A ka filluar të bëhet Shteti? - Rasti i Valbonës

A ka filluar të bëhet Shteti? - Rasti i Valbonës

Ndërsa në Valbonë vazhdojnë shpërthimet e tritolit për ndërtimin e HECeve aty, në Tiranë po zhvillohet gjyqi i kërkuar nga banorët dhe shoqata “Toka”(shoqatë me qëndër ne Tropojë, dhe mission të mbrojtjes së natyrës dhe më specifikisht të Alpeve të Shqipërisë).

Më 2 Qershor 2017 ora 11:00 Gjykata Administrative do të marr një vendim.Vendimi do jetë nëse qytetarët dhe grupimi që kanë kërkuar të ndalohet ndërtimi i HECeve në Valbonë legjitimohen në ngritjen e një padie që dëmton mjedisin në Parkun Kombëtar të Valbonës ose jo.

Vendimi ka rëndësi përtej cështjes në fjalë. Vendi është para një situate kur për cështje mjedisore edhe pse legjislacioni vendas dhe konventat ndërkombetare të ratifikuara nga Shqiperia i njohin publikut të drejtën e ankimimit në Gjykatë, gjykatat shqiptare në rastin më të mirë i kanë rrëshqitur ligjit, duke u bërë gjithnjë palë me egzekutivin, i cili nga ana e tij është bërë palë me koncesionarin me firmosjen e kontratave duke injoruar ligjet mjedisore.

Dhe ky gjyq për Valbonën duket do të tregoj nëse do të kalcifikohen qëndrimet e deri sotëme apo do të tregoj që një epokë e re është duke nisur, që mjedisi në Shqipëri të mos shikohet si një hapsirë për tu shfrytëzuar në interes të fitimeve të individëve apo përfitimeve klienteliste të vendimmarrësve, por si një interes publik i mbrojtur edhe nga vetë publiku.

Në seancën e datës 1 Qershor nga pala shtetërore dhe koncesionarët e paditur u pa egzaktësisht se ky binom jo vetëm është i fortë dhe injorues ndaj shoqërisë civile dhe parashtrimit të kërkesave ë tyre të për të mbrojtur mjedisin, por edhe arogant. Në seancë gjyqtarja pyeti avokaten e koncesionarëve nëse pala paditëse ( pra shoqëria civile) legjitimohet të ngrerë padi, në rastin kur ka dëm në mjedis ( dhe ripyeti duke shtuar se nëse ka një katastrofë mjedisore) dhe përgjigja e avokates së koncesionarëve ishte e vendosur: “absolutisht jo, nuk legjitimohet”.

Në seancën e sotme u pa se përfaqësuesit ligjor të shtetit ( Ministria e Energjisë, KKT, Avokati i Shtetit) të paditur ishin thjesht si kukulla të rreshtuara nga koncesionari, pasi ato vetëm aprovonin pretendimet e koncesionarit, pa arritur të shtonin vetë ndonjë argument, apo ti referoheshin ndonjë ligji për moslegjitimimin e padisë. Pra qëndrimi i shtetit ishte “Yes Sir”

Ka 15 vjet që janë organizuar qindra trajnime për shoqërinë civile, për institucionet egzekutive të shtetit dhe ligjvënësitpasi Shqipëria ka ratifikuar konventën e Aahrusit, e cila i jep të drejtën dhe 1 qytetari të vetëm, jo vetëm të informohet dhe të marri pjesë në vendimmarrje për cështje mjedisore, por dhe ti drejtohet Gjykatës. Legjislacioni Mjedisor Shqiptar i përputhur gjthashtu me atë të BEsë e ka të shprehur fare qartë të drejtën e publikut për t’ju drejtuar Gjykatës.. Dhe ja tani pas 15 vjetësh ka ardhur koha e ndryshimit të shumëpritur.