“BERZH pranoi se HEC-et në Shqipëri dëmtojnë mjedisin dhe banorët” pretendojnë mjedisorët (dokumentim me video)
Mjedisorët në Europën Qendrore dhe Lindore zbuluan të mërkurën korrespondencën e tyre me BERZH, ku zbuluan se disa hidrocentrale në Shqipëri po i shkaktonin dëm mjedisit dhe banorëve.
Rrjeti i grupeve mjedisore në Europën Qendrore dhe Lindore, Bankwatch, publikoi të mërkurën një deklaratë ku zbuloi korrespondencën e vet me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe diskutimet për ndikimin negativ të dy hidrocentraleve te popullsia shqiptare.
Sipas Bankwatch, grupet e punës në terren të BERZH në Shqipëri, kanë verifikuar një pjesë të gjetjeve të Bankwatch dhe EcoAlbania për hidrocentralet e Rapunit dhe Tërnovës, në Librazhd dhe Bulqizë.
“Gjetjet e BERZH konfirmojnë shumë nga vëzhgimet e bëra nga ana jonë siç na ka treguar banka në komunikimet tona të vazhdueshme me e-mail”, shkruan rrjeti i organizatave në deklaratën e vet.
Më saktësisht, Bankwatch thotë se BERZH i ka konfirmuar që mungesa e ujit në lumenjtë Qarrishtë dhe Rrapun vjen nga hidrocentralet Rrapuni 1 & 2 dhe po shkakton ndër të tjera mungesë uji për një mulli gruri që përdoret nga 200 persona të zonës.
BERZH kritikon gjithashtu hidrocentralet Rapuni 3 & 4 të cilët kanë lidhje njëri me tjetrin, duke thënë se ndërtimi “pa rrjedhjen ekologjike dhe pa një rrugë kalimi për peshqit është i papranueshëm dhe tregon një defiçit në kontroll nga autoritetet shqiptare”.
Organizatat mjedisore thonë se kanë kontaktuar Kishën Ortodokse Shqiptare, e cila ka në pronësi digën Rapuni 3 dhe 4, — e cila nuk është e financuar drejtpërdrejt nga BERZH — por u është refuzuar përgjigjja.
Skenari përsëritet edhe për Tërnovën, ku një sistem liqenesh është përdorur për të ushqyer hidrocentralin e Tërnovës në Bulqizë. Si pjesë e projektit, një sistem kanalesh transportojnë ujë nga liqenet më të vogla në atë kryesorin, Liqeni i Zi prej ku ushqehet hidrocentrali i Tërnovës.
Në këtë rast, grupet e punës së BERZH kanë pranuar se zona ka nevojë për ripyllëzim, si pasojë e hidrocentralit. Megjithatë, Banka është shprehur se është e vështirë të gjykohet nëse HEC i Tërnovës ka prekur prurjet e sedimenteve.
Bankwatch dhe EcoAlbania, deklaruan se nga puna e tyre në terren në qershor të këtij viti, kompania që ka fituar hidrocentralin e Tërnovës, ka dështuar në marrjen e ankesave të banorëve, të cilët kanë pasur probleme të rënda me vaditjen gjatë gushtit.
“Për çudinë tonë të madhe, një mekanizëm i mungesës së depozitimit të ankesave ishte një ndër zbulimet e BERZH. Banorët nuk arritën të drejtonin ankesat e tyre drejt kompanisë. Dhe ankesa kryesore është kudo e njëjta: mungesa e ujit për vaditje”, shkruan Bankwatch.
Rrjeti i organizatave mjedisore në Europën Qendrore dhe Lindore që merret me mbikëqyrjen e fondeve nga bankat për projektet mjedisore, i sugjeroi BERZH transparencë më të madhe, në mënyrë që kompanitë të shmangin shkeljet.
Një nga sugjerimet lidhej gjithashtu me orientimin nga ana e Bankës për investimin në energjinë diellore dhe të rinovueshme, në vend të hidrocentraleve.
Dhe së fundmi, Bankwatch sugjeroi që BERZH të publikojë monitorimet e saj në mënyrë që publiku të jetë në dijeni dhe të mund t’i përdorë këto gjetje si mekanizëm kontrolli.
Mjedisorët, përshëndetën si hap pozitiv nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit mes BERZH dhe Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë në Shqipëri.
“Ky është vetëm një hap në drejtimin e duhur për të stimuluar investimet e duhura në prodhimin e energjisë diellore”, thuhej në deklaratë.
Nga Ivana Dervishi