale deri te rrallimet komerciale. Bazuar në ndryshimet klimatike që paraqesin tendecë në rritje, përpos që mbrojtja e pyjeve është një prej formave të mbajtjes nën kontroll të këtyre ndryshimeve, njikohësisht do të mbrohen edhe vlerat multidimensionale të ekosistemit. Prandaj me shumë të drejtë ekspertët ambiental shpëtimin e shohin pikërisht tek pyjet, meqë ato janë konsumuesit më të mëdhenj të dyoksidit të karbonit dhe që kanë ndikim evident në pakësimin e këtij gazi që konsiderohet si njëri ndër faktorët kryesor në shkaktimin e efektit serrë, në të kundërtën degradimi i tyre shihet si një nga faktorët që do të ndikoj në rritjen e këtyre ndryshimeve klimatike. Vlera e pasurisë pyjore për nga rëndësia ekonomike është pra një faktor i rëndësishëm, jo vetëm që rregullojnë furnizimin me ujë, shumëllojshmërinë biologjike, burim i ajrit të pastër, tokës së shëndoshë, ushqimit, oazë natyrore në interes të prodhimit të shumëllojshmërisë së barishtave me bazë mjekësore, zona rekreative me vlera kulturore e turistike, por ofrojnë edhe drurin si material i rigjenereushëm dhe me shumë vlera të tjera ekonomike. Ne si organizatë joqeveritare, kemi si qëllim kryesor të japë ndihmesën e saj në ruajtjen e mjedisit, në mbrojtjen e vlerave natyrore dhe zhvillimin rajonal, mbrojtjen e florës dhe faunës, vlerësimin e diversitetit biologjik, menaxhimin e zonave të mbrojtura, rritjen e ndërgjegjësimit të publikut dhe vendim marrësve, si dhe të ndërmarrë masa mbrojtëse kur është e mundur dhe e nevojshme për mbrojtjen e llojeve e habitateve të tyre kritike. Detyrë e jona është gjithashtu të integrojmë ruajtjen e natyrës dhe biodiversitetit me të gjitha çështjet tjera, që kanë ndikim në burimet dhe pasuritë natyrore në vend. Do të mundohemi të jemi edhe pjesë e proceseve të përmirësimit të praktikave të tjera të lidhura me mbrojtjen e natyrës. Këtu do të mundohem të paraqes rëndësinë e pyjeve në dy aspekte shumë domethënëse për vetë natyrën dhe Njeriun: - Kostoja e pyjeve në aspektin e shërbimit ndaj ekosistemit dhe ; - Kostoja e pyjeve në aspektin e vlerës ekonomike. - Në aspektin e shërbimit ndaj ekosistemit, pikëpamjet e reja shkencore i japin rëndësinë dhe vlerën kryesore pyjeve si gjenerator të prodhimit të oksigjenit, kontriburtor në mbrojtjen nga erozinoni, në mbrojtjen e rezervave ujore, në ruajtjen e biodiversitetit, pra përmes këtij ekosistemi të mbrojtur arrihet të bëhet filtrimi edhe i ujit dhe ajrit që ne thithim. Pra kjo është kostoja e përfitimit që sjellin pyjet si kosto e vërtet financiare. Këtë aspekt mundemi ta ilustrojmë gjithashtu edhe përmes një studimi të financuar nga Komisioni Evropian i cili ka përllogaritur se humbja financiare që rezulton nga humbja e kapitalit natyror të pyjeve, shkon nga 2-5 triliardë dollarë amerikanë në vit, shumë kjo që është disa herë më e madhe sesa humbja prej 1.5 triliardë dollarësh nga kriza e fundit financiare që preku botën. - Në aspektin financiar, vlerat ekonomike që sjellin pyjet janë të shumta, por gjendja e rëndë sociale në vend ka ndikuar që shumë familje ta kenë prerjen ilegale të pyjeve dhe shitjen e tyre si të vetmin burim të ekzistencës. Të dhënat flasim se rreth 42 % e territorit të Kosovës janë sipërfaqe pyjore. Dhe sipas inventarizimit të fundit të paraqitur më lartë, del se kemi rreth 52 milionë m3 dru. Rreth 33 milionë m3 u përkasin pyjeve shtetërore, ndërsa 19 milionë m3 atyre private. Rreth 60 % e pyjeve janë pyje shtetërore, ndërsa 40% të tjera janë pyje private. Pra për shkak të keq menaxhimit pyjeve dhe përdorimit joefikas të kulturës drusore, përgjatë këtyre viteve të fundit kanë qenë objekt i krimit ekonomik, që është manifestuar kryesisht me prerjen ilegale të tyre dhe zjarret shpeshherë të qëllimshme, me ç`rast Kosovës i kanë shkaktuar dëme në vlera dhjetëra milionëshe. Në mungesë të alternativave tjera për ngrohje, pyjet vazhdojnë të shfrytëzohen në mënyrë të pakontrolluar si burim i vetëm energjie, edhe këtu mund të paraqes një shembull sa për ilustrim lidhur me të mirat materiale që mund t`i sjellin Kosovës nëse kjo pasuri trajtohet jo vetem si lëndë djegëse: Përmes procesit industrial të quajtur Distilimi i thatë i Drurit mund të përfitohen këto produkte: gazrat ( dyoksidi i karbonit, monoksidi i karbonit, metani), produktet në gjendje të lëngët dhe mbetjet e ngurta dhe qymyri pluhur. Produktet e gaztë dhe të lëngët ndahen si një përzierje e avullit dhe gazit, dhe kur përzierja ftohet, atëher përfitohet një destilat. Pastaj ky destilat i përfituar konvertohet në të ashtuquajturin acid i drurit dhe bitum ose katran i drurit. Acidi më tej mund të trajtohet për të përfituar acid acetik, metanol, dhe produkte të tjera të paraqitura në tabelën si më poshtë: Mesatarisht me këtë proces mund të përfitohen 32–38 % qymyr, 45–50 % produkte në gjendje të lëngshme, dhe 16.5– 18 % produkte në gjendje të gaztë (Shih Tabelen 1).