Bilanci paraprak i punës i kryebashkiakut Veliaj-i imi.
Sa dal nëpër rrugët e Tiranës me biçikletë pres me gëzim të madh të futem e të pedaloj në korsitë e reja të biçikletave nëpër qytet që po shtohen me shpejtësi kohët e fundit.
Do të doja ti quaja korsitë e biçikletave si profilaksi për jetën në Tiranë, por më rezulton, që në gjëndjen super të kontaminuar me beton e me ajër të ndotur, ku është qyteti, të jenë një tererapi e domosdoshme, që qyteti të mund të ketë një jetesë brenda disa standarteve botërisht të pranueshme. Numëroj çdo ditë qytetarët që pedalojnë në korsi e i krahasoj me makinat në krahë.
Ëndëroj që trafiku brenda korsive të biçikletave të vështirohet prej vërshimit tek ato të mijra biçikletave dhe lehtësimit të trafikut të makinave, si rrjedhoj.
Duke konsideruar edhe futjen e 4000 mijë biçikletave në qytet, ku një pjesë kanë filluar të qarkullojnë në dejet e tij më rezulton se Veliaj merr disa pluse për këtë punë. Daljet tmerësisht të shumta në publik me mbjelljet e pemëve, edhe pse kryesisht qeparisa, cilindo do ta bënin ti shtonte një plus punës së tij. Përmisimi i infrastrukturës së rrugëve, shkollave, çerdheve, për të cilat publiku është gjithashtu shumë i informuar, falë daljeve thuajse të përdithme në media, meriton pluse në bilancin e punës së tij.
Nuk mund ti japësh as minus as plus punës aq shumë të promovuar si sukses, punës së ndërtimit të parkut të lodrave për fëmijë tek liqeni, ku dhjetra fëmijë që shkonin atje para ndërtimit të parkut, po dhjetra vazhdojnë të shkojnë edhe tani, jo më shumë, por tash në vend që ata të shihnin se si milingonat punonin pa pushim për të ndërtuar jetën e tyre, e të mblidhnin lule shqera, ata nuk këpusin dot as fijet e barit artificial të sjellë aty.
Unë do ti jepja një plus tjetër Erionit, për rregullimin e sheshit Skënderbej e zhdukjen e atij trafikut marramendës aty, duke i shtuar kështu disa nota qetësie kakofonisë zhurmëmadhe të qendrës së Tiranës, edhe për shkak të vlerësimeve positive me shumicë prej të huajve.
Ndonjë plus mund ta marri Veliaj edhe për vendosjen e koshave me ngjyrë jeshile për mbetjet e riciklueshme , në disa pika në qendër të Tiranës, kjo shumë pak e promovuar në fillim, dhe shoqëruar me një heshtje totale këtë vitin e fundit. Pse?.
Të gjitha këto pluse janë të merituara edhe sikur promovimi për to të ishte zero. Veliaj ka bërë dhe po bën edhe shumë punë të tjera, që jo vetëm nuk i promovon, por për të cilat mungon totalisht informacioni.
Për shembull, po ndërtohen rreth 100 pallate shumëkatëshe në Tiranë dhe disa kulla(sa?) me leje të tij, por ai nuk është parë të paktën njëherë të promovoj ndonjë pallat apo kullë, ndoshta me ndonjë arkitekturë të veçantë, apo që i shërben përmisimit të jetës në qytet në ndonjë mënyrë (si?), edhe pse investimi I tyre është shumë herë më i madh se të gjitha investimet e promovuara të Bashkisë të marra së bashku dhe me efekt të madh në jetën e qytetit.
Mos vallë nga që dihet se efekti i këtyre investimeve e përkeqëson jetën në qytet dhe bën të fitojnë një grusht i vogël njerëzish, ku përfshihen dhe lejedhënësit si dhe hartuesit e miratuesit e planeve të zhvillimit të qytetit? Dhe vimë tek çështja më e nxehtë, ajo e “Teatrit”.
Sa shumë ëshë folur nga z. Veliaj për teatrin e ri në vend të atij të vjetrit, por nuk ka folur asnjë fjalë për dobinë (ka dobi ?) e 6 kullave të planifikuara për tu ndërtuar, në shumicë tokë publike, bashkë me teatrin, madje edhe pas marrjes vesh për to, janë bërë përpjekje të fuqishme për të mos folur për kullat, por vetëm për teatrin, nëse duhet i ri apo duhet ruajtur i vjetër (qëllimisht shmanget dhe fjala rikonstruksion).
Pra është orientuar të flitet vetëm për 30 milionë euro (?) të munguara për teatrin, jo për qindra miliona euro të investuara e fituara prej kullave të planifikuara.
Pse? A i shërbejnë këto kulla sigurimit të një jete më të mirë të qytetit?. Një investim tjetër, 125 milion euro , është miratuar për incineratorin e Tiranës. Vepër gjigande kjo për Tiranën. Në faqen e Bashkisë së Tiranës asnjë fjalë për të. Kryebashkiaku Veliaj nuk thotë asnjë fjalë për të.
E pamundur të gjesh një informacion se ç’po ndodh në rrethimin e Sharrës. Pse? Vetëm është dëgjuar të flasë Kryeministri, jo në një debat ( i është shmangur; pse?) por në një monolog, se në Sharrë do vinë edhe plehra e Durrësit ( mos vallë dhe nga përtej detit?). A është ky investim i djegësit të plehrave një investim që e bën më të mirë jetesën në Tiranë?
Unë e kam një përgjigje për pikëpyetjet e vendosura, për të cilat do të kemi kohë ti përgjigjemi, në mënyrë shteruese një nga një, këtyre dhe shumë të tjerave, por sot ishte ideja e një bilanci paraprak të punës së z. Veliaj.
Duke marrë në konsideratë shumë pluse renditur në fillim, jo çuditërisht bilanci i deritanishëm i punës së z. Veliaj, — i imi, rezulton negativ, edhe pse për shumëkënd edhe për pak vite, deri sa efektet për qindra milionat e çimentuara tani, shoqëruar me heshtjen e sforcuar të bëhen të dukshme.