Dëgjesa publike për incineratorin e Sharrës përfundon me protestë dhe pa dëgjesë

Dëgjesa publike për incineratorin e Sharrës përfundon me protestë dhe pa dëgjesë

Projekti më i madh në fushën e menaxhimit të mbetjeve dhe një nga koncesionet më të mëdha të vendit për ndërtimin e njëincineratori për djegien e mbetjeve urbane në zonën e Tiranës u prit me protesta nga banorët përreth landfillit të Sharrës si dhe nga ekspertët dhe aktivistët mjedisorë, ndërsa kompania koncesionare dhe punonjësit e saj duket se dështuan t’i përgjigjen pyetjeve të ngritura.

Të premten më 28 shtator, kompania “IntegratedEnergy” B.V, e cila ka fituar një koncesion tëpakërkuar nga qeveria shqiptare, prezantoi para banorëve të Sharrës dhe aktivistëve të mjedisit të ashtuquajturin “Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis” të planit të kësaj kompanie për ndërtimin e njëincineratori me kapacitet djegës 900 tonë plehra në 24 orë. Kontrata koncesionare pritet t’i kushtojë taksapaguesve rreth 6 milionë euro në vit për një total prej mbi 180 milionë euro në tridhjetë vitet e ardhshme. Shifrat e sakta të kostos së koncesionit nuk dihen, për shkak se zyrtarët e kompanisë refuzuan t’i përgjigjen pyetjeve specifike mbi këtë temë ndërsa zyrtarët e qeverisë ishin dukshëm jo të pranishëm.

“Ne jemi një kompani holandeze”, tha në italisht GiuseppeCiaffaglione, administrator i kompanisë.

Kompania e tij ka kryer disa punime në Sharrë, ndërsa e rrethoi zonën e Dëgjesës Publike me roje private. Kur ky gazetar u përpoq të bënte një foto nga landfilli, një roje i tha kërcënueshëm se nuk lejohej të fotografohej asgjë veç stendës së kuruar nga kompania.

Ndërsa banorët e Sharrës pyetën se ku gjendeshin përfaqësuesit e Bashkisë Tiranë apo të Ministrisë së Mjedisit, asnjë nga këto dy institucione që përfaqësojnë shtetin në këtë kontratë nuk u përfaqësua në nivel të lartë ndërsa zyrtarët e nivelit të mesëm bënëçmos që të qëndronin mënjanë, pa pranuar të flasin në mbrojtje të projektit të qeverisë së tyre.

Një grup ekspertësh mjedisorë të punësuar nga kompania koncesionare paraqitën të dhëna thellësisht teknike mbi nivelin e ndotjes aktuale dhe mbi nivelin e ndotjes që teorikisht do të ketë zona pas ndërtimit tëincineratorëve, por së paku njëri prej tyre, Agron Deliu, theksoi nevojën për riciklim duke dhënë shembuj nga Gjermania e Suedia.

“Pas këmbënguljes sime të përsëritur, kompania më dha të dhënat teknike të impiantit që pritet të ndërtohet,” tha Deliu, një ekspert kimist.

Të dhënat e kompanisë tregojnë se emetimet ndotëse do të jenë disa herë më të ulëta se sa normat e lejuara nga Bashkimi Europian, nëse do të jenë të tilla, shtoi ai duke theksuar fjalën “nëse”.

Deliu theksoi gjithashtu se ndonëse incinerimi i mbetjeve është një praktikë e zakonshme në vendet e zhvilluara, shumica e vendeve të zhvilluara kanë prioritet riciklimin e mbetjeve.

Fjala e Deliut dhe fjalimet e drejtuesve të tjerë të kompanisë u ndërprenë disa herë nga protestat e banorëve të Sharrës. Njëri prej tyre, FiqeriLamuça, i tha BIRN se ai e nxirrte jetesën e familjes së tij me gjashtë anëtarë nga 5 mijë metra katrorë tokë, të cilat i mbjell me foragjere për të ushqyer tre lopë. Por qeveria ka vendosur t’ia rrëmbejë tokën Lamuçës dhe shumë bashkëfshatarëve të tij dhe t’i japë një kompensim prej vetëm 480 lekësh për metër katrorë, njëçmim së paku dhjetë herë më i ulët se sa çmimi i tregut. Qeverisë i duhet toka e Lamuçës për të ndërtuar incineratorin. Lamuça thotë se pas kësaj nuk do të ketë me çfarë t’i ushqejë lopët, të cilat përbëjnë burimin kryesor tëtë ardhurave të familjes.

Qeveria shqiptare është kritikuar për procese shpronësimi me çmime shumë më të ulëta se sa vlera e tregut, një praktikë që mbart rrezikun e gjobave të majme nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Disa dhjetëra hektarë tokë pritet të humben nga banorët e Sharrës përkundrejt dëmshpërblimeve me çmime simbolike.

Shumë banorë të Sharrës pritën me padurim mbi një orë e gjysmë fjalimet e dhëna nga kompania me shpresë se do të merrnin një përgjigje se çfarë do të ndodhë me tokat e tyre. Shqetësime kishin edhe disa pjesëmarrës që më herët kanë punuar në sektorin e riciklimit por që me ardhjen e kompanisë kanë mbetur pa punë. Por pavarësisht durimit, zyrtarët e kompanisë nuk denjuan as t’i japin fjalën, e aq më pak, t’i japin përgjigje.

Të zemëruar, disa prej banorëve i bërtitën përfaqësuesve të kompanisë në protestë.

Të pakënaqur me përgjigjet mbetën edhe ekspertët mjedisorë. IljazMehmeti, sipërmarrës në fushën e riciklimit, pyeti se pse kjo kompani po ndërtonte incinerator me kapacitet shumë herë më të madh se sa sasia reale e mbetjeve të prodhuara në Shqipëri dhe se pse, incinerimit po i jepet prioritet mbi riciklimin. Mehmeti ngriti pikëpyetje edhe për faktin se koncesionet e qeverisë nëincineratorë po krijojnë një monopol të dyfishtë në teknologji dhe në treg.

Moderatori i takimit, KlodianAliu, iu përgjigj se këto janëçështje të vendosura nga qeveria dhe se nuk ishin temë e takimit. Por para se të jepte këtë përgjigje, moderatori thirri me emër një zyrtar të Ministrisë së Mjedisit duke e ftuar të përgjigjej. Ky i fundit, u përpëlit në karrige dhe refuzoi tëçohej deri sa britmat e banorëve protestues e shpëtuan nga vëmendja.

Të pranishmit ngritën pyetjen se, nëse qeveria ka vendosur ndërtimin e incineratorit, për çfarë arsyeje shërben një “dëgjesë publike”, ku teorikisht publiku duhet të shprehet dhe autoriteti duhet të reflektojë mbi shqetësimet e shprehura nga publiku.

Aleanca Kundër Importit të Plehrave, një grupim qytetar që ka luftuar me sukses planet e qeverisë aktuale dhe qeverisë së shkuar për të lejuar importin e plehrave për djegie në Shqipëri, e konsideroi dëgjesën publike “një farsë”.

“AKIP dëshiron të informojë publikun e gjerë se “dëgjesa publike” ishte një farsë, ku kompania dhe ekspertët e saj mbajtën fjalime tërësisht të pakuptueshme nga publiku dhe ku pyetjeve të publikut nuk iu dha asnjë përgjigje bindëse,” shkroi AKIP në një deklaratë të publikuar në faqen e saj nëFacebook.

Për AKIP, incineratorët që po ndërtohen nga qeveria janë një zgjidhje e gabuar si nga pikëpamja mjedisore, ashtu edhe nga pikëpamja ekonomike.

“Në vend që qeveria të investojë në riciklim, ajo po investon në djegie,” deklaroi aleanca.

“AKIP e konsideron të turpshme që në prezantimin e parë publik deri tani të një projekti që do t’i kushtojë shqiptarëve qindramilionë euro në dekadat e ardhshme, asnjë zyrtar i qeverisë nuk u ngrit të mbronte projektin, as të jepte ndonjë argument pro djegies,” vijon më tej deklarata.

Qeveria shqiptare është kritikuar edhe nga Raporti i Progresit i Bashkimit Europian, i cili ka ngritur shqetësimin se planet për ndërtim incineratorësh bien ndesh me interesat e vendit si dhe me kriteret e BE-së për menaxhimin e mbetjeve, kritere që theksojnë rëndësinë e riciklimit dhe minimizimit të djegies. Por për të gjitha këto shqetësime, zyrtarët më të lartë të qeverisë kanë qëndruar në heshtje dhe ministritë e transportit dhe të mjedisit si dhe Bashkia Tiranë kanë refuzuar në mënyrë të përsëritur kërkesat e gazetarëve për komente. Nën zë, shumë zyrtarë thonë se ata janë kundër incineratorëve, por kuraja qytetare për të folur kundër vullnetit të kryeministrit duket se mungon.

Marre nga: reporter.al

Image for post
Gjergj Erebara

Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë. Ai ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka master shkencor (MSC) për Histori Ekonomike nga Universiteti i Lundit. I specializuar për gazetari ekonomike. Erebara ka punuar që nga viti 1998 në disa media të shkruara dhe vizive Shqiptare, si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor.