Aktivistët në mbrojtje të Valbonës paditen nga kompanitë koncensionare të HEC

Aktivistët në mbrojtje të Valbonës paditen nga kompanitë koncensionare të HEC

Shoqata Toka dhe drejtuesja e saj, aktivistja Catherine Bohne e cila drejton kauzën e mbrojtjes së Luginës së Valbonës nga HEC-et, janë bërë së fundmi objekt i një kërkesë-padie drejtuar Gjykatës së Rrethit në Tiranë nga kompania Gener 2 sh.p.k, që ka fituar koncensionin për dy hidrocentrale në zonë dhe Dragobia Energy sh.p.k që zbaton ndërtimin e tyre.

Dragobia Energy, e cila zotërohet nga Gener 2 pretendojnë në kërkesë padinë e tyre, një kopje të të cilës BIRN e disponon, se Shoqata Toka dhe drejtuesja e saj, Catherine Bohne i kanë prishur imazhin shoqërive paditëse përmes deklaratave kundërshtuese për ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës.

Ato kërkojnë një dëmshpërblim prej 20 milionë lekësh nga të paditurit, si dhe përgënjeshtrimin e deklaratave të bëra në media.

Paditësit kanë paraqitur si prova në kërkesë padinë e tyre një listë të noterizuar lajmesh të publikuara nga mediat në vend si Zëri i Amerikës, Reporter.al, Lapsi.al dhe një grup kronikash dhe emisionesh televizive që variojnë nga deklaratat e aktivistes Bohne deri te mendimet kundër të aktivistëve të tjerë të përfshirë në kauzë si këngëtaret Elina Duni dhe Eda Zari, aktivistët Ervin Goci dhe mjedisori Lavdosh Ferruni, kundërshtimi në gjykatë nga Ambasada Gjermane në Shqipëri, si dhe te seancat parlamentare të deputetit Besnik Baraj apo intervistave të deputetit Eduard Shalsi.

Aktivistja Catherine Bohne, i tha BIRN përmes telefonit se e konsideron padinë absurde dhe se shkon kundër lirisë së fjalës.

“Gjithçka që kam thënë është e bazuar te dokumentet publike,” tha Bohne, duke shtuar se kompanitë kanë paraqitur si provë një listë të intervistave të saj në media, sikur të ishte krim të flasësh në media.

“Çdo njeri ka të drejtë të flasë i lirë,” shtoi Bohne.

Aktivistja u shpreh se vazhdimisht i ka bërë ftesë publikut përmes tryezave informuese në Bajram Curr të ndajnë informacione dhe të diskutojnë lirshëm, duke shprehur vetëm mendimet e saj, pa ia imponuar njeriu.

“Kompania nuk ka humbur deri më tani asgjë, pasi po i vazhdon ndërtimet,” tha Bohne.

E pyetur nëse ndihej e kërcënuar nga padia kundër saj, aktivistja Bohne u përgjigj se kërcënimi i HEC-eve ndaj thesarit kombëtar të Luginës së Valbonës ishte kërcënimi më i madh që mund të ekzistonte.

“Do të shohim vendimin e gjykatës,” përfundoi Bohne me një ton optimist.

Rasti Steel dhe Morris v. Mbretërisë së Bashkuar

Aktivizmi mjedisor është sulmuar nga kompanitë për shpifje edhe në vende të tjera, ku rasti më i njohur është Korporata McDonalds kundër Steel & Morris. Rasti ka të bëjë me organizatën mjedisore London Greenpeace, një organizatë e vogël pa lidhje me Greenpeace International, e cila kishte botuar një pamflet kritik për kompaninë McDonalds. Pamfleti mes të tjerash akuzonte McDonalds si shkaktar kanceri dhe vdekjeje dhe sëmundjeje. McDonalds akuzohej në pamflet për imperializëm, si fajtore se pse në botë ka varfëri dhe pse njerëzit në vendet e botës së tretë vuajnë nga uria. Ajo u akuzua gjithashtu si fajtore për shkatërrimin e pyjeve tropikale.

McDonalds iu drejtua gjykatave britanike dhe fitoi të drejtën e dëmshpërblimit për 40 mijë pound. Pavarësisht se McDonalds deklaroi se nuk do ta kërkonte ekzekutimin e gjobës, çështja përfundoi në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila në vitin 2005 e rrëzoi vendimin e gjykatave britanike, e konsideroi procesin gjyqësor të padrejtë dhe dëmshpërbleu dy aktivistët për dëmet e pësuara në ndjekjen e çështjes gjyqësore në masën 57 mijë paund. Gjykata Europiane doli në konkluzionin se e drejta themelore e shprehjes ishte nga ana e aktivistëve, pavarësisht natyrës veçanërisht kritike të pamfletit të publikuar.

Gjykata gjeti se ligjet e Britanisë së Madhe mbi shpifjen ishin të padrejta dhe se korporatat duhej të ishin të hapura ndaj kritikave, veçanërisht për çështje të interesit publik të tilla si ushqimi dhe mjedisi. Gjykata gjeti gjithashtu se sistemi britanik i drejtësisë ishte treguar i padrejtë duke ngarkuar me përgjegjësi gjyqësore dy aktivistët si dhe i dha shpërblim aktivistëve për stresin që duhet të kenë pësuar nga vetë ekzistenca e padisë.

Britania e Madhe u dënua në këtë rast edhe për faktin që nuk kishte ofruar ndihmë ligjore falas për të paditurit që përballeshim me një korporatë me burime të pafundme. Gjykata përcaktoi se pavarësisht seriozitetit të të dhënave të pamfletit, gjykatat britanike kishin dështuar t’i ngarkonin Mc Donalds detyrën që të provonte se nga shpërndarja e fletushkës kishte pësuar dëm ekonomik, fjala vjen, i kishin rënë shitjet apo fitimet. [Link]

Beteja për Valbonën

Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës, është një nga pikat më të bukura natyrore të veriut të Shqipërisë dhe një atraksion turistik, që çdo vit i sjell të ardhura banorëve të zonës përmes vizitorëve dhe turistëve.

Planet e qeverisë shqiptare gjatë dekadës së fundit për të përdorur rezervat hidroenergjetike të vendit përmes ndërtimit të HEC-eve parashikuan ndërtimin e 14 HEC-eve në zonën e mbrojtur të Valbonës.

Banorët e Valbonës, mbështetur nga aktivistët mjedisorë kanë kundërshtuar ndërtimin e HEC-eve në zonë me argumentimin se u është shkelur e drejta e konsultimit, si dhe duke i cilësuar projektet hidroenergjetike si shkatërrimtare për mjedisin dhe turizmin në zonë.

Në nëntor 2017, padia e banorëve për të ndaluar ndërtimin e HEC-eve në Zemrën Blu të Alpeve shqiptare u hodh poshtë nga Gjykata Administrative e Tiranës, megjithatë ata u shprehën se nuk do të dorëzohen në përpjekjen e tyre për të mbrojtur Valbonën.

Në fund të janarit 2018, shoqata Toka, paraqiti në Gjykatën Administrative të Tiranës një kërkesë padi ndaj Këshillit Kombëtar të Territorit për të shfuqizuar vendimin e KKT për lejen e ndërtimit të HEC Dragobia.

Image for post
Ivana Dervishi

Ivana Dervishi është gazetare dhe fotoreportere e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri nga viti 2014. Dervishi është trajnuar nga Reuters për teknikat e fotolajmit në 2015, si dhe ka marrë pjesë në Shkollën Verore për Gazetari Investigative të BIRN në vitin 2016.

Marre nga Reporter.al