Bie niveli i ujit në Lagunën e Nartës si asnjëherë në 30 vitet e fundit
Niveli i ujit në lagunën e Nartës (Vlorë), ka rënë dukshëm gjatë javëve të fundit, si pasojë e thatësirës së tejzgjatur dhe mungesës së reshjeve. Pamja që të ofron kjo lagunë gjatë këtyre ditëve, ngjason me ato të një zbatice të spikatur. Uji është tërhequr dhjetra metra nga gjurma normale, duke krijuar një hapësirë “hibride” mjedisi të ngurtë me vijën normale të bregut. Kjo gjendje vlerësohet të jetë e jashtëzakonshme. Banorët e fshatit Zvërnec, qendra e banuar më e afërt me këtë lagunë, nuk mbajnë mend të jenë ndeshur me një pamje të tillë prej dekadash.
P.Thanasi, një nga peshkatarët e zonës, shprehet se nuk e ka parë asnjëherë lagunën në këtë gjendje, me ujra aq të tërhequra nga bregu. Sipas tij, një nga të moshuarit e fshatit tregon se, në fillim të viteve ’80-të të shekullit të kaluar, në lagunë ka ndodhur një situatë e ngjashme. Edhe në atë kohë u regjistrua një thatësirë e pazakontë.
Mjedisi ujor i lagunës duket i varfëruar dukshëm dhe peshqit duhet ta kenë braktisur atë, për t’u zhvendosur drejt detit. Pamja është e kundërt me atë që jemi mësuar të shohim në këtë lagunë në stinët e tjera të vitit.
Në fillim të këtij viti, këtu u regjistrua një dukuri tjetër natyrore e pazakontë. Gjatë dy javëve të para të muajit janar, si pasojë e rënies së temperaturave deri në -5 gradë celsius, ujrat ngrinë si asjëherë tjetër, çka u shoqërua me dëme të mëdha në florën dhe faunën e këtij mjedisi.
Laguna e Nartës është një nga resurset natyrore më të spikatura në Vlorë dhe në Jugun e vendit, me vlera të shumëfishta, duke përfshirë edhe ato turistike. Në të ndodhet edhe ishulli i Zvërnecit, ku është Manastiri me të njëjtin emër, një nga objektet më të njohura të kultit në Shqipëri, me vlera historike e arkitekturore.
Pak javë më parë, përmes një projekti të Bashkisë së Vlorës, përfundoi faza e parë e rindërtimit të urës që lidh këtë ishull me bregun, çka bën të mundur përfshirjen sërish të Manastirit në listën e objekteve të vizitueshme për turistët vendas e të huaj.
Botuar nga B.D., Java News me 23 August 2017.