Alternativat përtej kërkesave të protestës

Alternativat përtej kërkesave të protestës

Sfida në e madhe në horizont është mbajtja e cmimit të energjisë elektrike pa e rritur atë. Rama në një takim në ambjent të hapur me disa fermerë teksa po tregonte meritën e Qeverisë, e cila nuk ka rritur cmimin e energjisë elektrike, ngriti sytë nga qielli për të treguar se mungesa e shiut mund të na coj në rritjen e cmimit, pasi liqenet e HECeve janë në kuota shumë të ulta. Kur kryeministri ngriti kokën lart dhe bëri një pauzë mendova se do thoshte që Shqipëria ka kaq shumë ditë me diell dhe nuk ka arësye për të pasur krizë të energjisë elektrike. Por jo. Rama foli pastaj për multinacionalet e fosileve SHELL, ENI në Shqipëri që mund të gjejnë gaz, që do ndryshonte situatën. Rama nuk përmendi edhe një TEC të lëvizshëm që në fshehtësi po i afrohet gjirit të Vlorës që do djeg naftë të rëndë për të prodhuar energji elektrike e për t’ja shitur Qeverisë me cmimin që ofron kompania, sipas tregut ndërkombëtar, natyrisht duke krijuar një ndotje në gji të Vlorës, shto këtu dhe terminalin me gaz të lëngshëm të projektuar aty, që mund ta dëmtoj seriozisht turizmin dhe ekonominë në Vlorë. Pra, alternativa e qeverisë shqiptare, ndryshe nga gjithë Europa që, në këtë periudhë krize po studjon përshpejtimin e burimeve të rinovueshme, është energjia fosile.

Kjo alternativë fosile, jo vetëm që nuk është alternativë për Shqipërinë, por me shumë gjasa në vite do kemi disa vepra fosile të tjera, si TECi i Vlorës, apo si inceneratorët, që do prodhonin energji elektrike.

Alternativa duhet të jetë tjetër. Shqipëria duhet të aplikoj menjëherë skema të energjive të rinovueshme, sidomos të energjisë diellore.

Immediate është të krijohet mundësia që qytetarët nga konsumator të energjisë elektrike të bëhen edhe prodhues të saj, nëpërmjet instalimit të impianateve fotovoltaike në shtëpitë e tyre, në pallatet e tyre, në bizneset e tyre dhe të kenë mundësi të furnizojnë në mënyrë të pavarur ambjentet e tyre si dhe ti shesin energjinë e tepërt. Kjo realizon një mobilizim të resurseve financiare të shqiptarëve në drejtimin e duhur, rrit punësimin, si dhe kontribuon për një ambjent të pastër. Nuk duhet harruar se adoptimi ndaj ndryshimeve klimatike është një sfidë që duhet përballuar për shumë vite të ardhshme, edhe sikur lufta në Ukrainë të pushoj nesër. Ligji egziston qysh në 2017. Duhet vetëm të shmangen pengesat artificiale burokratike, ndoshta dhe të qëllimshme, për tu marrë me atë që qeveria është “specializuar”, dhënien e koncesioneve, në këtë rast të energjisë nga burimet fosile.

Në Gjermani, lufta në Ukrainë dhe kriza e lidhur me energjinë po i shtyjnë pronarët e shtëpive në numër rekord të instalojnë sisteme të energjisë diellore dhe bateri, ka thënë Shoqata Gjermane e Industrisë Diellore (BSW).

Pikërisht kjo situatë lufte do ta bënte shumë të mirëpritur inkurajimin prej Qeverisë që qytetarët vetë të investojnë në instalimin e paneleve fotovoltaike, që sigurisht do ti kursente shtetit në vijim miliona euro për blerje energjie në treg, dhe ku vetëm një pjesë e vogël e këtij kursimi do duhej të shkonte për subvencionim të cmimit të shitjes së energjisë së tepërt të prodhuar prej qytetarëve.

Alternative tjetër shumë eficente është termoizolimi. Është fatkeqësi që ligji egziston qysh në vitin 2002 dhe për 20 vjet termoizolimi është zbatuar vetëm sporadikisht, si për sport.

Në shkrimin e rradhës do të trajtojmë alternativën e sigurise ushqimore në vend.