Artan Shkreli ne maje te kulles perballe Teatrit

Me në fund një autoritet i qeverisë Rama tha se restaurimi i Teatrit është plotësisht i mundshëm dhe midis rreshtave la të kuptohej se kjo është gjëja që duhet bërë. Këtë e bëri Artan Shkreli, arkitekt, restaurues, aktualish zv ministër i Infrastruktures dhe Energjisë (gazeta Panorama dt 12.09.2018).

Për këtë Shkreli e meriton një përgëzim. Me këtë përgëzim shkruar në një status në FB muhabeti për teatrin mbyllej, por prononcimi i mëtejshëm i tij i lidhur me qëndrimin e Erion Veliajt dhe adminstrimit të qytetit meriton hapje të muhabetit . Shkreli thotë: “E mirëkuptoj Erion Veliajn, i cili kërkon të vibrojë qytetin që administron dhe është vota e qytetarëve që do të vlerësoj se si ka punuar Erion Veliaj.

Nëse ka përdorur një gjuhë përcmuese për teatrin e vjetër këtë e bën sepse imagjinon teatrin e Bjarke Ingels, që është një bixhuteri e arkitekturës, pastaj nëse duhet bërë aty apo në vend tjetër është tjetër debat”. Së pari, Shkreli vazhdon i mëshon taktikës së Edi Ramës dhe Erion Veliaj për të mos përmendur tjetërsimin e hapsirës publike dhe ndërtimin e kullave private në këtë hapsirë, që është thelbi i cështjes, duke i mëshuar vetëm termave; Teatri Ri, Teatri Vjetër.

Së dyti, dhe më e keqja është se Shkreli thotë se e mirëkupton Erion Veliaj që kërkon të vibroj qytetin që adminstron, në këtë rast, nënkuptohet, vibrimin e sjellin kullat tek vendi i Teatrit. Natyrisht gjithëkush nuk e mirëkupton Shkrelin, kur ai hesht për kullat, që do virbrojnë Tiranën, sikur të mos dinte gjë për to. Pra Shkreli është dakord me kullat. Kështu? Ndoshta Shkreli nuk është dakord me kullat por hapja e rrugës Erion Velisë për të filluar ndërtimin e tyre me argumentin që është vota e qytetarëve që do e vlerësoj punën e Erion Velisë është shkatërruese për Tiranën dhe është shkatërruese dhe sigurisht për profilin e tij si profesionist.

Kullat nëse lejohen të ndërtohen do jenë aty për shumë breza të tjerë, për 100 a më shumë vite. Aktualisht Veliaj i ka marrë votat me premtimin zero ndërtime në Tiranë, por ligjvënësi ka dhe një filtër demokratik, nëse premtimet nuk mbahen, ose vendimmarrjet degjenerojnë në lajthitje, që në këtë rast, është vota e Keshillit Bashkiak me 2/3, që fatmirësisht e bllokon Veliaj në vibrimin e tij të cmendur me kulla. Ajo që duhet të bëj Veliaj e të mund ti ndërtoj kullat është ta shpallë këtë në platformën elektorale të ardhshme dhe të fitoj ai vetë dhe 2/3 e keshilltarëve të partisë së tij. E bën dot ai këtë?.

Shkreli në këtë prononcim të tij duket është në rezonancë me vibrimin e frikshëm të kullave të Veliajt.

Edhe në pozicionin qeveritar që Shkreli është aktualisht ka përgjegjësi edhe për infrastrukurën e Tiranës. Para vitit 2013 Shkreli ka qënë flamurtar i tezës “zero ndërtime në Tiranë” dhe e ka shprehur tezen e tij publikisht, e cila u bë me të drejtë dhe tezë elektorale e Erion Velisë në 2015n.

“Zero ndërtime në Tiranë” mbështetet në logjikë të fortë urbanistike, sociale, ekonomike, mjedisore tash e bërë e perceptueshme dhe për banorët e Tiranës, e kësaj Tirane super të dendur me ndërtime e popullsi, që mund të kthehet në një qytet të pabauneshëm me këtë intesitet të cmëndur ndërtimesh.

Z. Shkreli mirnjohje që the atë që të takon të thuash për rikonstruksionin e Teatrit dhe ruajtjen e trashëgimnisë historike –kulturore, por nuk të mirëkuptojmë në mbështetjen tënde për Veliajn në vibrimin e tij me kulla të reja tek Teatri. Shpresojmë të mos jetë edhe vibrimi yt, z. Shkreli.