Banorët e Lumasit, kanë arritur një tjetër fitore zyrtare, në betejën për të mbrojtur ujin e tokave të tyre.

Banorët e Lumasit, kanë arritur një tjetër fitore zyrtare, në betejën për të mbrojtur ujin e tokave të tyre.

Banorët e Lumasit, nëpërmjet përfaqësuesit të tyre ligjor Arben Llangozi, kanë arritur një tjetër fitore zyrtare, në betejën për të mbrojtur ujin e tokave të tyre dhe të vetmen pasuri natyrore turistike “Kanioni Sinec” që u ka dhuruar Zoti.

Agjencia e Rajonale e Zonave të Mbrojtura Elbasan e ka cilësuar ndërhyrje të paligjshme, me pasojë shkatërrimin fizik të Zonës së Mbrojtur “Park Natyror Kanioni Sinec-Lumas”.

Me shkresë Nr.122/1, datë 29.07.2021, Drejtori Rajonal i Zonave të Mbrojtura-Elbasan, Fatmir Brazhda, ka vënë në dijeni studion ligjore “Jurisprudenca” përfaqësuese e banorëve të Lumasit-Kuçovë, se ndërhyrjet ndërtimore në “Kanionin Sinec”, janë totalisht të paligjshme.

Ky është konkluzioni shterrues i kësaj agjencie, nxjerrë nga inspektimi i datës26.07.2021 në zonën e mbrojtur “Kanioni Sinec-Kuçovë”, ku firma “Salillari shpk”, ka bërë shkatërrime fizike të zonës dhe vazhdon punimet me mbështetjen e Bashkisë Kuçovë e të kryepolicit të Beratit, Edmond Targaj.

Me shkresë nr. 121, datë 29.07.2021, raporti për konstatimin e këtij krimi mjedisor, i është dërguar për informacion e veprim, zotit Arben Xhina, Krye-inspektor Rajonal i Mbrojtjes së Territorit Elbasan, që mbulon dhe zonën e Kuçovës, ku Pëllumb Salillari po shkatërron Kanonin Sinec.

Drejtori i Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura-Elbasan, Fatmir Brazhda, cilëson të paligjshme Lejen Infrastrukturore Nr. 3562/1, datë 14.10.2020 për investime ndërtimore te “Kanioni Sinec”, dhënë firmës “Salillari shpk” nga kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari.

Në raportin inspektues të agjencisë, thuhet se firma “Salillari shpk” ka kryer punime ndërtimore brenda zonës së mbrojtur të Kanionit Sinec; i cili ndodhet edhe brenda territorit “Monument Natyre, shpallur me VKM nr. 303, datë 10.05.2019.

Me këtë vendim dhe me Ligjin nr. 81/2017, në Kanionin Sinec të Lumasit, nuk duhet kryer asnjë punim qoftë dhe provizor, ose investim publik, me afër se 200 metër perimetër larg e rrotull kufirit të tij, si zonë e mbrojtur me VKM nr. 676, datë 20.12.2002.