Balluku në SPAK, KKTU jep lejen në të njëjtën ditë për ndërtimin e TEC të Roskovecit. A do të hetohet?
dërkohë që ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ndodhet në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku do të njihej me akuzën “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike....”
Ndërkohë, në të njëjtën ditë pra më 31 tetor, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka miratuar lejen e ndërtimit për TEC-in e Roskovecit. Leja është dhënë në mungesë të lejeve, që janë parakusht, leja e prodhimit të energjisë, leja e nga bazeni i Semanit, leja mjedisore.
Ndërkaq, të enjten gjykata do të gjykojë padinë e bërë nga shoqëria civile për TEC të Roskovecit kundër Vendimit të Qeverisë për lejen e ndërtimit.
Ndërtimi i një termocentrali me gaz, i bërë publik në pranverë të vitit 2023, u miratua në mbledhjen e 18 dhjetorit 2024 nga Këshilli i Ministrave. Leja, që sipas vendimit nuk është koncesion, iu dha kompanisë aksionere “FIER THERMOELECTRIC” SH.A., FTE, aksionet e së cilës zotërohen 30% nga kompania shqiptare “Gener 2,” 35% nga kompania private greke GEK TERNA S.A., dhe 35% nga Korporata Publike e Gazit të Greqisë, DEPA COMMERCIAL S.A. Kjo e fundit, bazuar në raportin publik të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, ka garantuar me një kontratë të vitit 2022 furnizimin me gaz të termocentralit përmes gazsjellësit TAP për 7 vjet.
Sipas Vendimit të Ministrave, termocentrali do të ndërtohet dhe vihet në punë brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi dhe do të shfrytëzohet për një periudhë 49-vjeçare. Në vendim, qeveria deklaron se do të marrë 2% të prodhimit vjetor si “royalty,” ndërsa kompania detyrohet t’i shesë, sipas ligjit në fuqi, pjesë të energjisë shpërndarësit publik.
DENONCIMI NGA PIRANJAT
Më 29 dhjetor 2023 kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, ndërmori nismën për rishikimin e planit të përgjithshëm vendor me procedurë të thjeshtuar. Kjo bashki ka kërkuar që të ndryshojë një sipërfaqe ku 15.81 hektarë të veçuar do të përdoren për ndërtimin e një termocentrali elektrik. Zona ku propozohej ndërtimi i TEC-it ndodhet në kategorinë B, tokë bujqësore boniteti 2, e cila nuk lejon zhvillime të reja.
Por sipas bashkisë së Roskovecit kjo është mundësia e vetme për realizimin e TEC-it për shkak të afërsisë strategjike me nyjën e lidhjes me TAP. Më 10 janar 2024 Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit i kërkoi mendim Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për rishikimin e dokumentit të planit të përgjithshëm vendor të Bashkisë Roskovec.
Në referencë të ligjit për mbrojtjen e tokës bujqësore, ministria sugjeron të vlerësohen edhe mundësi të tjera të ndërtimit të termocentralit në toka me cilësi agroprodhuese të ulëta. Pra, TEC-i nuk lejohet të ndërtohet në një tokë bujqësore me potencial të lartë prodhimi, ndaj duhej zgjedhur një destinacion tjetër për ndërtimin e tij, por kjo nuk i pengoi aspak institucionet të vazhdonin përpara me procedurën e tyre te jashtëligjshme.
Më 21 mars 2024 Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit lëshoi akt përputhshmërinë. Në fakt shkresa u dha me një kusht për njësinë strukturore termocentral. Duke qenë se kërkesa për ndërtimin e TEC-it, nuk përputhej me legjislacionin e tokës, AKPT-ja ia la në dorë organeve politikbërëse, si Këshilli Bashkiak dhe Këshilli Kombëtar i Territorit që të merrnin vendimin. Në lidhje me këtë shkelje, drejtoresha e AKPT-së, Adelina Greca, nuk dha asnjë përgjigje për “Piranjat”.
Edhe kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, që po ashtu ka një rol kyç në këtë procedurë të jashtëligjshme, nuk u përgjigj në asnjë moment për emisionin “Piranjat”.
Më 26 prill 2024 këshilli bashkiak Roskovec vendosi miratimin e dokumentit të rishikimit të planit të përgjithshëm vendor, duke qenë një hap më afër ndërtimit të TEC-it. Më pas më 29 maj 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit, që kryesohet nga kryeministri Edi Rama, miratoi ndryshimet në planin e përgjithshëm vendor të Bashkisë së Roskovecit. Dokumenti mban firmën e kryeministrit Rama si dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Pra, dy personat më të rëndësishëm të qeverisë, kanë shkelur me të dyja këmbët një ligj për t’i hapur rrugën një investimi, që me gjasa do të sjellë më shumë dëme se sa dobi për zonën e Roskovecit.