Shqipërisë nuk i duhen plehrat dhe inceneratorët

Shqipërisë nuk i duhen plehrat dhe inceneratorët

Shqipëria ka një pozitë gjeografie shumë të mirë e cila dikton edhe prioritetet ekonomike dhe zhvillimit të qendrueshëm të vendit, ku Bujqësia, Turizmi dhe Mjedisi janë shtyllat kryesore, mbi të cilat mund të mbështetet jo vetëm rritja ekonomike afat mesme dhe afat gjatë, por edhe punësimi, mirëqenia, shëndeti human dhe social i vendit. Bujqësia dhe Turizmi së bashku kontribuojnë në PBB-së të Shqipërisë me rreth 30% ose rreth 3 miliardë euro.

Po kështu edhe punësimi ku mbi 60% e vëndeve të punës në rang vendi janë në këtë sektor. Shqipëria ka një Plan Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve deri në 2010–2025 me faza të ndërmjetme, e bërë edhe më asistencën e BE-së, ku përcaktohet qartë menaxhimi i mbetjeve në vend, duke filluar që nga parandalimi, ndarja në burim, mbledhja, transporti, ripërdorimi, riciklimi, rikuperimi dhe asgjësimi. Asgjësimi në hierarkinë e menaxhimit të mbetjeve është hallka e fundit e procesit mbasi ti ke realizuar hapat ë mësipërm. Një nga format e asgjesimit është edhe djegia e mbetjeve në temperatura të larta ose siç njihet Incenerimi.

Shqipëria deri në 31 dhjetor të 2016 për bashkitë e mëdha duhet të kishte zbatuar dhe arritur objektivin e VKM nr 418, dt 25/6/2014, e cila përcakton jo vetëm afatin e zbatimit por edhe objektin që është: Realizimi i grumbullimit të diferencuar të mbetjeve për këto rryma mbetjesh, Letër/Karton, Metal, Plasitk, Qelq, ndërsa për bashkitë më të vogla, kjo VKM i lë një afat deri në 31 dhjetor të 2018. Por pyetja që ngrihet në kushtet kur Eco Tirana, kompania e promovuar me bujë para një viti si partneritet i Bashkisë Tiranë dhe Bashkisë së Veronës për menaxhimin e mbetjeve në kryeqytet ka shpallur dështimin para pak javësh të këtij procesi edhe pse ishte gjysmak, dhe se prioriteti për të rritur riciklimin nga 10% në mbi 40% mbas disa vitesh ka dështuar.

Pa zgjidhur këtë problem Shqipëria nuk mund të shkojë te Incenerimi dhe importi i mbetjeve. Bërja e Inceneratori të Elbasanti pa trasparencë, pa debat, pa analizën e besimit abstrakt siç thotë profesor Anthony Giddens ( mendimi i eksperteve të fushës) përveç shumë shkeljeve ligjore duke filluar që nga Ligji për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, Ligjit për Konsultimin Publik ,Konventës së Aarhusit direktivës për mbetjet 2008/98, është jo vetëm dhunim ligjor por edhe i të drejtave dhe lirive politike dhe ekonomike, sidomos për publikun e prekur, i cili ka impakt të menjëhershëm nga kjo veprimtari.

Reforma dhe Ndarja Administrative Territorial e vendit në 2014 në thelb ka konceptin e decentralizimit të pushteti lokal nga ai qendror, ku qytetari në rajonin ku banon i njeh më mirë nevojat dhe problematikat e veta të cilat lidhen me vendimmarrjen gjë e cila nuk ka rezultuar efikase në këto procese. Bërja e inceneratorëve (rasti i Elbasanit) dhe më pas importi i plehrave nuk mund të kthehet nga një induksion i një shembulli të keq në një deduksion të një shembulli të mirë, pasi nuk plotëson asnjë standard.

Mjafton të shikoni ndotjen e ajrit dhe mjedisit ku jetoni pa incenerator për të kuptuar se si është realiteti në një vend ku ka incenerator. Shqipëria është ende një vend në trancizion prej 27 vjetësh dhe vetëm në një vit sipas OBSH në raportin e 2016 për 2013 humbasin jetën nga ndotja e ajrit mbi 2100 persona, më shumë së 50% e tyre në kryeqytet. Po nga ndotja e ujit, po nga ndotja e tokës ku nuk është kjo kategori e mbrojtur nga Kodi Penal dhe nuk zbatohen rekomandimet e Raport-Progresit të fundit të 2016 për implementimin e direktivës së krimit mjedisor 2008/99?

Po ndotja akustike, ushqimore etj?! Shqipëria nuk gjeneron aq mbetje për incenerim (mbetje kryesisht të rrezikshme) pasi nuk ka industri të rëndë. Rritja e konsumit më shumë është e shoqëruar më rritjen e sasi së mbetjeve bio-organike, të cilat zgjidhen me anë të procesit të kompostimit (aerobik, anaerobik) dhe i shërbejnë përsëri bujqësisë dhe ekonomisë duke u kthyer në një produkt me vlerë ekonomike, apo duke prodhuar bio-gaze me efekte minimale ndotëse për mjedisin.

Teoria e importit të plehrave për energji bie, siç ra ajo për falimentin e ricikluesve vjet, kur këta të fundit kishin trefishuar xhiron vjetore në bizneset e tyre, pasi vetëm kaskada e Devollit e shton me mbi 20% kapacitetin e energjisë ose furnizon rreth 300 mijë familje. Nuk po flas për ndikimin e TAP në këtë sektor..! Me pak fjalë Shqipëria nuk ka nevojë as për import mbetjesh as për incenerator, as për energji nga këto burime pasi ka resurse të tjera me më pak efekte ndotëse dhe më më shumë përfitime ekonomike për Shqipërinë dhe shqiptarët, natyrisht edhe si pjesë e një vizioni unitar duke menduar globalisht dhe vepruar lokalisht në radhë të parë. A kanë vendet fqinje incenerator dhe a importojnë mbetje me qëllim djegie për “rikuperim të energjisë”?

Mali i Zi nuk ka incenerator për djegien e mbetjeve dhe përdor në 99% proceset e landfilldit, kompostimin, riciklimin etj. Kroacia nuk ka incenerator për djegjen e mbjeteve, Greqia jo, Bosnja jo, madje as Sllovenia. Të gjitha këto vende në rajonin tone, me të cilat në konkurrojmë në fushën ë turizmit dhe të bujqësisë kanë një qasje dhe politika ekonomiko-mjedisore të qarta dhe pozitive për vendet e tyre. Atëherë, si mundet që politikat e zhvillimit ekonomik, mjedisor dhe social, të ikin në drejtimin e kundërt të fqinjve dhe vendeve të rajonit pasi edhe për nga demografia dhe gjeografia deri diku ekonomia dhe mjedisi kemi ngjashmëri të mëdha?

Për të mos folur për angazhimet e Shqipërisë në Samitin e Parisit 2005–15, për uljen e emisioneve ndotëse ne atmosferë dhe mbrotjen e shtresës së ozonit në kuadrin e ndryshimeve klimaterike si pjesë e protokollit të Kyotos etj. Politikat e BE dhe vizioni global në fushën e Incenerimit dhe mbetjeve, si pjese e ndryshimeve klimaterike. Vetë BE ka vendosur si prioritet kryesor zbatimin me efikasitet të menaxhimit të integruar të mbetjeve, ku theksi vihet të parandalimi, rritja e riciklimit, dhe ulja dhe limitimi i djegies se mbetjeve në Incenerator, dhe zëvendësimi i teknologjisë së vjetëruar (direktiva 2008/98).

BE e ka rritur riciklimin nga 4% në 1995 në rreth 45% në 2015, pra është dhjetë fishuar riciklimi, ndërkohë incenerimi është dyfishuar më rritje me tendenca progresive negative mjedisore dhe ekonomike. Qyteti i San Franciskos riciklon 100% mbetjet e veta bashkiake, shembull të cilin po e ndjek edhe Roma dhe shumë qytete të tjera të Italisë, ku disa komuna kanë arritur të riciklojnë mbetjet e tyre 100% pa përdorur incinerator.

Shembulli më i mire: Rasti i Venecias ku në 2021 nuk do të ketë incinerator dhe shumë qyteteve të tjera në Itali dhe BE po shkojnë drejt mbylljes së Inceneratorëve dhe rritjes së parandalimit dhe riciklimit pavarësisht rritjes së konsumit. Vetë Presidenti Trump disa ditë më parë bëri nja hap pas, kur pranoi se do ta ridiskutojë çështjen e Samitit të Parisit për ndryshimet e klimës, pasi më parë kishte refuzuar të pranonte marrëveshjen e arritur më parë nga SHBA dhe Kina si dy nga ndotësit më të mëdhenj në botë. Për këto dhe shumë arsye të tjera Shqipëria nuk është ende gati për ndërtimin e Inceneratorëve dhe importin e mbetjeve.

Artan Manushaqe - Ekspert i Politikave Mjedisore